Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim ndaj 12 zyrtarëve të ATK-së dhe një biznesmeni

Aktuale

Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim ndaj 12 zyrtarëve të ATK-së dhe një biznesmeni

Më: 11 janar 2024 Në ora: 18:12
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmenin Feim Pulaj të arrestuar nën dyshimin për korrupsion.

Lajmi është bërë i ditur nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër trembëdhjetë të pandehurve si të pabazuar dhe të njëjtëve konform nenit 175 të KPPRK-së, iu ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Ndaj të dyshuarëvë Gjykata ka vendosur një masë.

“Të pandehurve iu ndalohet qasja dhe ofrimi në objektet e institucionit qendror të ATK-së e duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj në largësinë prej 500 (pesëqind) metra, gjithashtu të pandehurve punonjës të ATK-së tani iu ndalohet kontakti dhe ofrimi me të pandehurin F.P dhe bizneseve të tij, në largësi prej 500 (pesëqind) metra. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”

Kjo është konfirmuar nga Avokatët përmes një shkrimi në Facebook.

“Lirohet Pronari i Lakeside – Z. Feim Pulaj, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk aprovonë kërkesën për caktimin e masës së Paraburgimit”, thuhet në postimin e avokatëve.

12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmeni Pulaj ishin arrestuar të martën në një aksion të zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’ dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”,thuhej në komunikatën e Prokurorisë, në arsyetimin për caktimin e paraburgimit.

Për arrestimin e zyrtarëve të ATK-së, të enjten ka folur edhe kreu i këti institucioni, Ilir Murtezaj.

Ai tha se rasti kishte të bënte rreth disa faturave fiktive të qarkulluar nga tri biznese dhe kanë arritur ta parandalojnë dëmtimin e buxhetit për 2. 7 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat