​Kurti përkujton Ahmet Kaçikun dhe dëshmorët e Reçakut

Aktuale

​Kurti përkujton Ahmet Kaçikun dhe dëshmorët e Reçakut

Më: 19 janar 2024 Në ora: 21:50
​Kurti përkujton Ahmet Kaçikun dhe dëshmorët e Reçakut

Me rastin e 25-vjetorit të rënies, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar heroin kombëtar Ahmet Kaçikun dhe dëshmorët e tjerë në Reçak.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se UÇK ishte një ushtri e ngritur nga luftëtarë vullnetarë në luftën e drejtë për çlirimin e atdheut dhe mes detyrave të saj më të vështira ishte mbrojtja e banorëve civilë nga vrasjet, masakrat, torturat, plaçkitjet dhe djegiet nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake të Serbisë.

“Që nga e premtja e 15 janarit 1999, kur forcat speciale policore të Serbisë kryen masakrën në Reçak dhe deri më 11 shkurt kur u varrosën të vrarët, në Reçak dhe në disa fshatra të tjera përreth të Shtimes, nisi një betejë për mbrojtjen e kufomave të të vrarëve. Më 19 janar, te Guri i Bagdashit në Reçak, ra dëshmor Ahmet Kaçiku, komandant i Brigadës 161 të Zonës Operative të Nerodimes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Serbia nuk mjaftohej vetëm që po i masakronte civilët e paarmatosur shqiptarë, ajo i donte edhe kufomat e tyre që t’ua bënte ‘autopsinë’ para ekipit të forenzikës nga Bashkimi Evropian që asokohe udhëhiqej nga finlandezja Helena Ranta”, ka shkruar Kurti.

“Lavdi Ahmet Kaçikut, mes kujtimeve për dëshmorët e UÇK-së të rënë në Reçak dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Ahmet Kaçiku u lind në Biti e Epërme në vitin 1964. Ai ishte angazhuar për mbrojtjen e civilëve nga 15 janari dhe derisa u vra më 19 janar. Po më 19 janar, ra dëshmor edhe ushtari i UÇK-së, Vezir Jashari nga Gradishi i Gjilanit. Pas rënies së komandantit të saj, Brigada 161 mori emrin “Ahmet Kaçiku”.

Më 19 janar 1999, në Mollopolc u varrosën nëntë dëshmorë të UÇK-së, të vrarë ditën e masakrës në Reçak: Ali Beqa, Shaqir Berisha, Ismail Luma, Kadri Syla, Sadik Mujota, Mehmet Mustafa, Skënder Qarri, Enver Rashiti dhe Nazim Kokollari. Më 21 janar, në varrezat e dëshmorëve në Mollopolc u varros edhe Ahmet Kaçiku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat