Zhurmë për diçka që lejohet me UA nga 2013, vazhdojnë kundërshtimet për Projektligjin për FAM

Aktuale

Zhurmë për diçka që lejohet me UA nga 2013, vazhdojnë kundërshtimet për Projektligjin për FAM

Më: 1 mars 2024 Në ora: 11:15
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës nuk po arrin ta kalojë Projektligjin për Fertilizim të Asistuar Mjekësor, që do t’u mundësonte shumë çifteve e grave që ta kryenin këtë procedurë në QKUK, e të kursenin para. Deputetët që janë kundër po thonë se “cënon familjen”, e po thirren tek neni ku thuhet se të drejtën për FAM mund ta shfrytëzojnë edhe gratë e pamartuara, ndonëse kjo gjë lejohet qysh nga viti 2013, përmes një Udhëzimi Administrativ.

Në krejt këtë diskutim është përfshirë edhe Bashkësia Islame e Kosovës, raporton express. Para Kuvendit është mbajtur dje edhe një protestë kundër deputetëve që po kundërshtojnë projektligjin.

Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor po përcillet nga seanca në seancë, në mungesë të votave për ta hedhur në votim. Deputetët e partisë në pushtet që janë kundër këtij projektligji po e pamundësojnë kuorumin për ta hedhur në votim e për ta miratuar në lexim të dytë.

Këtë e pranoi edhe vetë Kryeparlamentari Glauk Konjufca, në seancën e fundit kur u shqyrtua projektligji.

“Një deputet nga mazhoranca qëllimshëm nuk po voton e provojmë edhe herën e tretë dhe pastaj e lëmë këtu”, tha Konjufca. Fjalën e kishte për deputetin Eman Rrahmani, i cili që kur ka ardhur projektligji në Kuvend, ka kërkuar të tërhiqet dhe të bëhen ndryshime.

Rrahmani është kundër nenit që parasheh që të drejtën për fertilizim të asistuar mjekësor (FAM) mund ta shfrytëzojnë edhe gratë e pamartuara. Sipas Rrahmanit, ky ligj “cënon familjen”.

“Ligje sikurse ishte ky sot që mund të çojnë në martesa të babës me vajzën, vllaut me motrën… KURRË nuk do të mbështeten!”,shkroi Rrahmani në Facebook, herën e fundit kur u diskutua për projektligjin.Bashkë me Rrahmanin, edhe deputeti tjetër i VV’së, Visar Korenica, ka kundërshtuar këtë projektligj që nga fillimi dhe përmes amandamenteve ka kërkuar anulimin e tërësishëm apo ndryshimin e disa neneve.

Rrugës u janë bashkuar edhe deputetë të tjerë. Së fundi ka qenë deputetja Albena Reshitaj, u ka bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë projektligjin të cilin ajo e cilësoi si “fatal”.  

“Apeloj te kolegët deputetë që të mos e aprovojnë këtë draft ligj sepse është fatal për të ardhmen tonë, edhe për familjen edhe në aspektin nacional. Kam bindjet e mia se ky projektligj është i gabueshëm”, ka thënë Reshitaj.

Në diskutimet për këtë projektligj është përfshirë edhe Bashkësia Islame e Kosovës. Myftiu Naim Tërnava është takuar këtë javë me deputeten Duda Balje.

BIK në njoftimin që lëshoi tha se në këtë takim u diskutua për shqetësimin e  Tërnavës rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, “i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”.

Balje doli me reagim pas reagimeve për këtë takim, ku tha se ka deklaruar qëndrimin e saj për këto ligje, por se “këto ligje nuk kanë qenë temë e vizitës te myftiu”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Ligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor është i domosdoshëm, meqë rregullon edhe mbikëqyrjen, edhe ligjshmërinë, edhe sanksionimin e atyre që mund të kenë problem në realizmin e kësaj procedure, që me Udhëzimin Administrativ që aktualisht është në fuqi, nuk rregullohen.

Vitia ka deklaruar se miratimi i këtij ligji do t’u mundësonte shumë çifteve e grave që të kryejnë këtë proces në QKUK, e të mos shpenzojnë mijëra euro nëpër spitale private, brenda dhe jashtë vendit.

“Nga leximi i parë, ne kemi pranuar disa amandamente nga disa deputetë të pozitës dhe të opozitës. Natyrisht se disa i kemi vlerësuar dhe i kemi adaptuar për leximin e dytë, mirëpo disa kërkesa që janë natyrisht, por disa kërkesa janë problematike sepse i humbë komplet edhe arsyeshmëria edhe gjithë ajo që po mundohemi ta bëjmë. Po e përsëriti atë që e kam thënë disa herë më herët, do t’u mundësonte shumë çifteve, shumë grave në Republikën e Kosovës që ta kenë një proces të mirë në sistemin publik e të mos harxhojnë me mijëra euro qysh janë harxhuar sot, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë”, deklaroi Vitia.

Sipas tij, për këtë Projektligj ka keqkuptime.

“Është një keqkuptim i madh edhe një debat në një masë edhe i ekzagjeruar në këtë raport. Ka mungesë të informacioneve në këtë raport. Ne po mundohemi që ta shtyjmë një ligj përpara i cili e rregullon edhe mbikëqyrjen, edhe ligjshmërinë, edhe sanksionimin e atyre që mund të kenë problem në realizmin e kësaj procedure e që fatkeqësisht me udhëzimin administrativ aktual asnjëra nga to nuk rregullohen. Gjithsesi na duhet ligji”, ka thënë Vitia.

Për këtë çështje, dje është mbajtur një aksion para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

“Deputetët/et s’kanë mandat me i cenu trupat tanë”, “A e prish familjen IVF në spitale private?”, “Shteti laik ku?”, “Kushtetuta, ku?”, ishin disa nga pankartat.

Aty u shkruan edhe emrat e deputetëve që po e kundërshtojnë projektligjin: “Duda, ku i ki kufijtë”, “Albena, edhe seksiste edhe raciste”, “Eman, mos rrej!”, “Visar, individët janë gratë”

Sipas Udhëzimit Administrativ për frytnimin e asistuar mjekësor të vitit 2013, të drejtë shfrytëzimi të kësaj procedure kanë edhe femrat që s’janë të martuara.

“Të drejtë shfrytëzimi të procedurës së FAM kanë edhe femrat që nuk janë të martuara nëse mjekimi paraprak është i pasuksesshëm të cilat sipas moshës dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore, janë të afta për frytnim dhe për përkujdesje prindërore. Kjo e drejtë realizohet vetëm pas vendimit të Komisionit FAM”, parashihet me këtë Udhëzim, që është aktualisht në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat