Lajçak pas takimit me Bislimin e Petkoviqin: U sqaruan detaje të rëndësishme rreth dinarit

Aktuale

Lajçak pas takimit me Bislimin e Petkoviqin: U sqaruan detaje të rëndësishme rreth dinarit

Më: 25 mars 2024 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 18:31 më 25.03.2024
Foto nga takimi

Lajçak për çështjen e dinarit: Javën tjetër mblidhemi për ta gjetur një zgjidhje

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se në takimet e sotme me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel u sqaruan detaje të rëndësishme rreth çështjes së dinarit.

Lajçak shtoi se janë pajtuar të mblidhen sërish javën e ardhshme “me ambicien për të gjetur një zgjidhje”.

“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”, shkroi Lajçak.

Bislimi: Ka nevojë për një takim shtesë për dinarin

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Gjatë 25 marsit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar për propozimet e tyre për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua për pagesa në Kosovë që nga 1 shkurti.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët kanë diskutuar për dy propozime, por nuk dëshiroi që të shpalosë detaje.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”.

Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.

Kryenegociatori i Kosovës tha se gjatë takimeve diskutuan se cili është modaliteti më i mirë për të siguruar që Serbia të mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për qytetarët e Kosovës me kombësi serbe, që do të ishin në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për transferet e parave të gatshme.

Të dyja palët dorëzuan të premten [22 mars] dhe sot ne i prezantuam ato dhe diskutuam për to”, tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ende nuk është deklaruar për media pas përfundimit të rundit të dialogut./REL

Përfundojnë takimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë përfunduar takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë më 1 shkurt.

Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.

Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.

Pas atij trepalësh, vazhdojnë takimet ndaras për dinarin në Bruksel

Takimet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar, janë duke vazhduar në Bruksel, ku Kosova është duke u përfaqësuar nga kryenegociatori i saj, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga Petar Petkoviq, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Pas një takimi tre palësh mes Bislimi dhe Petkoviqit, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, herët në mëngjes, tani do të ketë takim ndaras mes palëve.

Një takim ndaras mes Bislimit dhe Lajçakut ka përfunduar tashmë dhe po pasohet nga një takim mes Petkoviqit dhe ndërmjetësuesit evropian, para një takimi tjetër trepalësh më vonë gjatë ditës.

Takimet e sotme janë vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Nis takimi trepalësh në Bruksel – diskutohet për dinarin

Ka filluar takimi trepalësh në Bruksel. Kësaj radhe nuk ka patur takime të ndara meqë tema është e njëjtë sikur javën e kaluar kur takimet e ndara janë zhvilluar.

Sot delegacionet bisedojnë drejtpërsëdrejti lidhur me propozimet që i kanë dërguar me 22 mars për mënyrën si të implementohet rregullorja e BQK-së.

Në këtë takim sikurse në atë të javës së shkuar po diskutohet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar.

Takimi i sotëm është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Dinari i bën sërish bashkë Bislimin e Petkoviqin në Burksel – a do të ketë zgjidhje?

Petkoviq, do të zhvillojnë raundin e dytë të takimeve në Bruksel të ndërmjetësuar nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, lidhur me çështjen e dinarit.

Mbajtjen e këtij takimi e bëri të ditur vetë Lajçak më 19 mars, pas takimit që ishte zhvilluar mes kryenegociatorëve në kryeqendrën evropiane.

Ai tha se diskutimet ishin përqendruar rreth çështjeve urgjente në agjendën e dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas tij, si në Prishtinë, po ashtu në Beograd ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes pa vonesë dhe ka trajtuar çështjet urgjente që prekin dialogun.

Ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit.

Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete.

Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, garantoi këtë javë se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së.

“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”, tha Kurti.

E ambasadori amerikan, Jeff Hovenier shtoi se është e rëndësishme që të ndryshohet mënyra e zbatimit të kësaj rregulloreje.

“Siç tha kolegu im javën e kaluar, Gabriel Escobar ne jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat