Pjetër Shalës i refuzohet kërkesa për vizitë tek psikologu

Aktuale

Pjetër Shalës i refuzohet kërkesa për vizitë tek psikologu

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 17:58
Pjetër Shala

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, me vendimin e 14 dhjetorit 2023, ka refuzuar kërkesën e Pjetër Shalës për një vizitë psikologjike, me arsyetimin se mbrojtja është dashur t’i drejtohet regjistruesit të paraburgimit përpara se ta përfshijë panelin në këtë çështje.

Në vendim, thuhet se paneli i trupit gjykues, më 11 dhjetor 2023 mori kërkesë urgjente për vizitë të psikologut për të akuzuarin Pjetër Shala, por kjo kërkesë është refuzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“REFUZON Kërkesën; dhe b. URDHËRON palët dhe mbrojtësin e viktimave që të respektojnë udhëzimet e Panelit siç janë përcaktuar në këtë vendim”, thuhet në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se më 25 tetor 2023, trupi gjykues vendosi se në rast që Shala shpallet fajtor për një ose më shumë nga krimet për të cilat akuzohet, do t’i përcaktojë dënimin përkatës me shpalljen e aktgjykimit.

Si rrjedhojë, paneli udhëzoi mbrojtjen e Shalës që të paraqesë çfarëdo dëshmie për dënimin, më së voni deri në mbylljen e rastit. Kurse, më 29 nëntor 2023, paneli vendosi që data e mbylljes së këtij afati për mbrojtjen të jetë deri më 15 janar 2024.

Por, thuhet se më 11 dhjetor 2023, paneli kishte marrë kërkesë urgjente nga mbrojtja e Pjetër Shalës për një vizitë psikologjike, së bashku me njoftimin për kërkesën për thirrje të provave relevante për dënim.

Gjithnjë sipas vendimit, mbrojtja e Shalës kishte parashtruar se ka kontaktuar me një eksperte psikologjike, me qëllim që të kryejë një vlerësim për të akuzuarin dhe të prodhojë një raport mbi shëndetin e tij mendor, si dhe ndikimin që kanë pasur procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës tek ai.

“Mbrojtja për Pjetër Shalën (Mbrojtja) parashtron se ka kontaktuar me një eksperte psikologjike, e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve në Gjykatën Belgjike, znj. Vanessa Milazzo (Znj. Milazzo), me qëllim që të kryejë një vlerësim të të akuzuarit dhe të prodhojë një raport mbi shëndetin e tij mendor, ndikimin e procedurave para Dhomës së Specializuar në jetën e tij , dhe sjelljen e tij pas ngjarjeve të pretenduara në aktakuzën e konfirmuar deri më sot. Mbrojtja synon ta prezantojë raportin si provë me qëllim të dënimit dhe/ose të dëshmojë znj. Milazzo para trupit gjykues”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se mbrojtja i kërkoi panelit që të krijohen rrethanat që psikologja ta vizitojë Shalën më 18 dhe 19 dhjetor 2023 dhe t’i jepet asaj të paktën tri orë kohë në vizita.

“Për këtë qëllim, mbrojtja i kërkon Panelit që të udhëzojë Sekretarin dhe Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit që: (i) të lejojnë znj. Milazzo të vizitojë të akuzuarin më 18 dhe 19 dhjetor 2023; (ii) heq dorë nga kërkesa që vizitat të organizohen 15 ditë përpara; (iii) të lejojë znj. Milazzo të sjellë një fletore dhe mjete shkrimi në vizitë, për të mbajtur shënime nga bisedat e saj me të Akuzuarin; dhe (iv) t’i japë asaj të paktën tre orë gjatë çdo vizite për të kryer vlerësimin e saj. Më 12 dhjetor 2023, për të siguruar një zhvillim të shpejtë të procedurave, Paneli e refuzoi kërkesën përmes emailit, me arsye dhe udhëzime të mëtejshme për t’u ndjekur, dhe udhëzoi Mbrojtja t’i bëjë kërkesat e nevojshme Kryeshefit të Paraburgimit pa vonesë”, thuhet në vendim.

Aty thuhet se paneli kërkoi informacion shtesë nga mbrojtja, nëse raporti i Milazzos do të përgatitej në anglisht ose në një gjuhë tjetër, kurse mbrojtja e informoi panelin se raporti do të përgatitej në frëngjisht dhe do të përkthehej në anglisht.

Pas kësaj, vendimi ofron arsyet e panelit për refuzimin e kësaj kërkese, si dhe cakton afatet kohore për paraqitjen e provave nga eksperti i thirrur nga mbrojtja dhe parashtresat eventuale si përgjigje nga ZPS-ja dhe mbrojtja e viktimave.

Sipas kësaj, paneli ka theksuar se asgjë në kërkesë nuk sugjeron që mbrojtja i është drejtuar shefit të paraburgimit me ndonjë kërkesë përkatëse dhe se një kërkesë e tillë të është refuzuar. Po ashtu, thuhet se paneli nuk ka vendosur ndonjë kufizim në kontaktet dhe komunikimet e të akuzuarit që do të kërkonte ndërhyrjen e panelit për të autorizuar ndonjë vizitë.

Rrjedhimisht, paneli ka konstatuar se mbrojtja e Shalës është dashur që së pari t’i drejtohet Regjistruesit të Paraburgimit përpara se ta përfshijë panelin dhe nuk gjen ndonjë arsye për të ushtruar mbikëqyrje gjyqësore në këtë situatë.

“Rrjedhimisht, Paneli konstaton se Mbrojtja është dashur së pari t’i drejtohet Kryeshefit/Regjistruesit të Paraburgimit para se të kontaktojë Panelin dhe nuk gjen ndonjë arsye për të ushtruar mbikëqyrje gjyqësore në këtë situatë. Për këto arsye, Paneli e refuzon kërkesën dhe e udhëzon mbrojtjen që t’i bëjë kërkesat e nevojshme Kryeshefit të Paraburgimit pa vonesë”, thuhet në vendim.

Kryetarja e trupit gjykues, Veldt-Foglia përmes këtij vendimi ka sqaruar se është vendosur mbi këtë kërkesë të mbrojtjes pa iu dhënë mundësia për t’u dëgjuar ZPS-së dhe mbrojtjes së viktimave.

“Paneli është i vetëdijshëm për hapat e ndryshëm që duhet të ndërmerren në mënyrë që të prodhohet raporti i ekspertit dhe fakti që data e synuar për mbylljen e çështjes së mbrojtjes është caktuar më 15 janar 2024. Nuk u shkaktua asnjë paragjykim ndaj ZPS-së ose mbrojtësit të viktimave duke e shfuqizuar kërkesën pa i dëgjuar”, thuhet në vendim.

Ndërsa sa i përket udhëzimeve të mëtejshme mbi paraqitjen e dëshmive të ekspertes, paneli ka konstatuar se mbrojtja nuk ka vepruar me shpejtësi, por në fakt ka treguar mungesë të kujdesit.

“Mbrojtja duhet të kishte kontaktuar ekspertin sapo Paneli të kishte komunikuar vendimin e tij, më 25 tetor 2023, se dënimi, nëse ka, do të shqiptohej së bashku me aktgjykimin gjyqësor, dhe jo vetëm pasi Paneli të caktonte datën e synuar për mbylljen të çështjes së mbrojtjes. Paneli e udhëzoi mbrojtjen në atë kohë që të paraqesë çfarëdo dëshmie mbi dënimin gjatë prezantimit të rastit të saj dhe më së voni, deri në mbylljen e rastit. Kur Paneli cakton datën e synuar për mbylljen e çështjes së një pale, të gjitha provat që ende duhen dëgjuar duhet të dihen dhe… duhet të përgatitet të mbyllë çështjen e saj. Pasi të përcaktohet, data e synuar mund të ndryshojë vetëm nëse lindin rrethana të paparashikuara”, thuhet në vendimin mbi kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës.

Për këto arsyeje, paneli ka vendosur që të shkurtojë afatet kohore përkatëse për ZPS-në dhe mbrojtjen e viktimave në mënyrë që të sigurohet që provat e mbrojtjes të paraqiten përpara datës së përcaktuar.

Si rrjedhojë, paneli ka udhëzuar që në rast që mbrojtja vendos të paraqes provat e ekspertes psikologjike në këtë çështje gjyqësore, jo më larg se 4 janari 2024 duhet t’i prezantojë ZPS-së dhe mbrojtjes së viktimave raportin përfundimtar të psikologes së bashku me përkthimin në anglisht.

Po ashtu, jo më larg se data e lartpërmendur, mbrojtja u obligua që të bëjë kërkesën për të shtuar psikologen dhe raportin e saj në listën e dëshmitarëve dhe të informojë panelin, ZPS-në dhe mbrojtjen e viktimave në rast që synon që ta thërras psikologen për të dëshmuar personalisht apo ka për qëllim të shtojë në listën e provave vetëm raportin e saj.

Po ashtu, në rast që psikologja Milazzo ftohet për të dëshmuar, mbrojtja duhet të sigurojë që ajo të jetë e disponueshme në datat specifike.

“Mbrojtja do të sigurojë gjithashtu që znj. Milazzo të jetë e disponueshme për të dëshmuar, nëse ajo do të thirret për të dëshmuar, në një nga datat e mëposhtme: 11, 12, 19 dhe 22 janar 2024”, thuhet në vendim.

Ndërsa për ZPS-në dhe mbrojtjen e viktimave, gjykatësja Veldt-Foglia udhëzoi që jo më vonë se 9 janari 2024 t’i përgjigjen kërkesës së mbrojtjes për të shtuar Milazzon në listën e dëshmitarëve apo raportin e saj në listën e provave.

Po ashtu, thuhet se ZPS-ja dhe mbrojtja e viktimave mund t’i bëjnë parashtrimet e tyre edhe më 9 janar 2024, pra gojarisht gjatë seancës dëgjimore të kësaj date.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat