Analistët e shohin të dështuar strategjinë e Lajçakut

Aktuale

Analistët e shohin të dështuar strategjinë e Lajçakut

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 22:39
Miroslav Lajçak

Analistët nga Kosova, ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi, emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, e vlerësojnë si ndërmjetësues me strategji të dështuar politikisht. Por, ata e shohin të vështirë mundësinë e ndërrimit të ndërmjetësuesit.

Në jo pak raste emisari special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është vlerësuar i njëanshëm. Presioni i tij që Kosova të respektojë me ngulm marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja, ndërkohë duke i qenë i butë me Serbinë që nuk është zotuar për zbatim të asnjë marrëveshjeje e që gjithë kohës thotë se nuk do të njohë shtetin e Kosovës, e bëjnë Lajçakun një ndërmjetësues me strategji të dështuar politikisht, thonë analistët.

“Karriera e Lajçak është e stisur me shumë tituj, por në 'background'-in e tij ka shumë dështime. Do të mbahet mend si përfaqësues që e njihte mjaft mirë gjuhën serbe dhe për deklaratën e tij që Kushtetuta nuk është Bibel dhe ajo mund të ndryshohet. Ndërkohë që ajo që me lehtësi mund të ndryshohet është një ndërmjetësues i cili mund ta lë këtë post me një dështim në tavolinën e bisedimeve, ngaqë kryesisht mbahet mend për presionin që i ka bërë Kosovës me kërkesat ekskluzive të Vuçiqit”, thotë analisti Xhevdet Pozhari.

Sllovaku  Miroslav Lajçak  ishte shtyrë përpara si emisar dialogu nga shteti gjerman, me idenë se ndoshta ky pozicion i tij do ta bëjë shtetin e tij të njohë pavarësinë e Kosovë, thotë analisti Blerim Canaj.

Por, ai thotë se do të jetë e vështirë ta bindim bashkësinë ndërkombëtare që dialogun ta ndërmjetësojë dikush tjetër, raporton RTK.

“Ne pamë mos aftësinë ose mos-dëshirën e tij që të ecë më ndryshe prej kësaj se si ka ecë dialogu, dhe në qoftë se flasim për atë se a do të duhej të kemi një person tjetër si ndërmjetësues, do të mund të thosha po, por a ka kushte që të ndodhe kjo, atëherë mendoj se ne si diplomaci duhet të funksionojmë më ndryshe”, tha ai.

Tutje, shprehet Canaj, ne do ta kemi problem ta bindim bashkësinë ndërkombëtare që ta kemi një person tjetër pos Lajçakut.

Ndryshe, dy zyrtarët kryesor të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Borrell e Lajçak, vijnë nga Spanja dhe Sllovakia, nga shtete që nuk njohin pavarësinë e Kosovës.  Kryeministri Albin Kurti, kohët e fundit, është ankuar për qasje të padrejtë në dialog dhe anshmëri të ndërmjetësuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat