Liberalizimi i vizave, një hap i madh në rrugën drejt BE-së

Aktuale

Liberalizimi i vizave, një hap i madh në rrugën drejt BE-së

Më: 2 janar 2024 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Si dihet qytetarët e Kosovës, nga 1 janari 2024, po lëvizin lirshëm në zonën Shengen, pa pasur nevojë të presin më para ambasadave të huaja për t’u pajisur me vizë.

Lidhur me liberalizimin e vizave faqja qeveritare në Facebook, ‘Integrimi Evropian i Kosovës’, që ka për qëllim ofrimin e informatave për rrugën e Kosovës drejt Integrimit Evropian, ka vazhduar edhe sot informimin e qytetarëve të Kosovës, pas liberalizimit të vizave.

“Fillimi e një ëndrre: Shikoni momentin kur udhëtarët e parë me pasaporta të Kosovës nisen #paviza drejt Vjenës. Një hap i madh në rrugën drejt BE-së dhe aventurave të reja!”, thuhet në postimin kësaj faqeje të Qeverisë, duke e plotësuar me pamje nga udhëtimi i djeshëm, pa viza, për në Vjenë, nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”.

Njëherësh në faqen e ‘Integrimi Evropian i Kosovës’ është postuar edhe tema dhe videoja e RTK-së, “Drejt Austrisë pa viza”.

Kjo faqe zyrtare këshillon qytetarët që para se të udhëtojnë, të kontrollojnë, pasaportën biometrike. “Të kërkojnë informata e dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi të vendit ku do të qëndroni hotel apo tek të afërmit, detajet e udhëtimit përfshirë biletën kthyese, dokumentet e nevojshme të veturës përfshirë kartonin e gjelbërt dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat