PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja mobilizohen për zgjedhje, presin hapin e Kurtit

Aktuale

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja mobilizohen për zgjedhje, presin hapin e Kurtit

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 12:52
Tri partitë opozitare kanë aktivizuar strukturat e tyre partiake në të gjithë Kosovën.

Opozita ka shpallur mobilizimin e përgjithshëm për zgjedhjet të reja.

Ndonëse ende nuk dihet nëse do të këtë zgjedhje të parakohshme parlamentare, tri partitë opozitare kanë aktivizuar strukturat e tyre partiake në të gjithë Kosovën.

Organet qendrore të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë nxjerr vendime për mobilizim e strukturave dhe anëtarësisë partiake, ndërsa liderët e tyre kanë shtuar aktivitetet në terren.

Partia më e madhe opozitare, PDK, javën e kaluar ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku ka kërkuar mobilizim të çdo potenciali partiak.

Në piken 5 të deklaratës politike të Këshillit Drejtues të PDK-së tregohet për veprimet e reja.

“Partia Demokratike e Kosovës do të filloj organizimin për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, duke mobilizuar tërë potencialin e saj në të gjitha nivelet e organizimit partiak, për t’i sjellë vendit, pas zgjedhjeve të ardhshme, një Qeveri kredibile, të përgjegjshme dhe e cila rikthen vendin në kursin e duhur të zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit euro-atlantik”, është thënë në deklaratën e PDK-së.

Më tej, thuhet se zgjedhjet e brendshme të kësaj partie shtyhet deri pas zgjedhjeve nacionale. “Zgjedhjet e brendshme partiake caktohen të mbahen menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Kosovës. Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës i jep mbështetjen e parezervë Kryetarit, Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe të gjitha strukturave tjera partiake, për të ofruar alternativën më të mirë qeverisëse e cila nxjerr vendin nga pozicioni i rrezikshëm në të cilin ndodhet”, është thënë në deklaratë.

Një ditë më parë, edhe Kryesia e AAK-së ka aprovuar planin veprues për vitin 2024.

Sipas AAK-së, ky plan përshin tri faza dhe synon mobilizimin e potencialeve partiake për zgjedhje

“Ky plan ka për synim mobilizimin e të gjitha potencialeve njerëzore të Aleancës, si dhe vendosjen e një standardi të zbatimit të obligimeve të marra dhe raportimit të rregulltë brenda strukturave. Plani parasheh që në fazën e parë të intensifikohet komunikimi i brendshëm në të gjitha nivelet e organizimit partiak. Ndërsa gjatë fazës së dytë, rëndësi të veçantë do t’I kushtohet komunikimit me kuadro të profilizuara për sektorë specifik, në nivel komunal dhe qendror. Faza e tretë, do të përfshijë aktivitetet masive të frymës dhe mesazhit për zgjedhjet parlamentare”, është thënë në një njoftim për media të AAK-së.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga fillimi i këtij viti ka filluar takimet me degët partiake, duke i quajtur ato “takime mobilizuese”.

Se fundi, ai ka qëndruar në Prizren dhe Suharekë.

“Edhe dy takime tjera mobilizuese me strukturat tona udhëheqëse. Qëndrova në Prizren dhe Suharekë. Këtu takova kryesitë e degëve, kryetarët e nëndegëve, asambleistët dhe dy forumet. Përplot energji e entuziazëm drejt mobilizimit të madh partiak. Diskutime të hapura e plane konkrete për takimet e radhës nëpër çdo nëndegë - në qytet e në fshat”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, alternativa e vetme për qytetarët është “Rruga e re” e LDK-së.

“Programi ‘Rruga e Re’ do të shpërndahet nëpër Kosovë në qindra takime qytetare. Zgjidhjet tona politike e zhvillimore do të shtrohen me qytetarët tanë në çdo anë. Sepse kemi rrugën për ta, sepse këtë kërkojnë nga ne. Aktivizimi ynë politik sot është akt i domosdoshëm për një Republikë të fortë e zhvillimore. Një që s’mbijeton në krizë e popullizëm por në zhvillim e mirëqenie”, ka vlerësuar ai.

Pavarësisht mobilizimit të opozitës, partia në pushtet ende nuk ka dhënë ndonjë shenjë se mund të ketë zgjedhje të reja.

Shefja e Grupit Parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thënë se nuk sheh ndonjë gjendje të jashtëzakonshme që mund të sjellë tek zgjedhjet e menjëhershme.

Kusari-Lila është shprehur se zgjedhjet do të mbahet në cikël të rregullt zgjedhore, duke shtuar se për datën e zgjedhjeve do të jetë siç parashihet edhe me ligj.

“Paralajmërimi ka qenë në raport me afatet e rregullta. Zgjedhjet mund të jenë prej fundit të vitit 2024 deri në 2025 që do të ishte në cikël të rregullt zgjedhor, me atë se si janë mbajtur zgjedhjet në shkurt të 2021. Mund të flasim për çështje muajsh në raport me datën fillestare, gjegjësisht të shkurtit 2025, do të bëhen katër vite të plota. Tashmë në vitin e fundit dhe të legjislaturës dhe ekzekutivit nuk shoh ndonjë gjendje të jashtëzakonshme, që mund të sjellë tek zgjedhjet e menjëhershme. Si një proces ka mjaftueshëm kohë të diskutohet dhe të ketë një vendimmarrje të përbashkët, për datën e zgjedhjeve siç parashihet dhe me ligj.”, ka thënë Kusari-Lila.

Më herët, mundesnë e zgjedhjeve të parakohshme e ka përmendur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe disa zyrtarë tjerë të VV-së.

Por deri me tani, kryeministri Albin Kurti, njeriu i vetëm që mund ta dërgon vendi në zgjedhje të parakohshme, nuk ka dhënë ndonjë shenjë për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat