Bllokimi i llogarive në Telekom, rrezikohen pagat për punëtorët dhe investimet e kompanisë

Aktuale

Bllokimi i llogarive në Telekom, rrezikohen pagat për punëtorët dhe investimet e kompanisë

Më: 1 mars 2024 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës rrezikon punëtorët e kësaj kompanie publike të mbesin pa paga. Krahas kësaj këtij ngërçi financiar, mund të ndalen edhe investimet e planifikuara në Telekom. Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj për KosovaPress. Telekomit të Kosovës i janë bllokuar të enjten pasdite llogaritë bankare, pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin prej 5.7 milionë euro ndaj Z-Mobile.

Kryetari i kësaj sindikate, Balaj ka kërkuar nga institucionet përkatëse, në këtë rast Ministria e Ekonomisë dhe kryeministri që të marrin masa për gjendjen e rëndë të krijuar në Telekom. Balaj ka paralajmëruar se do të organizojnë edhe protesta për zhbllokimin e llogarive. Ndërsa, menaxhmenti i Telekomit ka reguar me anë të një komunikate se ‘përmbaruesi Irfan Kërçagu vazhdon veprën e filluar nga përmbaruesi i shkarkuar Ilir Mulhaxha. Telekomi kërkon edhe shkarkimin e Irfan Kërçagut’.

Balaj: Punëtorët mund të mbesin pa paga

“Telekomi është zhvatur nga njerëz të krimit të organizuar nga njerëzit, dhe pronarë kriminal. Nuk do të lejojmë dhe në asnjë mënyrë. Ne e kemi planin tonë si sindikatë dhe Bordi i kompanisë po e bënë punën e tyre, por ne do të marrim hapa në bazë të Rregullores në fuqi. Tashmë janë të organizuar Këshilli i protestave dhe po presim hapat në vijim..... Sigurisht Telekomi e ka bërë ankimimin dhe e kanë kryer këtë punë, sepse ka bazë ligjore dhe kërkova që vet kryetari i Gjyktaës Komerciale, sepse e dinë që po bëhët shkelje...... Sigurisht, ka me pasur protesta, greva por ne rast nuk ndodh një intervenim i shpejt i shtetit duhet të dihet qe do të ketë edhe kaos social, sepse punëtorët mbesin pa të ardhura. Veprimet i marrim në bazë të Këshillit organizativ të protestave dhe grevave që tashmë radha në fuqi dhe koha për kryerjen e këtyre”, thotë Balaj.

Ai ka një apel për institucionet e Kosovës për të gjetur siç thotë ai një zgjidhje për Telekomin.

Balaj: U bëj thirrje institucioneve shtetërore të marrin masa

“Ata do të provojnë të bllokojnë por nuk munden me rrëzuar edhe me miliona euro me i marrë, as tash nuk do të munden. Unë i bëj thirrje institucioneve shtetërore, ministrisë, kryeministrit dhe më së shumti kryetarit të Gjykatës Komerciale i cili e din se pse është shkarkuar gjyqtari dhe i kanë dhënë lëndën dikujt tjetër dhe prapë kanë mbet një vendim i njëjtë”, thotë ai.

Balaj dyshon se mbyllja e llogarive banakare ka ndodhur në bashkëpunim mes kompanisë ‘Z-mobile’ me Gjykatën Komerciale.

Balaj: Ka ndodhur krim i organizuar që po zhvat mjetet e Telekomit

"Përmbaruesi privat në bashkëpunim me ish pronarët e z-mobile i kanë bllokuar llogaritë e Telekom-it edhe pse për ne si sindikatë është një akt kriminal, një krim i organizuar që po zhvat mjetet e Telekomit me vite brenda institucionit me të rëndësishëm dhe më vital ne Kosovë.....Ky bllokim i llogarive ka ardhur ne kohën e atyre gjyqtarëve të cilët nuk po i zbatojnë procedurat e parapara me ligj”, thotë ai.

Në komunikatën e menaxhmenit të Telekomit thuhet se përmbaruesi Irfan Kërçagu vazhdon veprën e filluar nga përmbaruesi i shkarkuar Ilir Mulhaxha, Telekomi kërkon edhe shkarkimin e Irfan Kërçagut.

“Dje, me datë 29.02.2024, ndodhi ajo që Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës sh.a. e kishte paralajmëruar dhjetë ditë më parë në konferencën për media dhe në njoftimin me titull, "Thirrje për veprime urgjente për parandalim të krimit financiar!”. Telekomi i Kosovës u njoftua nga Banka për bllokim të llogarive nga Përmbaruesi Privat Irfan KERÇAGU për subjektin TELEKOMI I KOSOVËS SH.A. Nrb 70280741, lënda P.nr 977/23, për shumën 5,814,196.29 €”, thuhet në njoftim.

Reagimi i plotë i Telekomit:

Përmbaruesi Irfan Kërçagu vazhdon veprën e filluar nga përmbaruesi i shkarkuar Ilir Mulhaxha, Telekomi kërkon edhe shkarkimin e Irfan Kërçagut.

Dje, me datë 29.02.2024, ndodhi ajo që Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës sh.a. e kishte paralajmëruar dhjetë ditë më parë në konferencën për media dhe në njoftimin me titull, "Thirrje për veprime urgjente për parandalim të krimit financiar!”. Telekomi i Kosovës u njoftua nga Banka për bllokim të llogarive nga Përmbaruesi Privat Irfan KERÇAGU për subjektin TELEKOMI I KOSOVËS SH.A. Nrb 70280741, lënda P.nr 977/23, për shumën 5,814,196.29 €.

Kështu, përkundër argumenteve të fuqishme të Telekomit të Kosovës sh.a, të njohura tashmëpër publikun, endepovazhdon drama me shumë akte, e përvetësimit të jashtëligjshëm të parasë publike, e cila përpos grykësisë dhe papërgjegjësisë, shpërfaqë edhe fuqinë e akterëve të përfshirë në këtë veprimtari, për të sfiduartashmë krejtësisht hapur sistemin e drejtësisë dhe ligjin.

Edhe pse Dhoma e Shkallës së Dytë pranë Gjykatës Komerciale, tri herë i ka kthyer në rigjykim vendimet e Dhomës së Shkallës së Parë për të njëjtin rast, si pasojë e shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe asaj përmbarimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

Edhe pse, Vendimi KPPP.nr.2074/23, i datës 30.11.2023, në paragrafin e parafundit në faqen 5, kërkon shprehimisht nga Dhoma e Shkallës së Parë që në rigjykim të angazhojë një institucion ose kompani të licencuar të auditimit për të hartuar ekspertizën financiare që do të definojë obligimet e sakta të palëve.

Edhe pse Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale e kishte obliguar Dhomën e Shkallës së Parë të kësaj Gjykate që në rishqyrtim/rigjykim, të mbajë seancë dëgjimore, të caktojë ekspertizë financiare dhe në rigjykim të eliminojëshkeljet procedurale të konsumuara;

Megjithatë, Vendimi shokues dhe sipas bindjes tonë krejtësisht arbitrar i Gjykatës Komerciale i Dhomës së Shkallës së Parë,KPPP.nr 2074/23, i dt. 16.02.2024, ka lënë në fuqi Urdhrin përmbarimorduke hapurrrugë që një përmbarues tjetër të vazhdojë zinxhirin e veprimeve të jashtëligjshmepër përvetësimin e parasë publike.

Kjo, për bindjen tonë bëhet me qëllim që pronarëve të Dardafon net L.L.C. përmes bizneseve të tjera tu mundësojë që në bashkëpunim me partnerë nga vendet jo mike që nuk e njohin Republikën e Kosovës,të sfidojnë konkurrencën në treg. Marrëveshjet e fundit mes këtyre biznesevetregojnë qartë përpjekjen përtë monopolizuar tregun e telefonisë fikse, internetit dhe përmbajtjes televizive në Kosovë. Kjo për bindjen tonë rrezikonjo vetëm të drejtat e qytetarëve , por edhe sigurinë e vendit.

Telekomi i Kosovës sh.a, ka bërë menjëherë kërkesë për përjashtimin edhe të përmbaruesit Irfan Kërçagu nga ky proces, ka alarmuar prokurorinë e shtetit për shkeljen e gjykatësit që lejoi të vazhdoj krimi financiar, që injoroi vendimet e Dhomës së Shkallëve më të larta dhe vendosi kundërligjshëm të i japë të drejtë një procesi tashmë të kompromituar, duke i hapur rrugë përmbarimit të një borxhi tani më të mbipaguar (mbi 13 Milion Euro), të kontestuara me argumente të shumta, të sakta dhe të qarta nga Telekomi i Kosovës sh.a.

Telekomi i Kosovës sh.a, ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të llogarive dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike, të cilat njihen me legjislacionin e vendit për të ndalur në kohë këtë përpjekje të jashtëligjshme për grabitjen e parasë publike, që rrezikon të rrënojë rezultatet e arritura këto tri vite, si investimet në modernizimin e rrjetit mobil dhe rrjetit fiks, marrëveshjet e sukseshme biznesore, të cilat po rrënojnë monopolin në tregun e telekomunikacionit, i cili në pjesën më të madhe kontrollohej nga bizneset e dyshimta dhe me paratë e interesave nga vende që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë.

Në fund, duke ftuar të gjithë faktorët që janë përgjegjës që të ndalin këto veprime të jashtëligjshme dhe të dëmshme, shprehim bindjen tonë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, pavarësisht fuqisë financiare apo të imponimit politik,dhe se askush nuk mund të rrënojë atë që është arritur në rimëkëmbjen e kompanisë publike të vetme të telekomunikacionit në vend, sepse Telekomi është i Kosovës e jo i oligarkëve. Sepse Gjykatat janë të Kosovës e jo të gjyqtarëve dhe përmbaruesve me mungesë etike profesionale. Sepse vjedhja sado e mbuluar me letra: kurrë nuk bëhet legjitime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat