​20 studente përfundojnë programin për inxhinieri

Aktuale

​20 studente përfundojnë programin për inxhinieri

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 15:15
Pamje nga ceremonia

20 studentë kanë përfunduar me sukses programin Global Engineer Girls, ngjarje në fushën e arsimit dhe zhvillimit profesional të vajzave të reja inxhiniere. Ngjarje kjo e cila u vlerësua si arritje e veçantë për vendin, dhe dëshmi se si vajzat dhe gratë mund të arrijnë karrierë të suksesshme në inxhinieri.

Në ceremoninë e diplomimit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka theksuar rolin e rëndësishëm që janë vajzat dhe gratë në shoqëri.

Osmani derisa ka falënderuar studentët për angazhim, tha se të njëjtat janë shembulli më i mirë i potencialit të rinisë që ka Kosova.

“I gëzohem përherë ngjarjeve të tilla, të cilat në qendër kanë gratë dhe vajzat e reja dhe sukseset e tyre të pandalshme. Programet, si GEG, janë iniciativa të shkëlqyeshme që mbështesin vajzat dhe gratë që kanë vendosur të ndjekin karrierën e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikes. Fushat STEM kanë inspiruar përherë inovacionin anembanë globit duke thyer kufijtë e njohurive njerëzore dhe duke i dhënë formë botes ku jetojmë... Është koha për të siguruar që çdo mendje e ndritur të këtë mundësinë të barabartë marrë pjesë në këtë rrugëtim pavarësisht gjinisë dhe dallimeve tjera. Ne të gjithë jemi të përkushtuar që të nxisim një mjedis ku secili individ ka mundësinë për të kontribuar drejt adresimit të sfidave të mëdha të kohës sonë... Derisa është inkurajuese që numri i studentëve në fushat STEM në institucionet arsimore të Kosovës vazhdon të jetë në rritje, është e domosdoshme të punojmë së bashku në zvogëlimin e hendekut gjinor në perspektiven e punësimit... Këto vajza të reja janë shembulli më i mirë i potencialit të rinisë sonë, sukseset e të cilave nuk njohin kufi... Është detyrë e jona të krijojmë një mjedis ku çdo vajzë lirshëm dhe pa frikë e pa hezitim mund të thotë unë dua, unë mund dhe do të arrijë", tha Osmani.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angilo tha se Kosova është një ndër shembujt më të mirë që mund të marrin vendet e Evropës për respektimin e barazisë gjinore, dhe punën e vajzave dhe grave në vend.

"Është e rëndësishme, sepse pa barazinë gjinore dhe pa mbrojtur të drejtat e njeriut nuk është e mundur të arrijmë për një shoqëri, zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë... Kosova është një Republikë e re, me një histori 15-vjeçare të pavarësisë si Republikë, Kosova ka pasur dy gra presidente, ku njërën e kemi në mesin tonë. Pra, Kosova është një shembull jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë Evropën", tha Angilo.

Përfaqësuesja e 20 të diplomuarave, Eriona Ahmeti në emër të grupit ka falënderuar për mundësinë.

Ajo ka inkurajuar të gjitha vajzat dhe gratë që kanë pasion këtë drejtim të angazhohen, pasi sipas saj, është program mjaft i qëlluar.

"Jam një ndër vajzat me fat që kam qenë pjesë e programit. Ka qenë një program shumë i qëlluar dhe i nevojshëm, sepse përmes mbështetjes së GEG ne jemi inkurajuar t'i ndjekim ëndrrat tona, të shohim përtej stereotipive gjinore që jemi mësuar t’i shohim në veçanti në fushën që studiojmë ne. Përfshirja në këtë program më ka dhënë mundësinë të shoh më tej perspektivën e inxhinierisë, të shoh impaktin që mund të kemi ne si inxhinieret e ardhshëm. Kemi mësuar shumë gjatë këtij rrugëtimi, prandaj inkurajoj të gjitha vajzat tjera që kanë pasion fushat e STEM-it e të inxhinierisë të ndjekin një karrierë të tillë", tha Ahmeti.

Ndryshe, kjo ngjarje u përmbyll me një pikë artistike nga tenori me famë botërore, Ramë Lahaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat