Përfundon projekti për mjekësinë ligjore i Qeverisë dhe BE-së për forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit

Aktuale

Përfundon projekti për mjekësinë ligjore i Qeverisë dhe BE-së për forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

Projekti i Bashkimit Evropian dhe i Qeverisë së Kosovës që nisi në vitin 2018 për të forcuar kapacitetet e Institutit të Kosovës për Mjekësi Ligjore (IML) përfundon me arritje të rëndësishme në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve teknike, bashkëpunimit institucional dhe modernizimit të shërbimeve në përputhje me standardet evropiane.

Projekti 'Mbështetje e Mëtejshme për Mjekësinë Ligjore në Kosovë', i cili u implementua nga shkurti 2018 deri në dhjetor 2023, u fokusua në aspekte kyçe si krijimi i kornizave ligjore, procedurat operative, akreditimi i laboratorëve toksikologjikë dhe histopatologjikë, ngritja e kapaciteteve qeverisëse, zhvillimi i ekspertizës mjeko-ligjore dhe rrjetizimi ndërkombëtar.

“Shërbimet moderne dhe efikase të mjekësisë ligjore sigurojnë tërësinë dhe besueshmërinë e hetimeve, të cilat përforcojnë drejtësinë dhe transparencën e ndarjes së drejtësisë. Nga ana tjetër, kjo kontribuon në forcimin e mëtejshëm të themeleve të një shoqërie të drejtë”, tha Johannes Madsen, Kryesues i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë.

Arritjet kryesore të projektit prekin aspekte të ndryshme të operacioneve të IML. Në aspektin ligjor dhe politik përfshihen Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore; ndryshimet në Ligjin për procedurë penale lidhur me mjekësinë ligjore; Pjesëmarrja në Ligjin për Ekspertët dhe zhvillimi i akteve nënligjore, p.sh., Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e IML-së dhe Udhëzimi Administrativ për Përdorimin e Sistemit të Menaxhimit të Rasteve Mjeko-Ligjore (SMML). Zbatimi i SMML drejton proceset e brendshme përmes digjitalizimit, nga menaxhimi i inventarit deri te gjurmimi i provave.

Sa i përket procesit të akreditimit për Laboratorët e Toksikologjisë dhe Histopatologjisë, deri më sot, IML ka arritur të dorëzojë kërkesat për akreditim në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës. Ka përfunduar me sukses testimi ndërkombëtar i zoësisë, që siguron saktësi dhe cilësi në metodat toksikologjike dhe histopatologjike dhe është instaluar Sistemi i Menaxhimit të Cilësisë në nivel organizate.

Projekti ka mbështetur rritjen e ekspertizës brenda IML-së dhe ka zhvilluar një kurrikulë për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë në Modulin e Mjekësisë Ligjore, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve brenda sistemit ligjor. Përveç arritjes së një memorandumi mirëkuptimi me Universitetin e Splitit, IML ka zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Toksikologji në Athinë dhe është regjistruar në Qendrën Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat, duke marrë një ftesë për anëtarësim në Këshilli Evropian i Mjekësisë Ligjore.

U.d. i drejtorit të IML, Dr. Ditor Haliti, tha: “Përmes mbështetjes së BE-së, ne kemi arritur të rrisim cilësinë e shërbimeve tona, të përmirësojmë proceset dhe të fitojmë ekspertizë të nivelit botëror”.

Puna e përfunduar gjatë kohëzgjatjes së projektit shërben si një plan për avancimin e mëtejshëm të shërbimeve mjeko-ligjore në Kosovë, duke nënvizuar përkushtimin e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për të forcuar më tej themelet e sundimit të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat