Radoiçiq heq dorë nga pronësia e kompanive në Serbi, ja kujt ia transferon

Aktuale

Radoiçiq heq dorë nga pronësia e kompanive në Serbi, ja kujt ia transferon

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 18:02
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, Fotografi nga arkivi.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, ka hequr dorë nga pronësia e kompanive në Serbi, u tha në ueb-faqen e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

Siç u tha në njoftim, Radoiçiqi ka transferuar 40 për qind të aksioneve të tij që kishte në pronësi te kompania Inkop, përkatësisht te partnerët e tij të biznesit, vëllezërit Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Inkop ka në pronësi disa kompani simotra që në të kaluarën kanë fituar tenderë nga buxheti i Serbisë, por edhe pasuri të tjera sa i përket pajisjeve dhe pronave të paluajtshme.

Edhe para sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shkurt, që Kosova e cilëson si sulm terrorist, autoritetet në Kosovë e kanë lidhur emrin e Millan Radoiçiqit me aktivitete kriminale.

Edhe Zvonko Vesellinoviq është lidhur me krime në Kosovë.

Sulmi në Banjskë nga Serbia nuk po trajtohet si akt terrorist dhe Millan Radoiçiq nuk është akuzuar për vrasjen e policit kosovar, Afrim Bunjaku, gjatë paraqitjes para Zyrës së Prokurorisë së Lartë në Beograd.

Në mesin e krimeve për të cilat ai dyshohet se ka kryer janë shkaktimi i rrezikimit të publikut dhe posedimi i paligjshëm i armëve.

Radoiçiq dhe vëllezërit Vesellinoviq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Por, Serbia ka thënë se nuk e ka obligim ndërkombëtar që t’i respektojë këto masa ndëshkuese.

Ata u vendosën nën sanksione të SHBA-së në dhjetor të vitit 2021 nën dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat