Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj inspektorit të punës

Aktuale

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj inspektorit të punës

Më: 1 mars 2024 Në ora: 11:38
Foto ilustrim

Seanca ndaj inspektorit të punës i akuzuar për korrupsion, Naim Avdijaj, është shtyrë me kërkesë të avokatit të tij, Rrahman Kastrati.

Në lidhje me propozimin e avokatit Kastrati, gjykatësi Drilon Haraçia bëri të ditur se në bazë të parashtresës së dorëzuar i njëjti mungon në seancën e sotme për shkak se është i angazhuar në një çështje tjetër gjyqësore në Gjykatën Themelore Gjilan, dega në Viti, duke kërkuar nga gjykata që seanca e sotme të caktohet për një datë tjetër.

Për këtë, gjykatësi Haraçia tha se e ka njoftuar Prokuroren e shtetit Ardita Beqiraj-Hyseni dhe përfaqësuesin e autorizuar të palës së dëmtuar, avokatin Ilir Rogova përmes e-mail-it zyrtar.

Në këtë seance në Gjykatën Themelore në Gjakovë, prezent ishin i akuzuari Naim Avdijaj, e dëmtuara Blerina Zhubi-Meka së bashku me mbrojtësin e saj, avokatin Ilir Rogova, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në këto rrethana, gjykatësi Haraçia tha se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës së sotme.

Sipas aktakuzës më 6 dhjetor 2022, në cilësinë e Inspektorit të punës në Zyrën Rajonale në Gjakovë, i pandehuri Avdijaj duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, tejkalon kompetencat e tij dhe shkel drejtat e punës të dëmtuarës Blerina Zhubi Meka.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Avdijaj i shkel të drejtat e punësimit të dëmtuarës Zhubi-Meka, edhe pse e njëjta pas procedurave rekrutuese ishte përzgjedhur kandidatja me numrin më të madh të pikëve të grumbulluara sipas njoftimit për rezultatet përfundimtare të vlerësimit në KRU “Gjakova” SH.A.

Me këtë rast Avdijaj akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, par. 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat