Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët, a ndryshon vlera?

Aktuale

Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët, a ndryshon vlera?

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 06:59 Përditësuar në ora: 16:01 më 16.11.2023
Qeveria e Kosovës

Të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Mbledhja ka filluar rreth orës 10:00.

Në këtë mbledhje Qeveria ka miratuar:

– Miratuar Projektligjin për ndryshmin dhe plotësimin e Ligjeve që Përmbajnë Procedura të Veçanta Administrative dhe Harmonizimin e tyre me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Faza e Dytë. Përmes tij do të sigurohet garantimi i respektimit të parimeve të përgjithshme dhe niveli i mbrojtjes së të drejtave dhe interesave juridike të palëve.

– Miratuar vendimin për listën e pozitave për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës, përkatësisht shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Këto shtesa do të fillojnë së aplikuara nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Paga, ato do të ndahen në mënyrë retroaktive. Me miratimin e këtij vendimi pritet të përfitojnë 7991 zyrtarë policorë.

– Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 09/ 67 të datës 9 mars 2022 për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava, Sh. A. Gjilan. Përzgjedhja e kryesuesit të Bordit të ndërmarrjeve publike është kompetencë e Qeverisë, andaj për Bordin e ndërmarrjes publike Hidromorava, në kuadër të riformatimit të Bordit si dhe të rishpërndarjes së përgjegjësive brenda bordit, kryesuese e Bordit të drejtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit Hidromorava Sh.A, Gjilan, caktohet Filloretë Gashi Sadiku, ndërsa kryesuesi i deritanishëm caktohet anëtar i këtij Bordi.

– Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronës së paluajtshme, ish-shoqërore P. Sh. IGK “Ballkan” Njësia Damper, (ish Kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me përfundimin e procedurave të shpronësimit sipas hapave ligjore të ndërmarra nga MMPHI do të kompensohen në vlerën prej 20% të shumës edhe punëtorët e ish-fabrikës “Ballkani”.

– Ndryshuar dhe plotësuar Programin vjetor 2023 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

– Miratuar vendimin për blerjen e objektit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg të Francës. Ky vendim i hap rrugë fillimit të procedurave të blerjes ashtu siç parashihet në legjislacionin respektiv në fuqi.

Qeveria e cakton kryesuesen e Bordit të KRU “Hidromorava”

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për plotësimin e Bordit të KRU “Hidromorava Sh.A”, në Gjilan.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se kryesuese e Bordit do të jetë Filloretë Gashi-Sadiku.

Ndërsa kryesuesi i deritanishëm të caktohet anëtar i këtij Bordi.

Qeveria në mbledhje të mbyllur për rezervat shtetërore – Kurti: Qeveritë paraprake bënë planifikim të varfër

Qeveria e Kosovës ka kaluar në mbledhje të mbyllur për të diskutuar lidhur me programin vjetor 2023 për rezervat shtetërore të mallrave. Para se të kalohet në mbledhje të mbyllur, kryeministri Albin Kurti kritikoi qeveritë paraparke, për të cilat tha se kanë bërë planifikim të varfër në këtë drejtim.

Kurti tha se janë ndërmarrë një sërë reformash në këtë fushë, për të siguruar mirëqenien e qytetarëve.

“Pika e pestë është shqyrtimi i propozimit-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e programit vjetor 2023 për rezervat shtetërore të mallrave. Për të siguruar mirëqenien e qytetarëve tanë, kemi ndërmarrë një sërë reformash. Politikat tona janë reflektuar përmes ndryshimit të ligjeve, duke siguruar kështu standard të caktuar minimal për avansimin e politikave”.

“Ndër këto, kemi siguruar edhe buxhet shtesë dukshëm më të lartë në krahasim me planifikimin e varfër të qeverive paraprake për sigurimin e rezervës shtetërore, buxheti i këtillë ka reflektuar edhe me ndryshim të programit vjetor të rezervave shtetërore të mallrave. Në dritën e këshillave nga institucionet përgjegjëse të sigurisë, të dhënat e këtilla nuk do të bëhen publike, por sipas legjislacionit përkatës në fuqi, do të klasifikohen”.

“Para se t’ia kalojë fjalën Ministres Rozeta Hajdari e cila do ta bëjë shpalosjen e e programit vjetor 2023 për rezervat shtetërore të mallrave, e lus administratën që nga tani e tutje mbledhje ta mbahet e mbyllur me praninë e kabinetit qeveritar me të drejtë vote”.

Miratohen në Qeveri shtesat e rrezikshmërisë për policët, s’ndryshon vlera

Në Qeverinë e Kosovës është miratuar sot kalimi i shtesave për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë  së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se për kategorizimin dhe vlerën e shtesave janë dakorduar dje edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.

“Shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të propozohen për miratim sot. Dje kishim një takim me zv.drejtorin e PK-së, me pjesëtarë të Njësisë Speciale intervenuese. Diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë sonë për kategoriazimin dhe vlerën e shtesës së rrezikshmërisë. Në takim, me ministrin e MPB-së, Sveçla dhe MF-së, Murati i njoftuam dhe i siguruam ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë dhe të shtuar duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësisë së tyre”, tha ai.

E ministri i Financave, Hekuran Murati tha se vlera e shtesave do të jetë e njëjta me atë që është miratuar në mbledhjen paraprake të Qeverisë së Kosovës.

“Lista është pra ajo që është miratuar nga kryeministri në mbledhjen paraprake të Qeverisë”, ka thënë Murati.

Në mbledhjes e kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim që shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, të ketë 150 euro shtesa mbi pagën bazë.

“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”, pati thënë Kurti.

Sot mbledhja e Qeverisë, këto janë pikat e rendit të ditës

Sot mbahet mbledhja e 173-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në rend dite janë disa pika. 

Do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ndryshmin dhe plotësimin e Ligjeve që Përmbajnë Procedura të Veçanta Administrative dhe Harmonizimin e tyre me Ligjin Nr. 05/L-031 per Procedurën e Përgjithshme Administrative, Faza e Dytë (MPB)

Po ashtu do të bëhet shqyrtimi i Propozim-vendimit për miratimin e listës së pozitave për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës (MFPT) si dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/67 të datës 9 mars 2022 për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava, Sh. A. Gjilan.

 Qeveria do të bëj shqyrtimin e Propozim-vendimit Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronës së paluajtshme ish shoqërore P. Shy IGK Ballkan” Njësia Damper, (ish Kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat