Shtyhet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit dhe të tjerëve

Aktuale

Shtyhet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit dhe të tjerëve

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Prishtinë-Në mungesë të akuzuarit Aleksandar Ackoviq,  të enjten ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për korrupsion.

Në këtë rast, aktakuza ngarkon Jabllanoviqin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mungesën e të akuzuarit Ackoviq, e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Faton Qirezi i cili tha se i njëjti mungon për shkaqe shëndetësore dhe për këtë gjykatës i prezantoi edhe raportin mjekësor.

Gjithashtu në këtë seancë, i pranishëm nuk ishte as dëshmitari Radush Mihajloviq, i cili sipas gjykatëses Violeta Namani ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Ndërkaq, në këtë seancë ishte planifikuar që  të dëgjoheshin dëshmitarët Andrea Iganiatoviq, Radush Mihajloviq, ndërsa në pjesën e pasdites dëshmitari Fatos Fejzullahu.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë, kurse ajo e radhës pritet të mbahet më 27 nëntor 2023.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” si dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë  vjet. Aktakuza e plotë KETU

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat