Vuçiq bisedon me QUINT-in dhe BE-në për situatën në Kosovë

Aktuale

Vuçiq bisedon me QUINT-in dhe BE-në për situatën në Kosovë

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 14:16
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.

“Në një nga momentet më të vështira për Serbinë, zhvillova një bisedë të rëndësishme me përfaqësuesit e QUINT-it”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, pas takimit në Beograd më 26 shtator.

“Po ashtu kam pyetur pse [misioni i BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit]EULEX-i është refuzuar nga Policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin e kryer në veri të Kosovës”, shtoi ai, pa dhënë më shumë detaje për pretendimin e tij.

Në Kosovë, reaguesi i parë për siguri është Policia e Kosovës, më pas EULEX-i dhe në fund misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Më 25 shtator, Vuçiq u takua me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko, të cilit, siç ka thënë ai, i ka paraqitur “kërkesat e palës serbe”. Megjithatë, ai nuk ka treguar se për çfarë kërkesa bëhet fjalë.

Serbia refuzon t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Një nga arsyet është mbështetja që i jep Rusia Serbisë për politikat e saj karshi Kosovës.

Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi tentoi të hiqte barrikadat e vendosura në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku u përlesh me Policinë e Kosovës.

Autoritetet thanë se gjatë përleshjeve janë vrarë tre sulmues, ndërkaq janë arrestuar gjashtë të tjerë.

Autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat