BE: Zbatimi i Marrëveshjes me Kosovën, kusht i Serbisë për integrim

Aktuale

BE: Zbatimi i Marrëveshjes me Kosovën, kusht i Serbisë për integrim

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 13:40
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian do kërkojë nga Komisioni Evropian që urgjentisht, dhe më së largu në muajin janar, të ndryshojë kriteret e kapitullit 35 në negociatat e anëtarësimit ndërmjet Brukselit e Serbisë, kapitull ky që ka të bëjë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Praktikisht kjo nënkupton që në negociatat e anëtarësimit të përfshihen detyrimet që i ka Serbia nga marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën, e cila u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe Aneksi i zbatimit i dakorduar më 18 mars në Ohër.

Kjo qëndron në draftin e konkluzave, të cilën do t’i miratojnë më së voni gjatë dhjetorit, ministrat për Çështje Evropiane të BE-së, ndërsa do mbështetën edhe në samit nga ana e liderëve evropian.

Kërkesa për ndryshimin e kritereve në negociatat e anëtarësimit, po vjen pasi që Serbia ka refuzuar të nënshkruaj marrëveshjen me Kosovën, që e kishte ndërmjetësuar në fillim të këtij viti Bashkimi Evropian.

Ndonëse me deklaratën e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell pas takimit të Ohrit, për Brukselin kjo marrëveshje është ligjërisht obliguese.

Në takimin ministror të dhjetorit do diskutohet për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ministrat do kërkojnë nga Kosova dhe Serbia - qasje konstruktive në dialog, si dhe do përsëritët  gatishmëria e Brukselit të ndërmerr masa ndaj palëve, nëse nuk kanë sukses në depërshkallëzimin e situatës në veri.

Sa i përket dhunës së majit në veri dhe sulmit në Banjskë, Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i bëjë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht, që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve të 29 majit si dhe sjellja para drejtësisë edhe të sulmuesve ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator në Banjskë.

Në këtë rrafsh, sipas draftit të konkluzave, konstatohet se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim.

“Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe medieve më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat