“Kosova e qetë nën mbrojtjen e NATO-s”, rekrutimi ushtarak në Serbi shihet si manovër politike

Aktuale

“Kosova e qetë nën mbrojtjen e NATO-s”, rekrutimi ushtarak në Serbi shihet si manovër politike

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 19:11
Pjesëtarë të KFOR-it në Jarinjë, veriu i Kosovës.

Ministrja e Mbrojtjes së Serbisë një ditë më parë ka bërë thirrje të hapur për të gjithë të rinjtë serbë që të aplikojnë për shërbim ushtarak të armatosur për vitin 2024.

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Afrim Veseli, ka komentuar thirrjen e Serbisë duke e konsideruar atë si një manovër politike.

Sipas tij, kjo thirrje e Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd ka rishpërfaqur politikën dyfytyrëshe të Serbisë, me qëllim të nxitjes së tensioneve në rajon.

Ai ka thënë se shqetësimet vijnë nga perceptimi se kjo mund të jetë një manovër politike e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që synon të forcojë shovenizmin serb dhe të përmirësojë imazhin e tij para zgjedhjeve.

“Kjo është në vazhdën e politikës dyfytyrëshe të Serbisë dhe Vuçiqit që të nxitë konflikte në rajon, më shumë mendoj se është një manovër e tij politike pasi ka hyrë në vitin e zgjedhjeve në Serbi për një ushqim shpirtëror të shovenzimit serb që e ka brenda, mbi të cilit edhe ka ardhur në pushtet, dhe se kjo nuk mendoj se do të paraqesë një problem lidhur me rrezikun për një agresion të mundshëm të Serbisë në Kosovë, pra konsideroj se më shumë është për konsum të brendshëm”, ka deklaruar ai.

Veseli ka theksuar se Kosova është në një gjendje të qetë dhe se forcat e NATO-s janë të angazhuara për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon.

“Ai në thirrjen e Ministrisë së Mbrojtjes që e kishte bërë që vullnetarisht të shkojnë rekrutët për ushtrime ushtarake për një periudhë të caktuar kohore, e kishte caktuar moshën deri në 30 vjet, pra ata nëse kanë buxhet le t’i thërrasin edhe gratë edhe pleqtë deri në moshën 90 vjet, kjo mbetet çështje e tyre. Kosova është e qetë, jeton në paqe dhe përkujdesën mbrojtësit e saj, NATO”, ka deklaruar Veseli.

Mbi 4 mijë trupa, nga 27 vende të botës, shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR.

Gjatë tetorit, KFOR-it, që udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutash, iu bashkuan 134 trupa shtesë nga Rumania dhe 200 pjesëtarë të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat