Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në koordinim me SHBA-në

Aktuale

Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në koordinim me SHBA-në

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 12:39
Foto ilustrim

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka mbajtur dëgjim publik për projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Deputetë dhe përfaqësues të institucioneve kanë diskutuar për rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të inteligjencës, marrë parasysh kërcënimet e fundit dhe agresionin serb.

Kryesuesi i grupit punues të këtij projektligji, deputeti Enver Dugolli theksoi se ky institucion do të jetë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Dugolli: Tash po e bëjmë inteligjencën në kuadër të MB-së

“Ne e kemi AKI-në që është institucion edhe kushtetues edhe ligjor, inteligjencë kemi tek policia, inteligjencë kemi edhe tek dogana, prandaj tash po e bëjmë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe, është shumë me rëndësi që në këtë fazë të diskutojmë sepse jemi bash në momentin e duhur që ta bëjmë ligjin sa më të mirë dhe sa më të zbatueshëm edhe që të mos ketë më pastaj në zbatim probleme ku shfaqen sa i përket kompetencave, raportimit dhe sa i përket aspekteve tjera profesionale”, deklaroi ai.

Ai ka pyetur përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes për modelin që është përzgjedhur për krijimin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Gjenaral Gëzim Hazrolli tha se në diskutim me partnerin amerikan janë pajtuar që trajnimin e stafit dhe ngritjen e kapaciteteve ta bëjnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hazrolli: Kemi vendosur që në vitin e parë të draftojmë politikat e zhvillimit të këtij kapaciteti

“Bazuar në një plan që është bërë me lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ne kemi marrë vendim që në vitin e parë ta draftojmë dhe të aprovojmë politikat e zhvillimit të këtij kapaciteti, që është draftuar dhe aprovuar. Viti i dytë ka qenë draftimi i koncept-dokumentit bazuar në legjislaturën që kërkohet për mbarëvajtjen e krijimit të legjislaturës në vend dhe është draftuar dhe miratuar koncept-dokumenti nga Qeveria e Kosovës. Dhe viti i tretë ka qenë planifikim që të draftohet Ligji për ngritjen e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Në kontekst të kësaj, dua të përmend që gjatë gjithë fazave, grupet punuese kanë qenë të ftuar të gjithë akterët vendor që draft-ligji qysh në fazat e para të ketë imputet e nevojshme”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Kosova është vendi i fundit në rajon që nuk ka këtë model për informacionin.

Hazrolli: Kohëve të fundit kemi pasur agresion të hapur

“Sot Ministria e Mbrojtjes dhe FSK ka një kapacitet të inteligjencës, ky kapacitet është i koncentruar në të gjitha nivelet, nivelin taktik-operacional dhe strategjik dhe ne jemi duke prodhuar për çdo ditë ose në vazhdimësi atë sa kemi mundësi që lidershipin tonë ta pajisim dhe ta ndihmojmë me informacion të nevojshëm për marrjen e vendimeve në kohë dhe vendimeve të drejta. Në aspektin e nevojës të përshpejtimit të kësaj, kërcënimet dhe rreziqet globale dhe rajonale dhe në vendin tonë janë për çdo ditë të nivelit ose të aspektit të tillë, që duhet të jemi shumë vigjilent dhe të nevojshëm që të prodhojmë inteligjencë për shkak që kërcënimet janë duke ndryshuar formë dhe impakt në përditshmëri. Dhe jemi të vetëdijshëm që kohëve të fundit kemi pasur ballafaqim dhe kemi pasur kërcënime të tilla, që kanë kërcënuar vendin me një agresion të hapur, që është fushë që duhet ta analizojmë shumë mirë dhe t’i përgjigjemi me kapacitet që ka nevojë”, shtoi ai.

Këshilltari ushtarak i kryetares së shtetit, Sefer Isufi theksoi se presidentja dhe kryeministri do të interferojnë në përmbajtjen dhe qëllimin që ka agjencioni.

Isufi: Autoriteti i presidentes dhe kryeministrit interferon në përmbajtjen e agjencionit

“Edhe një çështje që është relevante që detyrimisht na interferon në kuadër të këtij ligji nga autoriteti kushtetues i presidentes, është edhe autoriteti që e merr vendimin apo e dekreton drejtorin e këtij agjencioni. Grada e drejtorit është gjeneralbrigade, detyrimisht autoriteti i presidentes dhe kryeministrit interferon edhe në përmbajtjen edhe qëllimin që ka agjencioni. Kështu që ne të gjitha këto çështje do t’i analizojmë, vlerësojmë dhe do t’i adresojmë në kuadër të grupit që do të punojë në vazhdim”, deklaroi ai.

Mbështetje për këtë projektligj ka dhënë edhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë, ku u tha se do të ndajnë përvojën dhe trajnimet.

DEK: Duhet të ketë strukturë të grumbullimit dhe analizimit të informacionit

“Sa i përket shqetësimit që është struktura e njëjtë, cikli i informacionit të rrjedhjes dhe grumbullimit por edhe trajtimit njëfarë forme t’i determinon disa struktura që janë më shumë se të domosdoshme. Tash nëse është agjenci, patjetër që duhet të ketë një strukturë të grumbullimit, një strukturë të drejtimit dhe një strukturë të analizimit të informacionit. Kërcënimet nga jashtë, muri i jashtëm është më shumë se i domosdoshëm, qysh dje është dashur ta kemi, por tjetër që disa procese na determinojnë që ta bëjmë apo t’i funksionalizojmë më vonë”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat