“Të shtyrë nga matrapazët me pazare” – Familja e Agonis Tetajt me letër të ashpër drejtuar Gjykatës

Aktuale

“Të shtyrë nga matrapazët me pazare” – Familja e Agonis Tetajt me letër të ashpër drejtuar Gjykatës

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 15:25
Agonis Tetaj

Po vazhdon saga me gjykimin për vrasjen e të riut Agonis Tetaj në Deçan. Pas kthimit në rigjykim, familja e të ndjerit me disa letra kanë shprehur zhgënjimin e tyre me drejtësinë, duke i vlerësuar si të ndikueshëm e të korruptuar. Një tjetër letër ka shkuar në adresën e gjyqtarëve të këtij rasti më 14 nëntor.

Matrapazët që bëjnë pazare nëpër ambiente private po e ndikojnë rastin e zbardhjes së Agonis Tetajt. Kjo është vetëm një nga ankesat e familjes Tetaj, e cila nëpërmjet një letre të re ka shprehur shqetësimet për procesin gjyqësor të këtij rasti.

Për vrasjen e Tetajt ishte dënuar Shaban Gogaj për vrasje nga pakujdesia. Rasti është kthyer në rigjykim nga Apelit. Kohë më parë familja kishte publikuar edhe pamjet e kamerave ku shihej vrasja e Tetajt.

Në letrën e datës 14 nëntor të cilën e ka siguruar gazeta, avokati i familjes Berat Tmava, në emër të familjes ka shprehur shqetësimet e thella me rastin.

“Familja e dëmtuar Tetaj janë shprehur se është e turpshme dhe fyese që ju vazhdoni mbajtjen e seancave gjyqësore, duke mos prezantuar familja e dëmtuar, dhe jo për fajin tonë, por për shkak të gabimeve që jeni duke i bërë si Trup Gjykues, ndoshta edhe të shtyer nga "matrapazët" jashtë që i bëjnë pazaret rëndom nëpër ambiente private të cilat u faktuan po ashtu botërisht në të gjitha mediat në Kosovë”, thuhet në letër.

“Po ashtu gjatë këtyre ditëve i kemi përcjellur vendimet që po merren në Gjykatat e Kosovës, vetem tentim vrasja po dënohet 10 vite, rasti i fundit në Gjykatën e Gjilanit ishte për vrasje të rëndë tre të akuzuar u denuan me 60 vite burg, ndërsa në rastin tonë që gjithqka është e pasqyruar qartë me videoincizim nuk po gjeni forcën që t’i jepni drejtësin e merituar rastit”, specifikohet në këtë letër.

Sipas letrës, familja Tetaj pretendon se trupi gjykues i ka vlerësuar padrejtësisht deklaratat e dëshmitarëve të manipuluara.

“Ju si trup gjykues, i konsideruat deklaratat e dëshmitaërve subjektiv të manipuluar, të cilët dhanë deklarata kontraverze në Polici, Prokurori dhe Gjykatë dhe me e rëndësishmja të gjithë këta dëshmitar janë familjar dhe punonjës aktualisht në biznesin e kryesit ë vepres penale dhe ju ende po e humbni kohën në Gjykatore duke thirrur dëshmitarë të tillë në përpjekje për të provu arsytimin e një vendimi të paragjykuar”, thuhet në këtë letër.

Familja ka renditur edhe provat të cilat sipas tyre, tregojnë qartë se si është vrarë i riu Agonis Tetaj.

“Videoinqizimi i ditës kritike, i cili pasqyron në detaje veprimet e të akuzuarit, i cili me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn, provë e pakontestueshme. Të cilen provë e përshkruan në mënyrë tepër profesionale ekspertet e Fornzikës dhe me të gjitha pershkrimet e tyre konstatohet se vrasja është kryer me dashje dhe kryesi I vepres penale i kishte të gjitha elementet e përdoruesit professional të armës së zjarrit. Videoincizimin e momentit kritik e ka parë e tërë Kosova dhe janë shokuar i tërë populli në emër të cilit kjo Gjykatë nxori vendimin. Vetëm një trup gjykues i ndikuar e pa integritet i mbylli sytë dhe nuk e konsideroj të rendësishme këtë prove”, thuhet aty.

Familja thotë se në këtë rast janë shkatërruar qëllimshëm disa nga provat.

“Dëshmitë e ekspertëve, Fejsal Salihu dhe Lutfi Raci nga institucionet e shtetit (forenizka dhe balistika),

Dëshminë e përgjegjësit për hetime në rajonin e Pejës, Agron Hasanaj, i cili dëshmoi se në momentin e mbërritjes në vendin e ngjarjes rryma ishte e ndalur më të vetmin qëllim që të manipulohen provat (videot). Dëshmitë e policit hetues Imer Hylaj, që deklaronte se janë kontaminuar provat, Dëshmitë e policëve të stacionit të Deçanit, të cilët hynë në vendin e ngjarjes pa autorizime dhe i prishen provat”, përfundon letra e familjes Tetaj.

Vrasja e Agonis Tetajt është një nga rastet që ende nuk është zbardhur nga drejtësia.

Shaban Gogaj më 12 qershor 2019 dyshohet ta ketë vrarë Agonis Tetajn. Pasi Gjykata e vlerësoi fillimisht vrasje nga pakujdesia, familja Tetaj kishte publikuar pamjet e tmerrshme ku shihej vrasja e Tetajt.

Por, kjo nuk bëri punë. Rasti u rihap, por në fund dënimi sërish u dha për vrasje nga pakujdesia me 7 vjet burg. Apeli e ktheu rastin në rigjykim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat