Anëtarët e PDK-së kundërshtojnë vendimin e KQZ-së: Për largimin e kryetarëve në veri mund të vendosë vetëm Presidentja

Aktuale

Anëtarët e PDK-së kundërshtojnë vendimin e KQZ-së: Për largimin e kryetarëve në veri mund të vendosë vetëm Presidentja

Më: 8 mars 2024 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Arianit Elshani dhe Ilir Gashi – anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë reaguar kundër vendimit të KQZ-së që votimi për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të mbahet më 21 prill.

Përmes një postimi në Facebook, Elshani ka thënë se me këtë vendim KQZ-ja “nga një institucion i pavarur kushtetues, sot u shndërrua në një agjenci të Presidencës, MAPL dhe vegël e pushtetit”

Sipas tij, data e votimit do të duhej të caktohej nga Presidentja e vendit, e assesi nga KQZ-ja.

“Vendimi i sotëm është në Kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjit për Zgjedhjet Lokale, Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe mandatin Kushtetues të KQZ”, ka shkruar Elshani.

Ndërsa, Gashi ka thënë se udhëzimi administrativ për peticionin për largimin e kryetarëve të komunave në veri ka prodhuar ndërhyrje flagrante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Kjo mundësi i’u është ofruar qytetarëve të udhëhequr nga Lista Serbe nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Pushtetit Lokal përmes hartimit të një udhëzimi antikushtetues, të cilit KQZ si institucion i pavarur nuk i subordinohet.  Ky udhëzim ka prodhuar ndërhyrje flagrante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.

“Ne i subordinohmi vetëm vendimeve të Presidentes kurdo që ajo shpallë datën e zgjedhjeve. Bazuar në përvojën time që nga vitit 2010 në këtë institucion, bazuar në Ligjin për Zgjedhje dhe Kushtetutës së Kosovës ku thotë se KQZ është organ që administron zgjedhje, konsideroj se data e referendumit nuk mundë të shpallet nga KQZ, por nga Presidentja e Kosovës”, ka shkruar ai.

Gashi ka shtuar se abstenimi i tij në këtë vendim është i bazuar në Ligjin mbi Zgjedhje dhe Kushtetutën e Republikës.

“Unë udhëhiqem nga parime që mbrojnë institucionin nga ndërhyrjet e jashtme dhe fuqishëm mbrojë të drejtën kushtetuese të KQZ-së. Fjala ime në mbledhjen e KQZ-së!”.

Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të premten votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.

Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.

Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat