Konjufca takon anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes së Bundestagut gjerman

Aktuale

Konjufca takon anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes së Bundestagut gjerman

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 14:17
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes së Bundestagut gjerman, bashkë me kryetaren e këtij komisioni, Marie-Agnes Strack-Zimmermann.

Konjufca ka shprehur mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të vyer të shtetit gjerman ndaj Kosovës, ku dhe i falënderoi anëtarët e Komisionit për angazhimin në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve tona në fushën e parlamentarizmit, të sigurisë dhe mbrojtjes.

Kryeparlamentari u shpreh se vendet tona mike dhe partnere ndajnë ngushtësisht interesa të përbashkët, e kjo mundëson të hapim gjithnjë e më shumë gamën e raporteve dhe forcimin e tyre.

“Nga ana e anëtarëve të Komisionit gjerman të Mbrojtjes, ata u shprehën se mbështetja gjermane ndaj vendit tonë do të vijojë, përfshirë edhe në drejtim të ruajtjes së integritetit, sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës, si kontribut edhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.

Kryetaren dhe anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes gjermane, Konjufca i ka njoftuar me punën e Kuvendit të Kosovës në çështjet e mbrojtjes, e në anën tjetër, i njoftoi edhe me zhvillimet në vendin tonë, ku vlerësoi lart praninë e shtuar gjermane në Kosovë me trupat e angazhuar në kuadër të KFOR-it dhe rëndësinë e kësaj në një kohë kur shteti serb angazhohet për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.

Anëtarët e Komisionit e falënderuan Konjufcën për mikpritjen dhe i shprehën gatishmërinë e tyre për zhvillimin e angazhimeve të përbashkëta në kuadër të interesave të dyanshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat