Osmani në Javën e Gruas: Sukses të garantuar kemi vetëm kur vajzat e gratë janë prezente

Aktuale

Osmani në Javën e Gruas: Sukses të garantuar kemi vetëm kur vajzat e gratë janë prezente

Më: 20 mars 2024 Në ora: 11:43
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur të mërkurën adresimin “Avansimi i lidershipit gjithëpërfshirës si domosdoshmëri strategjike në adresimin e sfidave të shekullit 21”, në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”.

Ajo tha se udhëheqja gjithëpërfshirëse është një burim force dhe një mjet që mundëson transformimin pozitiv të shoqërive tona.

Ajo ka theksuar se ku do që ka gjithpërshirje ka mirëqenie dhe demokracia lulëzon në mënyrën më të mirë.

E para e shtetit, theksoi se dita ditës po kuptojmë se mund të kemi sukses të garantuar vetëm kur vajzat dhe gratë janë prezente.

“Përgjatë historisë së njerëzimit shoqëritë kanë bërë përparim vetëm atëherë kur kanë përfaqësuar diversitetin dhe kanë fuqizuar gjithsecilin zë. Për të mirën e përbashkët kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse aty ka përparim, ka mirëqenie dhe demokracia lulëzon. Dita ditës ne kuptojmë se mund të kemi sukses të garantuar qoftë në udhëheqjen e shtetit apo në organizimin në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente. Atëherë kur ato përfshihen, atëherë kur ato kanë rol aktiv, atëherë kur atyre iu dëgjohet zëri dhe atëherë kur edhe ato marrin vendime”, tha Osmani.

Sipas saj, kur gratë e vajzat përjashtohen nga proceset vendimmarrëse kufizohet aftësia kolektive e gjithë shoqërisë.

“Kur i përjashtojmë vajzat dhe gratë nga proceset e vendimmarrjes, kur margjinalizojmë grupet e caktuara duke u bazuar në racë, gjini, fe e karakteristika të tjera, ne e kufizojmë aftësinë tonë kolektive, e kufizojmë shoqërinë tonë në tërësi. Pra kufizojmë aftësitë tona të përbashkëta”, tha tutje Osmani.

Pranvera Lipovica, drejtore e Programit, NDI Kosovë, tha se gjithëpërfshirja e grave dhe komuniteteve në procese vendimmarrëse e rrit besueshmërinë dhe legjitimitetin e institucioneve.

“Përfshirja e grave dhe komuniteteve të nënpërfaqësura në procese vendimmarrëse e rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve”, tha ajo.

Nathalie Niedoba, Zëvendës Udhëheqëse e Misionit dhe Konsulle, Ambasada e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, ka thënë se tema e cila është duke u trajtuar në javën e grave në Kosovë është diçka që qeveria e saj e praktikon edhe në politiken e jashtëme dhe të brendshme.

“Tema e kësaj konference gjithëpërfshirja dhe ekonomia është diçka që qeveria e Kanadasë e bënë edhe në politikën e jashtëm dhe të brendshme. Vizioni i Kanadasë është ku të gjitha gratë janë të lira dhe të marrin pjesë në vendimmarrje. Kur gratë janë të arsimuara ato fuqizohen në shumë aspekte në jetën e tyre. Barazia gjinore është një prioritet për Kanadanë. Kemi mbështetur programe gjithëpërfshirëse në shëndetin seksual dhe riprodhues. Kanadaja ka bërë investime të rëndësishme ne nivelin ndërkombëtar në të drejtat e grave. Kemi kuptuar se në tëre botën kemi revokim të të drejtave të grave”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat