​PDK-ja propozon dy komisione hetimore, njërin për Gani Jakupin e tjetrin për mostrat rastit Dehari

Aktuale

​PDK-ja propozon dy komisione hetimore, njërin për Gani Jakupin e tjetrin për mostrat rastit Dehari

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 13:36
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka theksuar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kanë propozuar që në seancën e së enjtes të themelohen dy Komisione hetimore parlamentare.

Deputeti i PDK-së, Tahiri theksoi se do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor për punësimin dhe pagën e këshilltarit, Gani Jakupi. Po ashtu ai tha se komision hetimor kanë kërkuar edhe për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari.

Tahiri: Propozuam themelimin e dy komisioneve hetimore

“Vendosem për seancën e radhës që do të mbahet ditën e enjte dhe po ashtu edhe për agjendën e kësaj seance. Ajo që vlen të theksohet është që si GP i PDK-së i kemi propozuar seancës themelimin e dy komisioneve hetimore. Njërin Komision hetimor kemi propozuar që të bëjmë hetim parlamentar në kuadër të Ministrisë së Jashtme. Ne kemi pasur prova dhe fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik për njerëz të angazhuar për të cilët nuk e dimë se si janë angazhuar. Mirëpo kemi parë që janë angazhuar me shuma marramendëse siç ka qenë edhe rasti i këshilltarit Gani Jakupi, ku paguhet me një pagë të madhe, që tejkalon çdo limit dhe çdo standard të pagave që paguhen nga buxheti i Kosovës.

Kemi informacione që ka edhe raste të tjera të angazhimit të njerëzve sikur rasti i Gani Jakupit, mirëpo që nuk po bëhen publike, sepse janë edhe në kryeqendra të tjera siç është Strasburgu, apo edhe kryeqendra që nuk do t’i përmendi tani. Çështje tjetër është Komisioni Hetimor të cilin e kemi ngritur edhe më herët në rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe si Grup parlamentar po ashtu kemi denoncuar dy herë zjarre vënien që ka ndodhur brenda një viti e gjysmë në kuadër të këtij Instituti. Prandaj, themelimi i një Komisioni Hetimor i cili do të bënë një hetim parlamentar mbi zhdukjen e mostrave të rastit Dehari është e rëndësishme. Unë shpresoj që ky Komision parlamentar hetimor do të votohet edhe nga mazhoranca dhe do t’i ketë votat e të gjitha partive parlamentare opozitare”, tha ai.

Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, deputeti i PDK-së theksoi se qëndrimi i PDK-së për mosvotimin e tyre mbetet i njëjtë.

Tahiri: Deri tani nuk ka ndryshuar qëndrimi i PDK-së për marrëveshjet ndërkombëtare

“Marrëveshjet ndërkombëtare janë vendosur në kuadër të kësaj seance dhe Republika jonë vetëm se po degradon në rrafshin ndërkombëtar. Në kohën kur unë po flas për këto marrëveshje ndërkombëtare tashmë kemi edhe paralajmërime të reja edhe nga vet ambasadori amerikan që Kosova mund të përballet me pasoja edhe më të rënda në sferën ndërkombëtare. Prandaj, deri tani nuk ka ndryshuar asgjë që Partia Demokratike e Kosovës t’i votojë këto marrëveshje. Nëse do të ndodhë diçka para seancës, ne do t’u lajmërojmë nëse do t’i votojmë këto marrëveshje apo jo. Prandaj, konsideroj që vendi ynë tashmë vetëm sa po e thellon krizën edhe me partnerët tanë ndërkombëtar, edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Aktualisht jemi vend nën sanksione nga Bashkimi Evropian. Vendi ynë është privuar nga e drejta për shfrytëzimin e 300 milionë euro”, theksoi ai.

Ndërsa, për çështjen e dinarit dhe kërkesën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, deputeti Tahiri theksoi se kërkesa është të ketë një koordinim më të mirë me ShBA-të ‘gjë që nga themelimi i kësaj qeverie nuk e kemi parë’.

Tahiri: Nuk mendoj që ShBA-të po i kërkojnë Kosovës që të ndërmarrë veprime që bien ndesh me Kushtetutën

“Ajo çka do të duhej të ndodhte ishte thjeshtë një koordinim dhe një angazhim më i mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Nuk mendoj që as SHBA-të apo institucionet tjera po I kërkojnë Kosovës që të ndërmarrë veprime e masa të cilat bien ndesh me rendin tonë kushtetues. Atë e tha qartë edhe vet ambasadori amerikan, prandaj nuk na kërkohet që të ndërmarrim veprime të cilat bien ndesh apo. Ajo çka kërkohet është të ketë një koordinim më të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që nga themelimi i kësaj qeveria nuk e kemi parë”, tha ai.

Në seancën e radhës në rend dite do të jetë edhe votimi i një anëtari për Gjykatën Kushtetuese. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat