“Kosova projekt i përkohshëm!”, Bytyçi ‘shpërthen’ ndaj Aliut – kërkon reagim urgjent nga Kurti

Aktuale

“Kosova projekt i përkohshëm!”, Bytyçi ‘shpërthen’ ndaj Aliut – kërkon reagim urgjent nga Kurti

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 00:15
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Albin Kurti

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

E ndaj kësaj deklarate të Aliut, ka reaguar ashpër profesori Enver Bytyçi.

Ai përmes një postimi në Facebook i kërkoi kryeministrit Albin Kurti ta përgënjeshtrojë ministrin e tij.

Sipas tij, deklarata Kosova është “projekt i përkohshëm”, është një armë e fortë për shtetin serb.

“Kur thua se Kosova shtet është projekt i përkohshëm i ke dhënë një armë të fortë në dorë Serbisë në aksionin e saj kundër njohjeve të këtij shteti. Kush nuk do ta besonte Ivica Daçiçin tek citonte ministrin e Albin Kurtit duke thënë se Kosova është shtet i përkohshëm?!” – shkroi Bytyçi, transmeton “Bota sot”.

Postimi i plotë

Zoti Kurti, thuaji pak Liburn Aliut se Kosova nuk është projekt i përkohshëm si shtet!

Liburn Aliu është një nga politikanët më të spikatur të Vetëvendosjes dhe të Kosovës. Sot ai ka thënë se "Kosova shtet është një projekt i përkohshëm"! Dhe kështu ka hedhur dyshime në ekzistencën e këtij shteti.

Mbaj mend se në vitin 2010 jam përballur me Liburnin në një debat televiziv në Tiranë. I kam thënë që atëherë se projekti i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, të cilin ai e mbronte edhe atëherë, është në interes të Serbisë. Sepse ai projekt nuk realizohet pa pjesëmarrjen e Beogradit. Dhe pjesëmarrja e Beogradit në këtë projekt do të thotë ndarje e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pikërisht ajo që deshën të bënin Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçi dhe Edi Rama në vitet 2017-2020.

Kanë kaluar 13 vite dhe zoti Aliu nuk paska ndryshuar. Por të vesh në pikepyetje shtetin e Kosovës, duke qenë ministër i qeverisë së këtij shteti, është më shumë se gafë politike. Kur thua se Kosova shtet është projekt i përkohshëm i ke dhënë një armë të fortë në dorë Serbisë në aksionin e saj kundër njohjeve të këtij shteti. Kush nuk do ta besonte Ivica Daçiçin tek citonte ministrin e Albin Kurtit duke thënë se Kosova është shtet i përkohshëm?!

Prandaj i kërkoj kryeministrit Kurti që të reagojë dhe ta përgenjështrojë ministrin e tij, Liburn Aliu. Eshtë detyrë politike e diplomatike kjo. Por është dhe një reflektim për disiplinuar bashkëpunëtorët e tij të padijshëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat