Ambasadorja e Izraelit në OKB falënderon Prishtinën dhe Tiranën për mbështetje

Aktuale

Ambasadorja e Izraelit në OKB falënderon Prishtinën dhe Tiranën për mbështetje

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 13:42
Meirav Eilon Shahar dhe gazetari i Le Canton27.ch

Sheshi para Pallatit të OKB-së që dikur ishte një “tokë e shkelur” në kohën kur Kosova ishte një “tokë e djegur” nga okupatori serb, shqiptarët e Kosovës kishin zhvilluar mbi 100 protesta kundër masakrave, krimeve, dhe diskriminimit të shqiptarëve etnik në Kosovë.

Por tash ky shesh, pas pavarësisë së Kosovës, duket se është lënë për palestinezët, izraelitët, dhe popujt tjerë për të protestuar kundër krimeve, masakrave, regjimeve, dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në vendet e ndryshme në botë.

Kështu, nën organizimin e Asociacionit Zvicër-Izrael, mbrëmje para Pallatit të OKB-së u mbajt një manifestim simbolik për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi. Në këtë manifestim ishte prezentë edhe ambasadorja e Izraelit në OKB, znj. Meirav Eilon Shahar.

Ajo për gazetën zvicerane në shqip “Le Canton27.ch”, tha se nuk kalon asnjë ditë në Gjenevë, pa njerëzit që ia kujtojnë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Kombeve të Bashkuara për detyrën e tyre për të vepruar për lirimin e 239 pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi.

E pyetur për situatën në Kosovë, ajo ka vlerësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit janë të mira dhe ka shprehur që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe luftës mes Izraelit dhe Hamasit, ajo ka falënderuar vendet e ndryshme të botës, duke theksuar solidarizimin për Izraelin, i cili shprehet në shumë vende, përfshirë këtë protestë simbolike sot në Gjenevë për lirimin e 239 pengjeve.

Ambasadorja izraelite në OKB, duke folur për mbështetjen e popujve, ka shprehur falënderimin e saj për solidarizimin e autoriteteve dhe popullit shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri.

“Ne nuk mund ta harrojmë historinë. Nëse kthehemi disa dekada mbrapa, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, nëse kujtojmë mikpritjen dhe strehimin e hebrenjve nga ana e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, ne jemi mirënjohës për këtë mikpritje, për çka nuk do ta harrojmë kurrë. Prandaj e falënderojmë nga zemra popullin shqiptarë për bujarinë e tyre që treguan ndaj vëllezërve dhe motrave tona atëbotë. Njëkohësisht, përveç popullit, ne falënderojmë edhe qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetjen dhe solidarizimin e tyre me ne sot, në këto kohë të vështira…” ka thënë ambasadorja e Izraelit në OKB, znj. Meirav Eilon Shahar, për gazetën zvicerane në shqip “Le Canton27.ch.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat