Ish-kryeministri italian zbulon prapaskenat: Pse kontingjenti i parë që hyri në Kosovë ishte rus

Aktuale

Ish-kryeministri italian zbulon prapaskenat: Pse kontingjenti i parë që hyri në Kosovë ishte rus

Më: 24 mars 2024 Në ora: 15:35
Ish-kryeministri italian Massimo D’Alema

Ish-kryeministri italian Massimo D’Alema tregoi në një intervistë ekskluzive për gazetarin Thimi Samarxhiu në Euronews Albania momentet e vështira nga vendimi i vendeve të NATO për të ndërhyrë në Serbi pas konfliktit të përgjakshëm që kishte shkaktuar mijëra viktima të pafajshme në Kosovë.

Ai u shpreh se vendimi për një operacion ushtarak, ku gjithmonë ekziston rreziku i viktimave mes civilëve ishte i vështirë, ndërsa shtoi se edhe sot është i bindur se në atë moment ishte gjëja e drejtë që duhej bërë.

D’Almea zbuloi disa prapaskena nga bisedimet mes vendeve të NATO para se të merrej vendimi për të ndërhyrë ushtarakisht në Serbi, ku një nga opsionet ishte ndërhyrja ushtarake nga toka, gjë që nuk u pranua nga vende si Italia, Franca, Gjermani.

Për këtë arsye, kujton D’Alema kontingjenti që u fut në Kosovë nuk qe i NATO-s, por qe një kontingjent i Kombeve të Bashkuara të cilët ishin rusë.

“Aq e vërtetë është kjo, edhe pse nuk kujtohet, por unë dua ta kujtoj, sepse është e vërteta absolute, se kontingjenti që u fut në Kosovë nuk qe i NATO-s, por qe një kontingjent i Kombeve të Bashkuara. KFOR qe një forcë e Kombeve të Bashkuara. Dhe kontingjenti i parë ushtarak që u fut në Kosovë qenë rusët, të cilët pushtuan aeroportin e Prishtinës, dhe jo perëndimorët, sepse kjo sjellje politike lejoi, më pas u zhvillua edhe veprimi i NATO-s, por më pas, lufta përfundoi me një rezolutë të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, dhe me një mandat të Kombeve të Bashkuara, kështu që në fund, zgjidhja u gjet, le të themi, në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare. Dhe kjo u bë e mundur, sepse gjatë gjithë konfliktit ne mbajtëm një dialog edhe me Rusinë, duke qenë dakord me Klintonin. Mua më kujtohet që i dërguari rus ishte ish-kryeministri i kohës, Cernonerdin. Cernonerdin vinte në Romë, i telefononim Bill Klintonit, në darkë, dhe mbasi kishim folur me Klintonin, Cernonerdin të nesërmen shkonte në Beograd, për të diskutuar me Millosheviçin dhe me serbët. Kështu që, e them këtë, sepse u zhvilluan veprimet ushtarake, por u zhvillua edhe një aksion i fortë politik, në mënyrë që të kërkohej në fund një zgjidhje e tillë që të mos linte në fund një plagë të hapur, le të themi. Sepse, përfundimisht, objektivi ynë qe paqja. Një paqe, e cila të respektonte të drejtat e popullit kosovar, por një paqe. Dhe, në fund, flitet shumë për luftën e Kosovës, domethënë që ne kemi bërë luftë. Por le t’i themi gjërat siç janë, luftë po bëhej, nuk e bëmë ne, kishte filluar që më përpara se të ndërhynim ne, ishte një luftë e gjatë, veçse Kosova kishte qenë episodi i fundit i një lufte shumë të gjatë në Ballkan. Ne ndërhymë për ta pushuar luftën, sigurisht që ndërhymë me forcë, por për të krijuar një ekuilibër paqësor, ky ishte objetivi i veprimit të NATO-s dhe kjo ishte arsyeja për të cilën ne ramë dakord”, kujtoi ish-kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat