“Dinari” e çon ambasadorin e BE-së në zyrat e BQK-së

Aktuale

“Dinari” e çon ambasadorin e BE-së në zyrat e BQK-së

Më: 23 janar 2024 Në ora: 21:08
Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK) Ahmet Ismaili, në takim me Ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Foto: BQK

Ditë më parë, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) u publikua Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj.

Në Nenin 35 të asaj rregulloreje, theksohej se “valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Kjo nënkuptonte se valuta e Serbisë, dinari, nuk do të mund të përdorej më në Kosovë për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme.

Çështja u ngrit nga zyrtarë shtetërorë të Serbisë, nga presidenti Vuçiq e më poshtë, duke e konsideruar këtë si një presion ndaj serbëve të Kosovës.

Po ashtu, reagim pati edhe nga Bashkimi Evropian, zëdhënësi i së cilës, Peter Stano, tha se janë duke e analizuar këtë situatë.

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë. Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano, zëdhënës i BE-së.

E në zyrat e Guvernatorit të Bankës Qendrore (BQK), Ahmet Ismaili, gjatë ditës së sotme ka qëndruar Ambasadori i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, për të diskutuar pikërisht për këtë temë.

Shefi i BE-së, i shoqëruar nga zëvendësja e tij Annacarin Platon, morën sqarime nga Ismali dhe zëvendësi i tij, Dardan Fusha mbi aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj.

“Avancimi i kornizës rregullative për kujdesin e duhur dhe luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara dhe parandalimi i hyrjes së tyre në sistemin financiar, identifikimi dhe tërheqja e valutave të dyshimta nga qarkullimi, si dhe ndryshimet sa i përket furnizimit të rregulluar dhe transparent të ekonomisë me para të gatshme, përmes institucioneve financiare të licencuara, si në para të gatshme ashtu përmes makinave elektronike për deponime dhe tërheqje te parave, ishin temat kryesore të këtij takimi informues”, u tha në këtë njoftim.

Tutje, u tha se nga përfaqësuesit e BQK-së u sqarua se sikur edhe ndryshimet tjera legjislative, “edhe kjo Rregullore synon adaptimin e praktikave më të mira të Bashkimit Evropian, që lidhen me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar, luftimin ndaj parave të falsifikuara, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, informalitetit, si dhe avancon mbrojtjen dhe edukimin e qytetarëve nga dukuri të tilla të rrezikshme dhe të kundërligjshme”.

BQK-ja tha se më tej se meqë Rregullorja është e aplikueshme për institucionet financiare dhe përcakton kërkesat ligjore dhe teknike për operacionet me para të gatshme, si e tillë nuk trajton apo kufizon transaksionet vullnetare ndërmjet individëve apo palëve që nuk janë subjekt i rregullimit të BQK-së.

Sqarim tjetër që BQK-ja i dha zyrtarëve të BE-së është se Rregullorja në fjalë nuk kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk ndalon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK.

Gjithashtu, në takim thuhet se u diskutua për mundësitë ekzistuese dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshime financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në linjë me këto ndryshime, u diskutua për nevojën për një komunikim sa më efektiv dhe të fokusuar lidhur me efektet e mundshme dhe kufizimet e kësaj Rregulloreje, si dhe mundësitë ekzistuese ligjore për qasje në shërbime të sigurta financiare.

“Për këtë, BQK-ja u zotua se do të vazhdojë me aktivitete informuese dhe sensibilizuese të përshtatshme dhe efektive për publikun”, u tha në fund të njoftimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat