​Kosova pa manifestime zyrtare për 25-vjetorin e sulmeve të NATO-s, Krasniqi: Gabim i pushtetit aktual

Aktuale

​Kosova pa manifestime zyrtare për 25-vjetorin e sulmeve të NATO-s, Krasniqi: Gabim i pushtetit aktual

Më: 24 mars 2024 Në ora: 14:50
Presidenti Clinton dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka përkujtuar 25-vjetorin e intervenimit të Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë si një moment historik për shqiptarët e Kosovës përmes të cilit krahas luftës së UÇK-së i dha fund okupatorit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq.

Ai ka thënë se nga 24 marsi i vitit 1999, për 78 ditë me radhë, bombardimet e NATO-s ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapën rrugë fitores tonë përfundimtare, bashkë me burrat dhe gratë e UÇK-së, në realizimin e përpjekjeve të gjata të popullit tonë për liri dhe pavarësi.

“Sot, derisa shikojmë përparimin që kemi bërë si vend, sfidat nëpër të cilat kemi kapërcyer dhe ëndrrat që kemi realizuar në ndërtimin e një shteti – ne rikujtojmë miqtë tanë të shtrenjtë që ishin aty për ne në orët tona më të errëta. Prandaj, mirënjohja për forcat e NATO-së, të prira nga SHBA-të, është e përhershme dhe e paharruar. Sot, Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike,” ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka shprehur keqardhje që shënimi i 25-vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s gjen Kosovën pa asnjë manifestim zyrtar institucional, gjë të cilën e quan një tjetër veprim të gabuar të Qeverisë Kurti, duke shpërfaqur mosmirënjohëse ndaj aleatëve të përhershëm.

“Megjithatë, nga zemra, duke uruar që shumë shpejtë të jemi edhe ne pjesë e saj, për aleancën e NATO-s kemi vetëm një fjalë: Faleminderit,” ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat