SHBA pritet të hetojë Serbinë për automjetet ushtarake "Humvee"

Aktuale

SHBA pritet të hetojë Serbinë për automjetet ushtarake "Humvee"

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 20:41
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të nisin hetimet ndaj Serbisë. Amerikanët janë duke verifikuar nëse grupi terrorist serb përdori automjetet ushtarake të dhuruara në vitin 2017, si donacion për forcat e armatosura serbe. Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi për RTK-në se janë duke e shqyrtuar një gjë të tillë.

19 automjete ushtarake amerikane “Humvee” iu dhuruan donacion Serbisë në vitin 2017. Këto automjete që kishin vlerën prej 3.8 milionë dollarësh amerikanë u dorëzuan në një ceremoni në kazermën ushtarake “Stevica Jovanoviq” në Pançevë të Serbisë.

Në paraqitjen publike të vitit 2017, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha se këto automjete janë shumë efikase në luftime të afërta dhe antiterroriste dhe se ofrojnë nivel shumë të lartë mbrojtjeje. Por, të njëjtat po dyshohet se u shfrytëzuan edhe për qëllime për të cilat nuk ishin paraparë të përdoreshin.

Dyshime janë ngritur se këto automjete janë përdorur për stërvitjen e terroristëve të cilët më 24 shtator sipas institucioneve të Kosovës tentuan të aneksonin një pjesë të territorit të Kosovës.

Në një video të publikuar një ditë më parë, nga autoritetet zyrtare të Kosovës u paraqitën ushtrime të pjesëtarëve të grupit terrorist serb në bazat ushtarake në Serbi 4 ditë para se të sulmonin veriun e Kosovës.

Këtë video e ka shpërndarë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, britaniku Aidan Hehir. Ai ka ngritur dyshime se në këtë video ku shiheshin terroristet serb teksa trajnoheshin, duken makina ushtarake amerikane.

“Departamenti amerikan i mbrojtjes nuk do të jetë shumë i lumtur që Serbia përdori ‘Humvee’ të dhuruara nga SHBA për të trajnuar terroristët. Vuçiq ka shumë për të shpjeguar”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka konfirmuar në pyetjet të cilat RTK i ka dërguar një ditë më parë, se kjo çështje tashmë po shqyrtohet nga autoritetet e SHBA-së.

"Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisje të ofruara nga SHBA kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje", thuhet në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për RTK-në.

Ndërkohë 19 automjetet e dhuruara të SHBA-së për Serbinë në vitin 2017 të tipit "Humvee" sipas autoriteteve serbe do të ishin në dispozicion të Brigadës së III-të të ushtrisë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat