LIVE: Tensione në Kuvend/ “Ti, veç mshele!”, deputetja e PDK-së i drejtohet dikujt nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend

Aktuale

LIVE: Tensione në Kuvend/ “Ti, veç mshele!”, deputetja e PDK-së i drejtohet dikujt nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 06:55 Përditësuar në ora: 17:34 më 15.02.2024
Floretë Zejnullahu

Opozita kundër Projektligjit për KPK-në, Haxhiu i akuzon se po pengojnë reformën në drejtësi

Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka përplasur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me deputetët e partive opozitarë, në seancën e sotme të Kuvendit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se përmes këtij projektligji synojnë reformën e Këshillit Prokurial.

Haxhiu: Ky projektligj synon reformën e Këshillit Prokurorial

“Nevojën për reformimin e Këshillit Prokurorial dhe veçanërisht balancimin e përbërjes mes anëtarëve prokuror dhe atyre jo prokuror të cilin e përmenda më herët. Përbërja e propozuar prej shtatë anëtarëve në Këshillin Prokurorial është validuar nga Komisioni i Venecias pasi është vlerësuar të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ajo.

Mirëpo, ky projektligj u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ai tha se i njëjti është antikushtetues dhe se sërish do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.

Beqa: Ky projektligj do të ketë fatin edhe të propozimeve të tjera të rrëzuara nga Kushtetuesja

“Me tërheq këtë ligj dhe me bërë një ligj që është në harmonizim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës me vetmin qëllim që mos të bëni populizëm dhe mos t’ia merrni kohën parlamentin. Nëse vazhdoni me këtë formë që është propozuar dhe është e pamundshme që të gjitha ato vërejte që i ka dhënë Komisioni i Venecias t’i përfshijmë në këtë fazë, në mes dy leximeve. Unë mendoj se prapë ligji i këshillit Prokurorial do të ketë fatin edhe të propozimeve të tjera paraprakisht. Nxitimi i juaj dhe moskonsultimi me akterët na ka pruar në këtë situatë”, tha ai.

Kritika adresoi edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili kërkoi kthimin prapa të këtij projektligji në ministri.

Selmanaj: Ky Projektligj është i dëmshëm për vendin

Jemi duke iu treguar (Komisionit të Venecias) se ne nuk jemi duke ditur me shkrua ligje, jo me quajt këtë ministre të Drejtësisë, por ministre të padrejtësisë....Po doni me kap Këshillin prokurorial, por mos se kjo punë nuk shkon kështu. Kjo është e turpshme çka po ndodh. Me na sjell neve deputetëve këso dokumente është monstrum për vendin. Ky dokument e ka vetëm një shpëtim, hiqe ministre, qoje në ministri pasi kjo nuk është qasje. Kjo nuk përmirësohet, kot është”, theksoi Selmanaj.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se përmes këtij projektligji po synohet politizimi i Këshillit Prokurorial.

Tahiri: Ky projektligj synon politizimin e Këshillit Prokurorial

“Të gjithë ne po e shohim se na ka humbur busulla, orientimi dhe sensi i mendimit racional për me bërë reforma dhe intervenime të cilat duhet të ndodhin në sistemin e drejtësisë. Nëse ju mendoni se rritja e numrit të një menaxhimi korporatave është përgjigja në reformën e sundimit të drejtësisë, unë ju them se kjo është vetëm një barrë më e madhe dhe një tendencë për politizim”, tha ai.

Megjithatë, ministrja Haxhiu, akuzoi opozitën se përmes Gjykatës Kushtetuese po i pengojnë reformat në drejtësi.

Haxhiu: Opozita përmes Gjykatës Kushtetuese po i pengon reformat në drejtësi

“Ju e keni shfrytëzuar Gjykatën Kushtetuese për të penguar jetësimin e reformës në drejtësi. Unë tash kur shkoj në tubime për zgjedhjet e ardhshme, kur më pyesin qytetarët, për besë unë nuk mundem me gënjyer. Unë iu them se opozita e ka bllokuar”, theksoi ajo

Haxhiu, Selmanajt: Kur të më lavdëroni ju, e di që nuk i kam punët mirë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, për deklaratën e tij lidhur me reformën në drejtësi.

Ajo tha se asnjëherë nuk pret lëvdata nga ai në seancën e sotme të Kuvendit, ku në rend të dite ishte për diskutim pika e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës

“Së pari uroj që Z. Selmanaj nuk i shkon mendja ndonjëherë të më lavdëroj, po e përsëris edhe një herë uroj që Driton Selmanaj nuk i shkon mendja ndonjëherë të më lëvdojë, momentin që më lëvdon e di që nuk i kam punët mirë, uroj që mendja të mos shkojë, ëndërron të bëhesh ministër i Drejtësisë e di që nuk bëhesh, nëse bëhesh ndonjëherë, je i lirë me e bo reformën ashtu si ti konsideron që është e drejtë”.

“Strategjia për sundimin e ligjit është dokument që është mbështetur unanimisht, është një dokument që ka mbështetje të gjerë, kërkon që numri i anëtarëve në KPK të ulet, për këtë arsye kemi nisur reformën për të ulur numrin e anëtarëve të Këshillit, duke qenë që janë zgjedhur shpejtë e shpejtë, ju kujtohen deklaratat Ambasada Amerikane e ka quajtur sistem të prishur, për shkak të mënyrës si janë zgjedhur”, ka thënë Haxhiu. 

Nuk ka kuorum për Organin Përzgjedhës të Pavarur

Për t’u zgjedhur ky organ duhet të votojnë tre anëtarë nga gjykata të ndryshme të Kosovës.

Gjykata Supreme, e Apelit si dhe ajo Themelore në Prizren.

Po që vetëm 57 nga 73 deputetë votuan dhe si pasojë nuk ka kuorum.

Pritet që në seancën e ardhshme të votohet prapë për këtë organ.

“Ti, veç mshele ti!”, deputetja e PDK-së i drejtohet dikujt nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, ka pohuar sot që këshilltarja Dejona Mihali e kontrollon sferën publike politike në Kosovë.

“Dejona Mihali e cila nuk është as ministre, as deputete, madje nuk mban asnjë pozitë drejtuese në Republikën e Kosovës – absurditet që ndodh vetëm në Kosovën që e udhëheq Albin Kurti”.

Pasi shtroi disa pyetje në lidhje me Mihalin dhe e përfundoi fjalën e saj, ajo iu drejtua dikujt nga Lëvizja Vetëvendosje që ta qepë gojën.

Tahiri: Përvjetor ma të zbehtë të Pavarësisë nuk kemi pasur

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Ablerad Tahiri me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se asnjëherë përvjetor  më i zbehtë nuk ka ndodhur në Kosovë.

Ai më tutje tha se kjo për shkak se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë është aq të mira.

“Asnjëherë përvjetor me të zbehtë të pavarësisë nuk kemi pasur. Deri në vitin 2018 për çdo përvjetor kemi pasur nga një delegacion nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vizitë në Kosovë, për të festuar së bashku me ne kremten përvjetorin e Republikës se Kosovës”.

“Vendi ynë nuk e meriton të jetë nën sanksione nga ShBA-të. Ne gjithmonë e kemi pasur dhe do ta bëjmë rrugëtimin tonë strategjik së bashku me partnerin tonë pra ShBA”.

“Zbehja e kësaj feste po reflekton edhe nëpër ambasadat tona kudo që po organizohen festat për përvjetorin e pavarësisë”.

Kusari-Lila: Nuk është ndaluar dinari, por mund të përdoret si çdo valutë tjetër e huaj

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që Banka Qendrore e Kosovës e ka publikuar planin e veprimit për tre muajt e ardhshëm i cili lehtëson procedurat financiare tash që lejohet përdorimi vetëm i valutës euro.

“Diskutimi ynë po graviton tek domosdoshmëria e bartjes fizike të parasë. A ka kuptim kjo? Duke qenë synim lehtësimi dhe mbrojtja e të drejtës dhe mirëqenies së qytetarëve të komunitetit serb, Banka Qendrore e Kosovës me 12 shkurt publikoi edhe planin e veprimit për tre muajt e ardhshëm, në të cilin në mesin e të tjerave parashihet lehtësimi për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i tarifës për shapjen e degëve të institucioneve bankare, vendosjen e bankomatëve në komunat në veri si dhe shtatë rregulla të tjera lehtësuese”, ka thënë Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit.

“Me këtë plan veprimi BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese përveç masave lehtësuese të lartpërmendura me qëllim që qytetarët të kenë qasje sa më të lehtë në financa dhe shërbime financiare”.

Sipas Kusari-Lilës, dinari mund të përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Kosovë.

“Në debatin që është krijuar para dhe pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje është krijuar përshtypja sikurse Kosova ka ndaluar qarkullimin e dinarit serb në Republikën e Kosovë. Kjo nuk është e vërtetë pasi me këtë rregullore dinari mund të posedohet dhe përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Republikën e Kosovës, pra njëjtë siç përdoret dollari amerikan, funta britanike, leku shqiptar, frangu zviceran apo valuta tjera”, ka thënë Kusari-Lila.

Lekaj: AAK-ja mbështet Propozim-amendamentet Kushtetuese për Vetingun, s’mund të kalojnë pa Listën serbe

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, ka thënë se si parti i mbështesin tri (3) Propozim-amendamenteve Kushtetuese për Vetingun, por që sipas tij, këto ndryshime Kushtetuese nuk mund të bëhen pasi në seanca nuk merr pjesë Lista Serbe.

“Sa i përket punës së Komisionit mendoj që kemi dhënë kontribut të gjithë në atë Komision. Kemi pasur diskutime te mjaftueshme por ne fund kemi ardhur deri të pajtimi dhe përkrahja për Vettingun. Na vjen keq që dëgjuam kryetarin e Komisionit që sistemi gjyqësor ka qenë i pa pranueshëm dhe duhet të ndërhyhet”.

“Për 20 vite është ndërtuar sistemi, të hidhet poshtë gjithë krijimi i këtij sistemi është i pa pranueshme.

Mazhoranca mendon se çka do që është e mirë rrjedh nga ta. Politika duhet që të jetë larg. Ne si AAK kemi përkrah këto ndryshim dhe për hir të një konsensusi ne do ti përkrahim por ju e dini që duhet edhe dy të treta të komuniteteve”, ka thënë ai.

Tha se procesi i vettingut është i dështuar, Haxhiu i reagon Kica-Xhelilit: Uroj të mos jetë dëshirë e jotja kjo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili janë përplasur në seancën e Kuvendit të enjten në lidhje me vettingun.

Në këtë seancë ku po shqyrtohen tri propozim-amendamente kushtetuese, që kanë të bëjnë me vettingun në sistemin e drejtësisë, Kica-Xhelili tha se ky proces është i dështuar.

“Ne si LDK do t’i votojmë amendamentet kushtetuese që vijnë në Kuvend për vettingun. Por, ky proces nuk është më proces i vettingut. Ne kemi të bëjmë me rehabilitimin e një procesi të vettingut që tashmë është proces i dështuar”.

“Ka pasur papjekuri politike në qasjen që e kemi pasur ndaj kësaj çështje. Mbetet fatkeqësi që procesi ka mbetur simbolik”, deklaroi ajo para deputetëve.

E Haxhiu duke i reaguar deputetes së LDK-së tha se “uroj që të mos jetë dëshirë e jotja kjo”.

“Edhe njëherë po ju njoftoj se reformën në drejtësi po e bëjmë në disa drejtime dhe paralelisht. Znj. Doarsa Kica-Xhelili tha se procesi i vettingut është i dështuar, por unë uroj që të mos jetë dëshirë e jotja kjo. Uroj të mos jetë dëshirë e jotja, por shqetësim që e ke ngritur si deputete e Kuvendit”, u shpreh ministrja. 

Mungesa e Listës Serbe lë pezull votimin e ndryshimeve kushtetuese lidhur me vettingun

Kuvendi i Kosovës po mbanë seancën plenare ku po diskutohet për procesin e Vettingut në drejtësi dhe tri amendamentet kushtetues të propozuara për këtë proces.

Pushteti e opozita janë pajtuar me këto tri amendamente, por kanë shprehur kundërshtime sa i përket vettingut.

Pavarësisht pajtueshmërisë pozitë-opozitë për këto amendamente, të njëjtat nuk mund të votohen pasi që duhen edhe votat e Listës Serbe.

Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, ka theksuar se Komisioni i ka shqyrtuar propozim-amendamentet dhe pas disa ndryshimeve, përfshirë renditjen e propozim-amendamenteve i ka rekomanduar Kuvendit që t’i miratojë.

Ai ka thënë se ka pasur një konsensus politik në Komision për zhvillimin e Procesit të vlerësimit kalimtar ose vettingut.

“Sistemi vuan nga gjyqtarë e prokurorë jo profesionistë. Dikush mund të thotë se ky vetting është jo i plotë se prek vetëm kokat e sistemit por po harrojnë që aty është i gjithë problemi”, ka theksuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, ka thënë se vettingu është proces i pashmangshëm dhe se si grup e kanë mbështetur.

“Asnjëherë si Kuvend nuk duhet të heqim dorë nga ky proces dhe shpresoj që brenda kësaj legjislature të arrijmë ta procedojmë përpara”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se elementi i parë i dhënies së konsensusit për këtë vetting ka qenë element i edukimit politik për pushtetin aktual.

“Në vazhdimësi është parë një tendencë e kapjes së institucioneve nga pushteti. Ne kemi propozuar duke parë parasysh elementet problematike dhe duke parë që është problematike të bëhen ndryshime kushtetuese kemi propozuar të bëhet një sistem i monitorimit të performancës së gjyqësorit dhe prokurorisë”, është shprehur Gashi.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, ka thënë se si parti i mbështesin tri Propozim-amendamentet Kushtetuese për vettingun.

“Për 20 vite është ndërtuar sistemi, të hidhet poshtë gjithë krijimi i këtij sistemi është i pa pranueshme. Mazhoranca mendon se çka do që është e mirë rrjedh nga ta. Politika duhet që të jetë larg. Ne si AAK kemi përkrah këto ndryshim dhe për hir të një konsensusi ne do ti përkrahim por ju e dini që duhet edhe dy të treta të komuniteteve”, ka thënë ai. 

Kuvendi sot në rend dite disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë, në të cilën gjysma e pikave janë marrëveshje ndërkombëtare.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, të deputetëve.

Kuvendi në rënd dite ka këto pika: Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, votimi i Projektligjit për  ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë” dhe votimi i Projektligjit për  ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik dhe votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare,  për  pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Po ashtu sot kuvendi në rend dite ka votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Po ashtu në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, shqyrtimi i parë i Projektligjit për sport dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.

Po ashtu sot Kuvendi do të mbajë seancë plenare të veçantë, ku në rend të ditës, është shqyrtimi i tri Propozim-amendamenteve Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat