Apeli vërteton dënimin me nga 12 vjet burgim ndaj të akuzuarve për shpërthimin në Zhur, ku mbeti i vdekur një polic

Aktuale

Apeli vërteton dënimin me nga 12 vjet burgim ndaj të akuzuarve për shpërthimin në Zhur, ku mbeti i vdekur një polic

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 17:15
Ilustrim

Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktgjykim lidhur me ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve Iran Badalli dhe Arben Gashi – të dënuar për shpërthimin në Zhur ku kishte vdekur një zyrtar policor. Apeli ka vendosur që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat dhe të vërtetojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Më 10 tetor të vitit ë kaluar, Gjykata Themelore në Prizren i ka shpallur fajtor Badallin dhe Gashin për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” në bashkëkryerje dhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepër kjo e kryer po ashtu në bashkëkryerje dhe i ka dënuar me dënim unik me 12 vjet burgim secilin veç e veç.

Kundër këtij aktgjykimi, Prokuroria Themelore në Prizren dhe mbrojtësit e të dënuarve kanë paraqitur ankesa.

Prokuroria ka propozuar për shkak të vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i ashpër se sa dënimi i gjykatës së shkalës së parë.

Ndërsa mbrojtësit e të dënuarve për shkak të siç kanë pretenduar “shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza apo të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje”.

Lidhur me ankesat e mbrojtësve të dy të dënuarve, ka paraqitur përgjigje përfaqësuesi i familjes së policit të ndjerë Sami Thaçi, avokati Blerim Mazreku, me propozim që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet, ndërsa përkitazi me aktgjykimin e ankimuar të veprohet sipas propozimit në ankesën e Prokurorisë.

Në seancën e mbajtur, përfaqësuesi i Artur Mrasorit, policit që mbeti i lënduar në këtë incident tragjik në Zhur, avokati Besnik Berisha, e ka përkrahur ankesën e Prokurorisë për ashpërsim të dënimeve ndaj Badallit dhe Gashit.

Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të pretendimeve të cekura në ankesat e mbrojtësve të Badallit dhe Gashit, Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se këto pretendime janë të pabazuara, nuk qëndrojnë dhe as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

Në aktgjykimin e Apelit thuhet se në këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren ka dhënë arsyet e qarta për vendim, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe po ashtu mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga të akuzuar, duke e konstatuar se përse është konsideruar se akuzuarit e kanë kryer veprën penale dhe jo siç kanë pretenduar mbrojtësit e tyre.

Po ashtu, kjo gjykatë ka konstatuar se në këtë çështje, gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të pakontestueshme ka vërtetuar gjendjen faktike dhe ka vërtetuar se në ditën kritike, si rezultat i vendosjes së mjetit që shpërtheu në shtëpinë e të akuzuarit Iran Badalli në Zhur të Prizrenit, ka mbetur i vdekur polici Thaçi dhe lëndime të rënda kanë pësuar policët Artur Mrasori, Jetmir Hasani dhe Arsim Bytyqi.

Bazuar në të gjitha rrethanat që janë cekur nga Apeli, në aktgjykim thuhet se ka rezultuar se konkludimi i Gjykatës Themelore në Prizren është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar dhe nuk qëndrojnë pretendimet ankimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat