Sadiku beson se 20% e nënshkrimeve do të arrihen brenda afatit të parë

Aktuale

Sadiku beson se 20% e nënshkrimeve do të arrihen brenda afatit të parë

Më: 17 janar 2024 Në ora: 22:31
Skënder Sadiku

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë mbledhur sot në Mitrovicën e Veriut për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit, Erden Atiq.

Zëvendës-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Verore, Skënder Sadiku, bëri të ditur se procesi i grumbullimit të nënshkrimeve, ka shkuar pa ndonjë komplikim.

Po ashtu, Sadiku tha se kishte një numër të madh të pjesëmarrësve.

“Procesi i grumbullimit të nënshkrimeve ka shkuar pa telashe. Shpresoj që komuna jonë është duke e kaluar një test të demokracisë. Është kërkuar legjitimiteti dhe ilegaliteti, është e mirë që qytetarët janë duke e kërkuar një gjë të tillë, e që i cili është në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ishte një numër i madh i pjesëmarrësve, por në anën tjetër më brengos fakti që akoma e shohim një demokraci të dirigjuar”, deklaroi Sadiku.

Më tej, Sadiku njoftoi se tashmë është regjistruar një parti politike, e që sipas tij, do ishte pozitive në qoftë se gjatë procesit do të ketë edhe nisma të tjera.

“Është një parti politike e cila është regjistruar, po ashtu është duke e bërë edhe një fushatë. Shpresoj që gjatë procesit të ketë edhe nisma të tjera, pse jo edhe ndonjë subjekt tjetër politik i cili do të begatojë spektrin politik në komunat veriore të Mitrovicës”, shtoi tutje Sadiku.

I pyetur se a ka rrezik të ketë manipulime me nënshkrime gjatë peticionit, Sadiku vlerësoi që s’ka indikacione për të ndodhur një gjë e tillë.

Ai ka thënë se mbledhja e 20% nënshkrimeve të nevojshme pritet të arrihet brenda afatit të parë.

“Më 22 janar e kanë afatin, ndërsa një afat shtesë prej dy jave sipas Udhëzimit Administrativ mund ta marrin nga MAPL dhe KQZ. Sipas trendit që është besoj që nesër do të arrihet ky numër edhe në bazë të informatave që patëm me personat që ishin duke mbledhur nënshkrimet”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat