“53 milionëshi”, Lekaj thotë se “Hill International” nuk ishte kompetente për të dhënë opinion lidhur me kontratën e autostradës

Aktuale

“53 milionëshi”, Lekaj thotë se “Hill International” nuk ishte kompetente për të dhënë opinion lidhur me kontratën e autostradës

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 19:55
Pal Lekaj

Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, tha se kompania “Hill International” nuk ka qenë kompetente për të dhënë opinion lidhur me zbatimin e kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Këtë deklaratë Lekaj e ka dhënë gjatë vazhdimit të dhënies së mbrojtjes, të enjten, ku është i akuzuar për korrupsion në rastin e “53 milionëshit”.

“E them me përgjegjësi se s‘kam pas asnjëherë në dorë apo tavolinë për ta shqyrtuar si opinion (opinionin për pagesën prej 14.778 milionë) dhe të vetmin opinion të ‘Hillit’ ishte kur i kam dërguar Qeverise rekomandimin për votim dhe kur me kanë thanë se nuk jena kompetent me dhanë opinion për kontratë”, tha Lekaj që tash është deputet i AAK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Atdhe Demaj, tha çështja e punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi” ka qenë me problematika të mëdha dhe se kompania “Bechtel&Enka” i kishte njoftuar se çështja mund të përfundojë në arbitrazh.

Ish-ministri Lekaj se vendimi përfundimtar për pagesën e shumës prej 53 milionëve është bërë me vendim të Qeverisë dhe se si vendim ka mund të revokohet apo ndryshohet.

Gjithashtu Lekajt tha se për çdo mbledhje anëtarët e Komiteti Drejtueses Ndërministrorë kanë qenë të pajisur me shkresa të projektit në fjalë, qoftë fizikisht apo edhe përmes emalit, duke sqaruar po ashtu se në Mbledhje të Komiteti kanë marrë pjesë edhe këshilltarët politikë.

Sipas tij, pjesëmarrja dhe roli i këshilltarëve politikë në këtë rast edhe i të akuzuarit tjetër Berisha ishte që të japë sugjerimin dhe opinionin lidhur me kërkesat e kompanisë ndërtuese “Bechtel & Enka”.

Lekaj duke u përgjigjur në pyetje e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani tha se opinioni i “Hill International” për pagesën prej mbi 14 milionë eurove ka qenë për zgjatje të afatit për përfundimin e punimeve, pa përfshirë edhe kostot shtesë nga zgjatje e këtyre punimeve.

Tutje seanca vijoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Nebih Shatri, i cili duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësi të tij avokatit Florent Latifaj tha se në kohë kur kishte nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e afatit për përfundimin e punimeve me “Bechte&Enka” kishte pozitën e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm.

Sipas Shatrit, nënshkrimi i marrëveshjes ishte bërë pasi që i ishte kërkuar nga zyra e prokurimit dhe shefi i njësisë implementuese të projektit që të bëjë nënshkrimin e kontratës.

Tutje, sipas Shatrit, kontrata bazë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferri” ishte në vlerën e mbi 600 milionë eurove dhe se sipas tij, ish-ministrit të Financave tash deputet të LDK-së Avdullah Hoti kishte thënë se kontrata në fjalë ishte e kundërligjshme.

“Hoti kishte thënë se ishte nënshkruar një kontratë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhafrri” nga ish-kryeministri Hashim Thaçi pa qenë mjetet buxhetore për ndërtimin e saj”, tha ai.

Gjithashtu Shatri deklaroi se me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për zgjatjen e afatit nuk ka lexuar kontratën bazë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferri”, pasi që ishte thënë se është dokument konfidencial.

Më pas seanca e sotme u ndërpre pasi që i akuzuari Lekaj kishte për të realizuar një udhëtim zyrtar.

Në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më  9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri,  drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat