Lladrovci i reagon ashpër Kurtit: “Çlirimtari” po bën kërcënim ndaj komunave “kush na voton, merr buxhet”

Aktuale

Lladrovci i reagon ashpër Kurtit: “Çlirimtari” po bën kërcënim ndaj komunave “kush na voton, merr buxhet”

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 16:25
Ramiz Lladrovci

Për vitin 2024, Qeveria Kurti ka bërë ndarjen buxhetore për komunat e Kosovës.

Me buxhetin më të lartë për investimet kapitale renditën komunat që udhëhiqen nga VV-ja si Podujeva, Gjilani, Shtimja e Kamenica. Komunat që kanë ndarjen më të ulët janë, Suhareka, Vushtria, Mamusha, Vitia e Drenasi.

Drenasit i kanë takuar 185 mijë euro apo 3 euro e 5 cent për kokë banori për investimet kapitale.

E, lidhur me këtë çështje ka folur kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

Lladrovci ndarjen buxhetore e ka vlerësuar si të padrejtë.

Ai thotë se ky është alarm për fushatën zgjedhore nga VV-ja.

Sipas tij, motoja e komunave të VV-së do të jetë “kush na voton, merr buxhet”.

“Këtë ndarje buxhetore e shoh si krizë të pozitës, si lëkundje të madhe të elektoratit që votuan këtë qeveri dhe si alarm për fushatën zgjedhore që na pret me mesazhin ‘kush na voton, merr buxhet’, ashtu sikur që është e qëllimshme, është e padrejtë dhe nuk i përket mendësisë së demokracisë përfaqësuese. Qeveria është e Kosovës, jo e një partie, as e katër komunave”, thotë Lladrovci.

Kreu i Drenasit thotë se Shtimja nuk ka pasur nevojë për gjithë atë buxhet të ndarë.

Tutje, Lladrovci ka thënë se favorizimi i Qeverisë për komunat e VV-së flet për betonimin politik.

“Çdo komunë ka nevojë për buxhet, por nuk them se Shtimja e ka gjendjen aq alarmante sa të marrë për kokë banori kaq buxhet për investimet e reja kapitale krahasuar me Drenasin apo Skenderajn. Para se të vije ‘çlirimtari’ në pozitë, në komunën e Shtimes ka pasur investime sikur në komunat tjera, por ky kërcim kaq i hovshëm, flet për betonimin politik që donë ta bëj në këtë komunë pozita aktuale”, ka deklaruar ai.

Shuma e ndarë për buxhetin e komunës, Lladrovci thotë se nuk do të ketë ndonjë efekt të dukshëm për mirëqenien e qytetarëve.

Ai ka përmendur disa nga investimet që ka nevojë komuna t’i përfundojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat