Rambuje e Vjena na tregoi se na duhet koordinimi me miqtë ndërkombëtarë

Aktuale

Rambuje e Vjena na tregoi se na duhet koordinimi me miqtë ndërkombëtarë

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 22:14
Fatmir Sejdiu

Kosova duhet të jetë në koordinim me faktorin ndërkombëtar në procesin e dialogut me Serbinë, thotë Fatmir Sejdiu, President i Kosovës gjatë mandatit 2006-2010.

Ai u pyet se si duhet të veprohet në rast se Kosova e pranon zbatimin e marrëveshjes, por jo edhe Serbia, Sejdiu tha Kosova duhet të paraqes ide që janë të favorshme për subjektivitetin e shtetit, por të konsultuara me ndërkombëtarët.

“Kosova duhet të ketë ide të cilat janë të kapshme, së pari për pozitën e institucioneve dhe vetë subjektivitetit të Kosovës dhe natyrisht të konsultuara edhe më faktorin ndërkombëtar”, tha Sejdiu.

Sipas tij, procesi i Rambujesë dhe ai i Vjenës, kanë treguar se sa i rëndësishëm ka qenë për Kosovën koordinimi me miqtë ndërkombëtarë.

“Është Rambuje, që Serbia nuk ka pajtuar, megjithëse ka qenë një dokument shumë interesant… Kemi fazën e më vonshme të bisedimeve të Vjenës, kur prapë Serbia nuk ka pranuar Ahtisaarin, por është pala ndërkombëtare që ka qëndruar pas. Ka qenë garanci e SHBA-së, Bashkimit Evropian, që nëse Serbia nuk prano një ofertë, ne do të ecim hapin tjetër dhe ajo ka ndikuar që të kemi shpalljen e pavarësisë”, ka thënë Sejdiu.

Për presidentin e parë të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, është shumë e rëndësishme që Kosova mos ta humbas besimin e faktorit ndërkombëtar.

“E rëndësishme është të ndërtohet besimi dhe mos të humbet ai besim me faktorin ndërkombëtar, të cilit kanë qenë me Kosovën në proceset e rënda që kemi kapërcyer. Por kjo nuk do të thotë as për faktorin ndërkombëtar të tillë, pra të atyre vendeve që e kanë ndihmuar pa hile Kosovën, që ne te heqim dorë prej subjektivitetit tonë apo të dëmtojmë subjektivitetin tonë”, ka thënë Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat