Vrasja në Marmullë të Gjakovës, dëshmitari thotë se i akuzuari dhe i dëmtuari kishin mosmarrëveshje për pronë

Aktuale

Vrasja në Marmullë të Gjakovës, dëshmitari thotë se i akuzuari dhe i dëmtuari kishin mosmarrëveshje për pronë

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 13:23
Foto ilustrim

Dëshmitari T.G., në seancën e rigjykimit të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, tha se nuk është në dijeni për rastin dhe nuk ka qenë asnjëherë kur është biseduar lidhur me pronën, por theksoi se i akuzuari Prek Gjugja dhe i dëmtuari A.N., kanë pasur mosmarrëveshje për pronën.

Në këtë rast, babë e bir, Prek dhe Alfred Gjugja, akuzohen për rastin e vrasjes së T.B., në Marmullë të Gjakovës. Por, Gjykata Supreme e ka vërtetuar dënimin prej 22 vjet burgim ndaj të akuzuarit Alfred, kurse çështja është kthyer në rigjykim vetëm për të akuzuarin Prek, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Absolut nuk di rreth kësaj, nuk kam qenë prezent asnjëherë kur kanë folur lidhur me këtë pronë, veç e di që kanë pasur mosmarrëveshje”, tha dëshmitari G.

Ai tha se me të pandehurin Prek Gjugja kanë kumbari dhe se kanë raporte të mira familjare. Ndërsa, theksoi se me të personalisht nuk kishte biseduar asnjëherë më parë i pandehuri Prek lidhur me rastin.

Kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia se kur e kishte takuar Alfredin në fshatin Rezinë a kishte biseduar me dikë në telefon, konkretisht me të pandehurin Prek, por ai tha se vetëm e ka dëgjuar Alfredin që kishte biseduar me avokatin Ndrecë Dodaj edhe Policinë për t’u dorëzuar pas ngjarjes.

Dëshmitari tha se Alfredi kishte pasur në dorë një armë të gjatë që sipas tij kishte qenë kallash.

I pyetur nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni se kur kishte shkuar tek shtëpia e të pandehurit Prek Gjugja a kishte vërejtur ndonjë veprim të ndërmarrë nga ana e tij, ai tha se vetëm i kishte parë të mërzitur gjithë familjen.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Prek Gjugja, avokati Sali Meka, e pyeti dëshmitarin G., se kur e kishte parë Alfredin a e kishte pyetur se me çka ka shkuar në Rezinë dhe si është përgjigjur i njëjti, ai tha se e kishte pyetur dhe i ishte përgjigjur se ka ardhur në këmbë.

Ndryshe, në këtë seancë munguan dëshmitarët Vlora Nikolla, Lekë Bezhi dhe Kushtrim Hadërgjonaj.

Gjykatësi Haraçia tha se për dëshmitarin Hadërgjonaj kishte lëshuar ftesë-urdhëresë nëpërmjet Policisë së Kosovës – Stacioni në Deçan, të cilët e kanë njoftuar gjykatën se sipas axhës së tij, gjendet jashtë vendit. Po ashtu, tha se edhe dëshmitarët Nikolla dhe Bezhi, gjenden jashtë vendit.

Prokurorja Beqiraj-Hyseni i propozoi gjykatës që seanca e sotme të shtyhet, në mënyrë që të dëgjohen dëshmitarët Vlora Nikolla, Lekë Bezhi dhe Kushtrim Hadërgjonaj.

Ndërsa, avokati Meka propozoi që të lexohen dëshmitë e atyre dëshmitarëve ngase kishin dhënë deklarimet e tyre në shqyrtimet e mëparshme dhe se deklarimet e tyre nuk janë relevante në lidhje me veprimet e të akuzuarit Prek Gjugja.

Kurse, gjykatësi Haraçia meori aktvendim, me të cilin seanca e sotme u ndërpre kurse në të radhës pritet të dëgjohen tre dëshmitarët e lartpërmendur.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2021, Alfred Gjugja ishte dënuar me 22 vite burgim unik për vrasjen e tani të ndjerit T.B, për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor të dëmtuarit A.N., dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Prek Gjugja ishte dënuar me 12 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes. Ndërsa, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin prej 34 vjetësh burg që kishte shqiptuar Gjykata e Gjakovës ndaj babë e bir, Prek dhe Alfred Gjugja.

Por, Gjykata Supreme ka vendosur se lënda sa i përket të akuzuarit Alfred Gjugja ka përfunduar dhe është çështje e gjykuar, ndërsa është kthyer në rivendosje në shkallë të parë çështja sa i përket të akuzuarit Prek Gjugja lidhur me veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Alfred Gjugja akuzohej se më 12 mars 2019, rreth orës 18:35, në fshatin Marmullë të Komunës së Gjakovës, pikërisht në afërsi të shtëpisë së A.N, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin T.B., pas një mosmarrëveshje pronësore. Po ashtu, akuzohej se me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.N. Kurse, Prek Gjugja po ngarkohet se ndihmoi të akuzuarin Alfred në kryerjen e vrasjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat