S’ka kuorum, shtyhet për seancën e radhës rekomandimi për shkarkimin e Agron Bekës nga KPK-ja

Aktuale

S’ka kuorum, shtyhet për seancën e radhës rekomandimi për shkarkimin e Agron Bekës nga KPK-ja

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 14:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të enjten të miratojë rekomandimin për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kjo pasi Kuvendi nuk ka pasur kuorum kur është vënë në rend të ditës propozimi për shkarkimin e Bekës. 60 deputetë morën pjesë në procesin e votimit për shkarkimin e anëtarit të KPK-së, vota të cilat ishin të pamjaftueshme për të konstatuar vendimmarrjen e plotë.

Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, ka thënë se votimi për shkarkimin e Bekës kalon në seancë tjetër pasi sot s’ka kuorum.

“Nuk ka kuorum për shkarkimin e z. Beka. Kalon në seancën tjetër”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca, duke shpjeguar se për t’u shkarkuar anëtari i KPK-së duhen 61 vota për.

Paraprakisht, sot deputeti Adnan Rrustemi ka thënë se anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës Agron Beka ka bërë shkelje etike.  Sipas tij, qëndrimi i Bekës në KPK është imazh i keq për Kuvendin e Kosovës.

“Në një situatë tjetër z. Agron Beka do të duhej të jepte dorëheqje”, ka thënë Rrustemi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe më 19 tetor, në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte shqyrtuar rekomandimin për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së.Më 25 shtator të këtij viti është miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. 

Inicimi erdhi pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar më 18 shkurt 2023 me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Në hulumtimin “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, nga emisioni “Betimi për Drejtësi”, shpërfaqej se si Agron Beka kishte ushtruar ndikimin e tij si anëtar i KPK-së për polemikat në Universitete që nuk ndërlidheshin me punën e tij në KPK.

Pasi atij iu ishin kërkuar raportet për orët e mbajtura në universitet, kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku kishte ndërhyrë, duke iu drejtuar Fakultetit Juridik të UMIB me dy shkresa të veçanta në mbrojtje të Bekës.

Madje, Beka kishte thënë se atij po i pengohet puna e tij si anëtar i Këshillit dhe se këto do t’i ngriste në mbledhjet e KPK-së.

Pas publikimit të hulumtimit, Agron Beka kishte filluar një fushatë persekutuese ndaj Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Betimi për Drejtësi. Beka ka shfrytëzuar takimin e hapur të KPK-së për ta bërë këtë, përkundër faktit se i njëjti ka refuzuar vazhdimisht ftesat e “Betimi për Drejtësi” për t’u intervistuar në këtë emision dhe për të dhënë versionin e tij.

Për më shumë, ndiqeni hulumtimin ku Agron Beka ishte protagonist në emisionin “Betimi për Drejtësi”, duke u shpërfaqur përmes kallëzimeve penale si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë ushtrimit të funksionit në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat