Konjufca dhe dy deputetë të VV-së votojnë pro futjes në rend dite të Rezolutës për Policinë/ Mirëpritet rezoluta e PE-së

Aktuale

Konjufca dhe dy deputetë të VV-së votojnë pro futjes në rend dite të Rezolutës për Policinë/ Mirëpritet rezoluta e PE-së

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 18:32 më 19.10.2023
Blerta Deliu

Përfundon seanca, nuk ka kuorum

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.

Legjislativi s’pati deputetë të mjaftueshëm për të hedhur në votim Projektligjin për kodin doganor dhe të akcizës.

Prandaj, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme plenare.

Megjithatë, gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjit për shërbime sociale dhe familjare dhe Projektligjin për falimentimi

Kuvendi që s’po voton “asgjë” – dështojnë disa emërime, projektligje e marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës, ka dështuar që të emërojë tre anëtarët vendor në Këshillin Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Të tre anëtarët ishin me gradë Doktor Shkence, por të njëjtit nuk arritën që të marrin votat e deputetëve, pasi në votim morën pjesë 59 deputetë, ku 58 ishin për dhe një votë ishte abstenuese.

Tutje, kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, tha se dy marrëveshje ndërkombëtare duhet të shtyhen, pasi dy grupe parlamentare s’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Edhe marrëveshja e tretë është e pamundshme, është ajo mes MAShT-it dhe ambasadës në Francë për bursat e studentëve të masterit”, tha Konjufca.

Vota nuk mori as Progjektligji për Tekste Shkollore, ku votuan vetëm 57 deputetë, e që në këtë projektligj nuk morën pjesë as një pjesë e shumicës parlamentare.

“As pikën e 8 nuk mund ta votojmë sepse është marrëveshje ndërkombëtare e as marrëveshjen ndërkombëtare mes Kosovës dhe Danimarkës”.

“Pastaj pika 10 dhe 11 janë prapë marrëveshje ndërkombëtare, është shqyrtimi i projektligjit për aderimin e Kosovës në Konventën e Importit të Përkohshëm. S’janë kushtet objektive për t’i votuar, tha Konjufca.

Në kuvend nuk mori vota as marrëveshja ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Tregut të Vetëm.

Konjufca tha se “e di që është keq për Kosovën, por nuk janë 80 vota në kuvend dhe se ky është qëndrimi i grupeve”.

Formohet komisioni për përzgjedhjen e tre anëtareve të bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës e ka formuar komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e tre anëtareve të bordit të RTK-së.

Kryetari  i kuvendit, Glauk Konjufca tha se këta anëtarë janë nga radhët e komunitetit shqiptar.

Ky komision do të veprojë në përputhje m Ligjin për RTK-në dhe me kohë, ky komision do t’ia paraqes kuvendit raportin me rekomandime.

71 deputetë morën pjesë në votim, të gjithë ishin për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo ndonjë abstenim.

Përveç Konjufcës, edhe dy deputetë të VV-së votojnë pro futjes në rend dite të Rezolutës për Policinë

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka propozuar që me rikthimin e mazhorancës në senacë, në rend dite të futet sërish Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Përveç opozitës që votuan pro, edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe dy deputetë nga radhët e VV-së, njëri nga ta Eman Rrahmani.

Kundër nuk kishte, ndërsa deputetët e VV-së, abstenuan.

“Po e kanë shumë vështirë t’i numërojnë abstenuesit, pasi nuk është abstenim i vendosur”, tha me shaka Konjufca.

“70 deputetë morrën pjesë ne votim, 32 e përkrahen plotesimin e rendit te ditës dhe 38 e abstenuan, kështu që konstatoj nuk kalon kjo pikë e propozuar nga PDK”, tha Konjufca.

​Kuvendi mirëpret rezolutën e PE-së për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mirëpritur miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në seancën e sotme plenare, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, tha se rezoluta e PE-së duhet të jetë një pikë kthesë për institucionet e Bashkimit Evropian për të parë se Serbia dëshiron vetëm destabilizimin e rajonit.

“Sot Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për dënimit e sulmit në Banjskë pasi askush në familjen evropiane nuk ka luksin të merret edhe me një Putin në rajon dhe kjo rezolutë uroj të jetë një pikë definuese se në cilën karrige dëshiron Serbia të ulet”, tha ajo.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga institucionet e Kosovës që të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të nxjerrë në pah të vërtetën se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Madje ai kërkoi nga kryeministri Kurti që të koordinohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që Këshilli i Sigurimit të ketë një seancë të veçantë në lidhje me këtë temë.

“Dua të falënderoj dhe përgëzoj Parlamentin Evropian për miratimin e një rezolute jashtëzakonisht domethënëse për vendin tonë. Sot, PE-ja miratoi rezolutën ku shpreh shqetësime dhe dënon ashpër sulmin terrorist, i cili ndodhi në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator. Është e rëndësishme që ne së bashku të kemi një angazhim më të madh në nxjerrjen në pah rreth këtij sulmi dhe rreth të vërtetës për sulmin terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Tashmë janë shtuar zërat mbështetës edhe nga BE-ja që të kërkohet një hetim ndërkombëtar për këtë çështje...Kryeministri jonë do të duhej t’i kërkonte Republikës së Shqipërisë, e cila është anëtare e përkohshme dhe kryesuese e Këshillit të Sigurimit, që së bashku me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të angazhohet dhe të kemi një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, foli për samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë më 16 tetor.

Ai pyeti kryeministrin Kurti se çfarë investime konkrete ka sjellë nga ky samit, ndërkaq përmendi edhe deklarimin e presidentit francez Emmanuel Macron se Kurti dhe Osmani nuk po mbajnë fjalën e dhënë.

“Në një fjali presidenti Macron nuk u keqinterpretua. Ai tha se Kosova nuk po e mban fjalën e dhënë. A ka mundësi kryeministri i Kosovës të vijë dhe t’ju tregojë qytetarëve se për çfarë premtimi iu ka dhënë liderëve evropianë dhe për çka është zotuar si udhëheqës dhe për çka nuk po e mban fjalën”, tha ai.

Krahas kësaj në seancën e sot me plenare mazhoranca abstenoi që në rend të ditës të futet votimi i Rezolutës për Policinë e Kosovës, mirëpo kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca votoi pro saj.

​S’ka kuorum, nuk vihet në votim rezoluta për Policinë e Kosovës

Për shkak të mungesës së kuorumit, rezoluta për Policinë e Kosovës sërish nuk është vënë në votim.

Ndërsa, në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata nga kabineti qeveritar.

Ndërkohë pritet të fillojë seanca e re plenare ku në rend dite janë planifikuar të jenë 19 pika.

Tahiri, Qeverisë: Ju e doni policinë veç kur ju ngushtohet

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka adresuar një varg kritikash ndaj qeverisë dhe shumicës.

Tahiri pyeti se si është e mundur të tradhëtohet besimi qytetarë?.

“Do të kishim pasur dëshirë ta dëgjojmë tregimin e shumicës se çka mendojnë rreth tri kërksave të Partisë Demokratike të Kosovës, që janë listuar në rezolutën e opozitës”, tha Tahiri.

“Cila është arsyeja se pse nuk është paguar rrezikshmëria për disa muaj? A është se nuk ka buxhet? A nuk ka dije? A nuk ka vullnet? Apo këta e duan policinë veç kur ju ngushohet?”, tha Tahiri.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme ku po diskutohet për mbështetjen financiare të policisë.

Në seancë nuk po merr pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as qeveria e Kosovës.

Deliu-Kodra: FIT po e shqyrton mundësinë e largimit të përkohshëm nga policia

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë në foltoren e parlamentit se njësia më elitare e Policisë së Kosovës, FIT, është duke shqyrtuar largimin nga ky institucion për shkak të pakënaqësive.

“Ata janë pjesëtarët që morën pjesën në aksionin e 24 shtatorit. FIT po konsideron largimin e përkohshëm”, është shprehur Deliu-Kodra.

“Është e njëjta njësi që refuzoi pjesëmarrjen në ‘Darkën e Lamës’ e ftuar nga presidentja Osmani”.

​PDK kërkon miratimin e rezolutës për Policinë e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme ku nuk po marrin pjesë deputetët e Vetëvendosjes, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj gjatë prezantimit të rezolutës, tha se miratimi i saj është dëshmia më e mirë e përkushtimit për mbështetjen e Policisë së Kosovës në kohën kur puna profesionale e tyre i bënë krenar të gjithë.

Përmes kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat për rrezikshmëri, të kenë policia me sigurim shëndetësor dhe t’u mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.

Qalaj derisa ka prezantuar Rezolutën tha se kjo parti bashkë me opozitën, të vetmin qëllim kanë të mbështesin Policinë.

Qalaj: Miratimi i Rezolutës është dëshmia më e mirë e përkushtimit për mbështetjen e PK-së

“Të vetëdijshëm për rolin kyç të PK-së, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Kosovës, duhet të veprojnë të gjithë njerëzit përballë domosdoshmërisë për të mbështetur përveç moralisht edhe financiarisht nevojat që kanë zyrtarët e saj. Për këtë qëllim PDK ka iniciuar një draft rezolutë e mbështetur nga gjithë deputetet e opozitës dhe deputetë tjerë që janë në këtë parlament, dhe mendoj se sot është dita më e mirë që përveç të diskutojmë edhe të miratojmë rezolutën në fjalë. Është dëshmia e përkushtimit për mbështetjen e PK-së në kohën kur puna profesionale e tyre na bënë krenar të gjithëve. PDK por edhe opozita të vetmin qëllim kanë që me ketë Rezolutë ta mbështesin PK-në.”, tha Qalaj.

Deputeti Qalaj përmendi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, dhe suksesin e policisë në përballje me terroristët serbë.

Qalaj: Terroristët u zbuluan, u penguan, luftuan dhe u munden nga Policia e Kosovës

“Me 24 shtator shteti i Serbisë tentoi aneksimin e një pjese të Kosovës, ajo shkeli integritetin territorial të Republikës së Kosovës duke futur në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale një formacion paraushtarak. Ky formacion kreu një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ky formacion i stërvitur në Serbi, i mbështetur me logjistikë, i financuar nga shteti serb, padyshim se ishte i sponsorizuar nga shteti i Serbisë. Terroristët u zbuluan, u penguan, luftuan dhe u munden nga Policia e Kosovës, disa ua rreshtuan, disa u eliminuan e disa të tjerë arritën të ikin nga Kosova. Ishin Policët e Kosovës ata që me përkushtim të pashoqë, me vetëmohim dhe përgjegjësi të lartë, me një guxim të madh, e një profesionalizëm të rrallë, i dolën përballë këtij formacioni paraushtarak terrorist. Në mbrojtje ra heroi i Kosovës, Afrim Bunajku dhe u plagos një polic tjetër. Të tillë kanë qenë PK që nga themelimi. Të kujtojmë operacionin e PK-së në veri të vendit në vitin 2011, të kujtojmë daljen e futjes se trenit serb në Kosovë, të kujtojmë shumë e shumë raste tjera të luftës kundër narkotikëve e krimit të organizuar, të kujtojmë edhe policët që dhanë jetën duke ofruar siguri popullit të Kosovës”, vijoi Qalaj.

Qalaj ka shprehur sërish shqetësimin e tij lidhur me mosekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë.

Qalaj: Mos ekzekutimi i shtesave për PK është vendim i padrejtë

“Fatkeqësisht nga hyrja në fuqi me 5 shkurt 2023 e ligjit për paga në sektorin publik, zyrtari policor i është ndaluar shtesa e rrezikshmërisë, shtesë kjo që gjithmonë e kanë marrë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre e të familjes, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave për rrezikshmëri që kanë marrë PK ka qenë 16 milion në vit, që nëse ndajmë në muaj i bie mbi 1 milion e 300 mijë. Që nga fillimi i ndalimit të kësaj shtese ka pasur paqartësi dhe premtime të mbajtura nga zyrtaret qeveritar. PK është në pritje të ekzekutimit të kësaj pengese”, shtoi Qalaj.

Ndërkaq, në këtë seancë nuk po marrin pjesë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

Haliti kërkon nga Sveçla të tregojë se nga kush e si është kërcënuar Presidentja Osmani

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, është shprehur se është i shqetësuar me pretendimet për kërcënim ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Për këtë ai ka kërkuar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që të raportojë para deputetëve.

“Duhet ta dimë se është arrestuar dikush për kërcënim. Shqetësimi më i madh sot për sot është ta dimë se nga kush është kërcënuar presidentja”, është shprehur Haliti.

“A janë marrë masa ndaj personave/personit, duhet ta dimë a është kërcënuar me telefon, SMS, gojarisht nga dikush. Ky është problemi që do të doja ta diskutoja sot”, ka thënë Haliti në seancën ku po flitet për policinë.”

“Do të doja që Ministri i Brendshëm të raportonte për këtë, sepse opinioni ka ngelur në interpretime të ndryshme pa pasur informacion zyrtar”.

Për kërcënim ndaj saj ka folur vetë Osmani në konferencën ku ka treguar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat