Dështon votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare - Konjufca “nervozohet” me deputetët

Aktuale

Dështon votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare - Konjufca “nervozohet” me deputetët

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 08:13 Përditësuar në ora: 15:46 më 04.10.2023
Glauk Konjufca

Kuvendi e përfundon seancën e sotme

Kuvendi i Kosovës e ka përfunduar seancën e sotme.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pasi nuk pati kuorum për të votuar në pikat që ishin pjesë e ditës.

Pikat që mbetën pa u votuar janë:

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,
Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Nuk zgjidhet Komisioneri Parlamentar për FSK-në

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot nuk kanë arritur të zgjedhin Komisionerim Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas votimit që u bë sot.

“Konstatoj sipas rezultateve asnjëri nga kandidatët nuk e ka marrë numrin e nevojshëm për t’u zgjedhur Komisioner Parlamentar të FSK-së, le të përsëritet konkursi për këtë pozicion”, ka thënë Konjufca.

Tahiri-pozitës: Marrëveshjet ndërkombëtare i votojmë nëse e caktoni datën e zgjedhjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri ka thënë se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Madje, Tahiri kërkoi të caktohet data e zgjedhjeve të reja pasi sipas tij legjislatura aktuale është jo funksionale.

“Ne ju ftojmë të caktojmë datën e zgjedhjeve. Atë ditë që dakordohemi që të shpërbëhet ky parlament kemi me i votu marrëveshjet ndërkombëtare.

Kjo legjislaturë është jofunksionale”, deklaroi Tahiri.

 

“Më tregoni nëse ka interesim që sot me kalu ndonjë ligj”, Konjufca “nervozohet” me deputetët, i kërkon Kusari-Lilës dhe Gashit të mbajnë takim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila që të zhvillojë një takim me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Kjo kërkesë e Konjufcës erdhi pasi që Kuvendi në mungesë të kuorumit nuk ka mundur të votojë disa nga pikat e rendit të ditës, kjo për arsye se deputetët e opozitës nuk po marrin pjesë në votim.

“57 deputetë po votojnë Kuvendi nuk ka kuorum për ta votuar Projektligjin për tekstet shkollore, dhe i njëjti i baret seancës tjetër. E ftoj kryetaren e Grupit Parlamentar të LVV-së të bëjë një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe të më tregojnë nëse ka interesim me kalu ndonjë projektligj sot në Kuvend apo jo, nëse jo me mbyll seancën menjëherë sepse kështu nuk shkon”, tha Konjufca.

Ai shtoi se është mirë të tregohet se për cilat ligje ka konsensus që ti kaloj Kuvendi sot.

Konjufca: Një Kuvend që nuk mund t’i kalojë marrëveshjet ndërkombëtare nuk ia vlen të ekzistojë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka shtyrë për seancën e radhës marrëveshjet ndërkombëtare për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryeparlamentari pas kësaj tha se një kuvend që nuk e ka kapacitetin t’i kalojë marrëveshjet ndërkombëtare nuk ia vlen të ekzistojë.

“Me thanë të drejtën, unë si kryetar i Kuvendit të Kosovës mendoj i cili që një kuvend nuk e ka kapacitetin objektiv me kalu marrëveshje ndërkombëtare nuk ia vlen me ekzitu legjislatura hiq”, tha ai.

Në seancën e Kuvendit kaloi Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, por në mungesë të kuorumit nuk kaluan marrëveshjet ndërkombëtare.

Gashi: Ministri i Financave të ndalojë duke shpifur se LDK nuk po i përkrah marrëveshjet ndërkombëtare

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka demantuar deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili pati thënë se LDK-ja është kundër marrëveshjeve ndërkombëtare.

Gashi gjatë seancës plenare ka thënë se deklarata të tilla janë të pasakta.

“Në vazhdimësi kemi pa shpifje dhe të pavërteta nga ministri i Financave, i cili deklaron në Facebook se Grupi parlamentar i LDK-së nuk po i përkrah marrëveshjet ndërkombëtare, e që është e pavërtetë. Ne i kemi përkrah përveç marrëveshjes me OPEC-un, të gjithë marrëveshjet tjera”, ka thënë Gashi.

Ai po ashtu tha se “ mendoj që është e padrejtë, e pasaktë dhe e pa duhur dhe nuk i kontribuon ndërtimit të një konsensusi në Kuvend për kalimin e këtyre projektligjeve. Duhet me u ndalë mos me rrejt më ministri i Financave për këto çështje”, tha Gashi. 

Dështon votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare – shkak bojkotimi nga opozita

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në mungesë të kuorumit për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, i ka bartur në seancën e ardhshme katër prej tyre të cilat ishin në rendin e ditës së sotme.

Konjufca tha se nuk votohen marrëveshjet ndërkombëtare për shkak se nuk ka kuorum, pasi që një pjesë e deputetëve nuk po marrin pjesë në votim.

Këto katër marrëveshje që dështuan të miratohen sot janë:

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

– Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

– Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

– Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze. 

Miratohet Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Nga 85 deputetë të pranishëm në sallë, 63 deputetë vetëm morën pjesë në votim.

Nga ta 58 deputetë votuan pro, 1 votë ishte kundër dhe 4 abstenime.

I njëjti Projektligj kishte dështuar të miratohej në Kuvend për tri herë radhazi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me këtë Projektligj rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat