Halitjaha vazhdon dëshminë në Speciale – Flet për listën e personave që pretendohej se kishin bërë ‘diçka’, ai tregon nga ka ardhur!

Aktuale

Halitjaha vazhdon dëshminë në Speciale – Flet për listën e personave që pretendohej se kishin bërë ‘diçka’, ai tregon nga ka ardhur!

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 13:03 Përditësuar në ora: 17:41 më 04.12.2023
Sadik Halitjaha

Dëshmitarit i prezantohet një dokument që thuhet se në dukje është aktakuzë ndaj Blerim Kuçit, thotë që s’e di se kishte Prokurori apo Gjykatë Ushtarake

Duke folur për ish-veprimtarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Kuçi, për të cilin u tha se kishte dezertuar, dëshmitarit Sadik Halitjaha iu prezantua edhe një dokument që dukej si aktakuzë e vitit 1999 për këtë të parin.

“Kjo në dukje është një aktakuzë ndaj Blerim Kuçit nga prokurori apo prokurorja e përgjithshme ushtarake që i përcjellët Gjykatës Ushtarake”, tha gjyqtari Guénawl Mettraux, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se nuk është në dijeni që ka pasur prokurori ose gjykatë ushtarake.

“Në bazë të asaj që shihet është shumë e saktë, por unë nuk e di se kush është Arben Sejdiu që është dashtë ta nënshkruajë, e që nuk e ka nënshkruar në fund të faqes dhe unë nuk i njohë këto ligje që thotë ligji kaq, kaq. A janë ligje ndërkombëtare apo ku i kanë marrë apo ligjet Jugosllave apo ndonjë shteti tjetër, nuk e di në çka janë thirrë. Nuk ka pas Prokurori, nuk ka pas as gjykatë dhe as prokurori të përgjithshme”, tha Halitjaha.

Ndërsa gjyqtari Mettraux tha se në paragrafin e parë të këtij dokumenti, thuhet “Prokurori i përgjithshëm ushtarak në bazë të denoncimit të policisë ushtarake 16 janar 1999, i ka parashtruar Gjykatës Ushtarake kërkesë për zbatimin e hetimeve dhe caktimin e paraburgimit me datën 17 janar 1999”.

Për këtë gjë, dëshmitari Halitjaha tha se edhe po t’i kishin bërë edhe 3 vite luftë, nuk do të kishin arritur t’i krijonin këto sisteme të drejtësisë për të cilat thotë se nuk ka njohuri.

Halitjaha thotë se Blerim Kuçi ka dezertuar nga UÇK-ja, por s’e di që është arrestuar dhe ndaluar për këto veprime

Gjatë dëshmisë së tij të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se personi i quajtur Blerim Kuçi, i cili ka qenë edhe komandant brigade, kishte dezertuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Një veprim i tillë, sipas Halitjahës përmbante shkelje, mirëpo tha se për këto veprime nuk e di nëse është arrestuar apo ndaluar Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e di që është arrestu. Është folur për këtë gjë, ai e ka mohuar vetë. Unë nuk e di, nuk kam njohuri se me gjithë zoti Kuçi, kanë qenë edhe pjesëtarët e tjerë të Brigadës 123, do të kisha ditë edhe për ata të tjerët”, tha dëshmitari Halitjaha,

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument i 16 janarit 1999, për të cilin pretendohet se është nga Fatmir Limaj.

Sipas gjyqtarit Guénawl Mettraux, ky dokument është një vendim për paraburgimin e Blerim Kuçit për një periudhë treditore. Për këtë, dëshmitari tha se mund të jetë dokument i saktë, por që nuk përmban as nënshkrim e as vulë.

“Mund të jetë i saktë, por nuk paska as nënshkrim, as vulë. Nuk e di se a ka pasur të drejtë ta shkruajë këtu emrin e vetë Fatmir Limaj derisa ka qenë Sokol Dobruna, këshilltar juridik në Shtabin e Përgjithshëm, Sokol Doburna dhe jo Fatmir Limaj. Fatmir Limaj në emër të Policisë nuk e di, s’e kuptoj”, tha Halitjaha.

Dëshmitari shtoi se nuk e ka parë më herët këtë dokument. Ai tha se Blerim Kuçi publikisht kishte deklaruar që nuk ka qenë i ndaluar.

“Shkrimi është shumë i qartë dhe i punum drejt, por nuk e di se a ka qenë i ndalum dhe sa ka qenë i ndalum. Pyetja që iu ka bërë publikisht Blerim Kuçit, ka thënë që nuk ka qenë i ndalum tash a m’i besu kësaj letre apo Blerim Kuçit nuk e di”, tha dëshmitari Sadik Halitjaha.

I pyetur se a ka pasur autorizim Policia ushtarake që ta arrestojë dikë për dezertim, Halitjaha tha se nuk e ka pasur një gjë të tillë, si dhe nuk di rast tjetër që ta bëjë një krahasim.

Tutje, Halitjaha tregoi se si ndëshkoheshin ushtarët në rast që bënin ndonjë gjë, e cila nuk ishte e lejueshme.

“Në batalionin e Budakovës nuk kemi pas as urdhër, as të drejtë me ndalu kërkon. Atë kisha me e ditë unë se kam qenë komandat i Batalionit. Nuk kemi pas njerëz të ndalum, nuk kemi pas njerëz të arrestum. Sigurisht ndonjë problem me e ba ushtarët, e kanë sjellë ushtarin, e kanë çarmatosë, më së shumti që kemi mujtë me e ba e kemi shti me punu naj punë të caktume në kuzhinë, me ia marrë armën, me ia marrë emblemën”, tha Halitjaha.

Lista e personave që pretendohej se kishin bërë ‘diçka’, dëshmitari thotë se ka ardhur nga dikush që ishte pjesë e Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavisë

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarit Sadik Halitjaha iu prezantua nga trupi gjykues një provë materiale, ku ishte një listë me disa persona që siç u tha pretendohej se kishin bërë diçka. Halitjaha tha se kjo listë nuk dihet se ku është gjetur, por që për ata të cilëve emrat iu ishin shkruar aty, kishte fjalë të mira.

“Ulusi Badallaj, i cili ma ka dhuruar një xhip gjatë luftës. E kam mbajt deri në fund të luftës derisa është shkatërru nga forcat serbe. Xhemajli Shasivarin vetëm si emër e kam dëgju se nuk e di kush është. Gynerin ashtu e kam dëgju vetëm si emër, nuk e di kush është. Isuf Halimi prej Opoje as këtë nuk po e njoh. Kjo listë nuk e di ku është gjet. Ky shumë i mirë o me numrin 61, për mu është njeri më i miri. Akoma kemi raporte shumë të mira, gjallë është, nga ana e Zhurit”, tha dëshmitari.

Ai tha se kjo listë ka mundur që të dalë nga dikush që ka punuar në Shërbimin Sekret të ish-Jugosllavisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo listë që e pash më përpara dhe tani që shoh këta emra, sigurisht ka ardhur diku nga dikush që ka qenë në Shërbim Sekret të ish-Jugosllavisë apo polic dhe kështu hamendësova dhe ndoshta thash drejt që thash nga shërbimi Mulla Abazi ka mujtë me e ba për shkak se ka qenë polic i Jugosllavisë, në brigadën … ka qenë i kyçur ushtar, kështu e kam thënë”, tha Sadik Halitjaha.

Gjyqtari Guénawl Mettraux pyeti dëshmitarin se kush ka qenë përgjegjës në zonën e tij për pjesën e Zbulim Kundër-Zbulimit.

“E kam thënë me dhjetëra herë që nuk ka pas strukturë atëherë të Zbulim Kundër-zbulimit deri në vitin 1999. Nëse diçka të tillë kanë pru në komanda, kanë pru civilët nga fshatrat, por diçka të tillë nuk kam pa, kjo qenka në renditje të duhur dhe me shumë saktësi se kush ka qenë dhe nga ku ka ardhë. Domethënë, këtu shihet që është nga Opoja, Zhuri, është nga Dragashi, kështu me radhë”, tha dëshmitari Halitjaha.

Ndërsa, për persona që janë marrë në sektorin e ZKZ-së, dëshmitari tha se në zonën e tij nuk kanë pasur persona të emërtuar. Por, për një person me emrin Safet Krasniqi, dëshmitari tha se nuk e di se çfarë funksioni ka pasur.

“Si emër po. Në Brigadën 125, komandant e ka pas Nehat Bashën, se çfarë funksioni ka pas nuk e di”, tha dëshmitari..

Mettraux i tha dëshmitarit se kishte thënë se Safet Krasniqi ka qenë bashkëpunëtor me ZKZ-në.

“Emër i njohur për mua, mendimi im ka qenë se ka qenë me ZKZ-në, por ai ka qenë në strukturë, a ka qenë shef i Zbulim Kundër-Zbulimit, a zëvendës, se çka ka qenë roli nuk e di, sinqerisht nuk ia di. Veç e di që ka qenë në Brigadën 125 tek komandant Basha”, ishte përgjigja e Halitjahajt.

Ndërsa për Elbasan Shoshajn dhe Skender Berishën, dëshmitari tha se kanë qenë bashkëpunëtorë të ZKZ-së.

“I njoh dhe jam i bindur që kanë qenë bashkëpunëtor me ZKZ-në”, u shpreh ai.

Kurse, për një person të quajtur Ilaz Kadolli, dëshmitari tha se nuk ka qenë në këtë shërbim.

“Në Zbulim Kundër-Zbulim jo. Ka qenë një këshilltar juridik se e ka pas Fakultetin Juridik, nuk ka qenë Zbulim Kundër-Zbulim. E njoh Ilaz Kadollin, e kam njoftë edhe para lufte edhe pas lufte, tash nuk e di ku është”, tha dëshmitari.

Halitjaha flet për persona që pretendon se kanë bashkëpunuar me Serbinë, thotë se dy prej tyre e kanë torturuar

Dëshmitari Sadik Halitjaha, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka folur për disa persona që pretendohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë, dy prej të cilëve thotë se e kanë torturuar sa ka qenë i burgosur në Prizren.

Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Halitjaha tha se këta persona që e kishin torturuar ishin Latif Dulla dhe Vesel Latifi. Ndërsa, bashkëpunëtor të Serbisë i kishte potencuar edhe Glauk Dullën, Vesel Krasniqin dhe Qerim Buzhalën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për sqarim, Buzhala ka qenë polic, milic i Shërbimit Jugosllav ndërsa Latif Dulla ka qenë inspektor i lartë i Shërbimit Jugosllav Serb në Prizren, i cili më ka torturu mua  kur jam burgos njëkohësisht ka qenë edhe Vesel Latifi torturues dhe ka qenë shef i Shërbimit Sekret për Prizrenin dhe rrethinën e Prizrenit. 10 vite, 11 vite ka qenë shef i Shërbimit Sekret Serb”, tha dëshmitari.

Ai tha se për Vesel Krasniqin ka dëgjuar që ka vdekur mbasluftës, duke theksuar se e kishte takuar, por që nuk ka dashur që të hakmerret ndaj tij.

“E di që Vesel Krasniqi ka vdekë mbas luftës, e kam taku mas luftës, kam qenë i armatosur, por nuk kam dashtë më ba hakmarrje se qëllimi jonë ka qenë mos me u bë vëllavrasja… Përndryshe ky Latif Dulla është gjallë akoma dhe është në shtëpinë e vet. Nuk kam dashtë të hakmerrem kundrejt tij. Qerimin e kam taku para dhjetë vitesh, Qerim Buzhala. Qerim Buzhala ka spjegu që ka qenë i rrahur, por më ka thënë që në Shkodër e ka rrah dikush. Ka qenë me një dasëm atje në Shkodër në Shqipëri dhe e ka rrahur dikush dhe ka qenë në spital”, tha dëshmitari Halitjaha.

Dëshmitari Halitjaha thotë se lista me kolaboracionistë, janë sjellë nga civilët në komanda

Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), tha se nuk është në dijeni nëse Struktura Zbulim Kundër Zbulim (ZKZ), mbante shënime për kolaboracionistët, mirëpo shumë prej listave të tilla, shkonin nga civilët në shumë komanda.

“Nuk e di a i kanë rujtë ato shënime apo i kanë mbajtë, por e di që në shumë komanda janë sjellë nga civilë lista të tilla. Tash nuk e di, nuk jam i sigurt a i kanë ruajtë apo i kanë mbajtë ato. Nuk kanë qenë të detyruar që të mbajnë shënime të tilla. Kanë qenë të detyruar që të zbulojnë armikun, armët e armikut, qëllimet e armikut, sulmet e tyre, vendqëndrimet e tyre dhe këto kanë qenë si strukturë të caktuar”, tha dëshmitari Halitjaha.

Kurse, i pyetur se kur kanë filluar në zonën e tij që të mbahen shënime për kolaboracionistë, dëshmitari tha se nuk ka pasur ndonjë datë kur ka filluar apo ka mbaruar një gjë e tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto deklarime, dëshmitari Halitjaha i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénawl Mettraux.

Ai tha se pas fillimit të prillit të vitit 1999, ka ekzistuar një strukturë e Zbulimit dhe Kundërzbulimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Duhet t’i ndaj etapat, ju lutem të kuptohemi se po përzihen etapat. Nëse flasim për fillimin e luftës, s’ka pas strukturë zbulim-kundërzbulimit. Nëse flasim pas fillimit të prillit, mund të themi që ka pasur strukturë të zbulim-kundërzbulimit. Nuk e ndërroj asnjë presje, asnjë pikë”, tha dëshmitari Halitjaha.

Halitjaha për Thaçin: Jam i hidhërua me të sepse nuk me ka taku asnjëherë pas lufte

Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së tha së është i hidhëruar me të akuzuarin Hashim Thaçin.

Këtë e tha me arsyetimin se Hashim Thaçi nuk e ka takuar asnjëherë pas lufte dëshmitarin përkundër kërkesës së disahershme të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam pritë me e taku shumë herë dhe jo një herë, por asnjëherë nuk kam arrit ta takojë. Këta që bëhen të mëdhaj, që bahen ministra, kryeministra, presidenta mbajnë shumë telefona, 2-3 telefona, shumë shoqërues, 2-3 shoqërues. I thu njërit ta takojë thotë ‘po po i them’, i thu tjetrit ‘po, po i them’ dhe kështu që nuk i thotë hiç apo edhe i thotë nuk kam kohë ta takoj. Asnjëherë qasje nuk kam pas dhe për atë nuk jam mirënjohës fare, jam shumë i hidherum pse nuk me ka taku asnjëherë”, tha dëshmitari Halitjaha.

Duke folur për dëshmitë e tij që kishte dhënë para trupit gjykues, dëshmitari e ripërseriti se Hashim Thaçin e ka parë vetëm dy herë gjatë kohës së luftës dhe njëri prej këtyre rasteve ishte në Zonën e Budakovës.

Ndërsa, për Rexhep Selimin, dëshmitari tha se nuk e kishte ditur që ka qenë inspektor i përgjithshëm atë kohë.

“Rexhën e kam njoftë në luftë kur ka ardh në Nishor në Zonën e Pashtrikut. E kam njoftë si Rexhë dhe ma vonë e kam kuptu që ka qenë inspektor”, tha Halitjaha.

Ai tha se edhe pse nuk e ka ditur që Selimi ka qenë inspektor, nuk e dinte as cila është përberja e stafit të tij.

“Selimin e kam pa në zonën time me dy ushtarë. Nuk e di sa ka qenë përbërja e inspektorit”, tha dëshmitari duke theksuar që nuk i kujtohet nëse e ka parë Selimin për herë të dytë gjatë asaj kohe.

Sadik Halitjaha tha se në kohën kur Kadri Vesei ishte shef i Zbulim-kundërzbulimit nuk kishte shkuar në zonën ku luftonte dëshmitari.

“Nuk u ardhë asnjëherë në nivel zonave as në nivel të njësive me të ulta. Ai ndoshta ka ardh por unë nuk e di”, tha dëshmitari Halitjaha.

Vlen të theksohet se me fillimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe tha se klientit të tij të iu mundësohet të flas me familjarët pasi sipas tij iu është refuzuar kontakti që 17 ditë.

Halitjaha: Ka pas më shumë se një person me nofkën “Luli” gjatë kohës së luftës

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se persona që kanë pasur nofkën “Luli” kanë qenë më shumë së një.

Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues përmes, gjyqtarit Christopher Barthe, Halitjaha tha se vetëm në zonën e tij kanë qenë më shumë se një person me nofkën “Luli”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në zonën time ka pas Luli një e më shumë. Plus ka pas edhe në zonat e tjera me pseudonimin Luli”, tha Halitjaha

Dëshmitari tha se një person me nofkë të tillë nuk e din që ka pasur në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Halitjaha tha se persona me nofkën “Luli” ka pasur edhe në zonën e Pashtrikut, Zonën e Drenicës dhe në zonat e tjera.

“Të njëjtën nofkë  ka pas edhe në zonë të Pashtrikut edhe në Drenicë me nofkën Luli. Nuk e di emrat se kush kanë qenë se nofkën e dinë po emrat jo”, tha dëshmitari Sadik Halitjaha.

Ndërsa në fillim të vitit 1999, dëshmitari tha se nuk e ka pa asnjëherë Kadri Veselin për çka edhe ka konkluduar se ndodhej jashtë Kosovës.

“Gjatë kësaj kohe nuk e kam pa z.Veseli dhe kam ardhë në përfundim se ai ndodhej jashtë Kosovës”, tha Halitjaha.

Për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari tha se ka qenë në Kleckë mirëpo ka lëvizu edhe në vende të tjera.

“Shtabi në Kleçkë, selia e Shtabit se anëtarët nuk kanë qenë. Ka lëvizë gjithmonë, ka qenë në Divjak, në Kleçkë se ka lëvizë shtabi në disa vende”, tha ai.

Vlen të theksohet se gjyqtari Fergal Gaynor për shkak të problemeve me transportin është i pranishëm në seancë përmes video-lidhjes e cila herë pas here po paraqet probleme teknike.

Sadik Halitjaha vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në gjykimin ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë po dëshmon Sadik Halitjaha.

Trupi gjykues ka nisur t’i shtrojë pyetje Salitjahës përmes gjyqtarit Christoph Barthe i cili u fokusua te deklaratat për Shërbimin Informativ të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

Halitjaha ka thënë që nuk është i sigurt nëse ka pasur një shëbrim apo një drejtor të tillë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 14 mars, 1999.

“Z.Veseli ka qenë i angazhuar për atë drejtori, por nuk ka pas staf, nuk ka pas kompletim të drejtorisë”, ka thënë Halitjaha.

“Adem Demaçi ka qenë përfaqësues politik dhe zyra e tij me stafin e tij ka qenë kompetent për politikat e luftës”, tha ai.

Kur u pyet nëse Demaci ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, dëshmitari ka thënë që ai e ka drejtuar atë.

“Unë mendoj që ai e ka drejtu shtabin e përgjithshëm të UÇK-së, politik, kështu mendoj dhe kështu edhe atëherë kam mëndu”.

Salitjaha ka folur edhe për komandant Drinin dhe personin me emrin Halil Çadraku, ku për Drinin ka thënë që gjatë vitit 1999 e ka kaluar kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë për mbi 30 herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat