Fitore/ Kalon Raportimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ja sa vota ishin pro

Aktuale

Fitore/ Kalon Raportimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ja sa vota ishin pro

Më: 27 mars 2024 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 17:28 më 27.03.2024
Foto gjatë takimit

Asambleja Parlamentare jep detaje për hapat tjerë të anëtarësimit të Kosovës në KiE

Në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci sot ka kaluar pika e Raportimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë të ditur hapin tjetër që do të merret lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Në njoftimin e lëshuar në platformën X thuhet se më 18 prill pritet që të mbahet një debat parlamentar për Raportin e anëtarësimit të Kosovës.

“Komiteti i Çështjeve Politike të PACE, i mbledhur në Paris, ka rekomanduar që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit Evropian”

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet të mbahet më 18 prill – dhe një votim i plotë nga Asamblea mbi qëndrimin statutor”, thuhet në njoftim.

Sot në Paris të Francës në takimin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci ka folur edhe raportuesja për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis. 

Zëvendësministri i Jashtëm tregon detajet pas votimit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE

Opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë është miratuar në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri  i Jashtëm Kreshnik Ahmeti.

“Sapo është Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit. Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë ditur që opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës.

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka sqaruar ai.

Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.

Gashi jep detaje rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Nga: A.Sh

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se hapi i parë ka përfunduar me sukses.

Tutje, thotë se kemi ehe dy hapa të tjerë që kryhet përfundimisht.

Postimi i Gashit: 

Fitore….

Hapi i parë u kry, edhe dy hapa janë dhe kryhet përfundimisht.

31 per

4 kunder

1 abstenim

Nis shqyrtimi i opinionit për anëtarësimin e Kosovës në KiE në Paris, faqja e PACE jep detaje

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka njoftuar në faqen e saj zyrtare në X për nisjen e takimit të Komitetit për Politikë dhe Demokraci në Paris ku “do të shqyrtohet dhe votohet” draft-opinioni i raportueses greke, Dora Bakoyannis, për aplikimin e Kosovës.

“Takimi i sotëm i Komitetit për Politikë dhe Demokraci në Paris takohet për të shqyrtuar dhe miratuar një draft-opinion mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim – është duke filluar tani”, thuhet në njoftim.

Asambleja tha se rezultatin e takimit do ta njoftojë më vonë.

 

Bakoyannis nis prezantimin e Raportit për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Dora Bakoyannis, raportuesja për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, është duke e mbajtur tashmë raportimin e saj e për Kosovën dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Ajo është duke folur në takimin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës në Paris të Francës, ku pritet të hidhet në votim Raporti për anëtarësimin e Kosovës.

Takimi në fjalë është i mbyllur për media, dhe burime për klanin nga takimi bëjnë të ditur se pati kuorum që Bakoyannis të nisë fjalimin.

Nëse sot më 27 mars ka rezultate pozitive, atëherë Raporti për Kosovën pritet të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave. 

Nis takimi i Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, pritet votimi i Raportit për Kosovën

Tashmë ka nisur të mbahet takimi i Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës në Paris të Francës, ku pritet të hidhet në votim Raporti për Anëtarësimin e Kosovës.

Nëse sot më 27 mars ka rezultate pozitive, pritet të kalojë për shqyrtim Raporti për Kosovën në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se pritet që të ketë lajme pozitive për Kosovën.

“Pritet që të ketë kuorum, njëkohësisht të votohet raporti dhe të procedohet në takimin e prillit”.

“Ky është vetëm hapi i parë, jemi në një rrugë të mirë por duhet ende punë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri nga Parisi ku pritet te votohet raporti për anëtarësimin e Kosovë në KiE: Ka kuorum

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili sot është prezent në Paris ku pritet të fillojë mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku do të raportojë raportuesja greke, Dora Bakoyannis, do të prezantojë draft Opinionin e saj lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ka konfirmuar për Gazetën Express se takimi ka nisur dhe se ka kuorum.

Para se të hyjë në takim, Tahiri doli me një video ku shprehi optimizëm se do të arrihet kuorumi.

“Jemi para ndërtesës së Këshillit të Evropës, ku sot pritet të votohet raporti për Kosovën për anëtarësimin e saj. Pritet që të ketë kuorum, njëkohësisht të votohet raporti dhe të procedohet në takimin e prillit.

Ky është vetëm hapi i parë, jemi në një rrugë të mirë por duhet ende punë”, ka thënë Tahiri.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, pozitë dhe opozitë presin rezultate pozitive

Pozitë dhe opozitë shprehen optimistë që Kosova do të anëtarësohen në Këshillin e Evropës gjatë këtij viti, derisa sot presin rezultate pozitive që raporti për Kosovën në KiE, të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Gjatë takimit që pritet të mbahet sot nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës në Paris të Francës,Deputetë nga partia në pushtet dhe të opozitës vlerësojnë se Kosova tashmë ka plotësuar gjitha kriteret që të anëtarësohet në këtë institucion.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli thotë se kanë mbështetje të mirë në Këshillin e Evropës, për çfarë thotë se presin rezultate të mira.

“Kosova tashmë ka plotësuar gjitha kriteret e nevojshme për t’u anëtarësuar. Kemi mbështetje të mirë në Këshillin e Evropës, kështu presim rezultate pozitive”, thotë Pacolli.

Edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala thotë për KosovaPress, se tashmë Kosova e meriton të jetë pjesë në Këshillin e Evropës, pasi janë plotësuar të gjitha kushtet.

“Kosova i ka plotësuar kriteret edhe ato që i ka pasur mëherët, por edhe këto kriteret politike që kanë qenë kohëve të fundit dhe Kosova e meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, e ka merituar prej kohës. Megjithatë, vendimi është krejtësisht politik dhe varet se sa edhe institucionet tona kanë punuar, lobuar, janë përgatitur dhe janë në koordinim me shtetet anëtare të cilat kanë me pas pikën orientuese drejt anëtarësimit të Kosovës”, thotë Shala.

Se Kosova e ka vendin në Këshill të Evropës, e thotë edhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj. Madje, sipas saj, ky proces është stërzgjatur.

“Kosova në të vetmin institucion që ka shpresuar që të anëtarësohet me vite ka qenë Këshilli Evropës, dhe arsyeja e vetme ka qenë për shkak të suspendimit të Rusisë pas luftës që ka ndodhë mes Rusisë dhe Ukrainës. Mirëpo, edhe ky proces është stërzgjatur, tashmë mbas implementimit të vendimit nga kryeministri, Kurti për tokat e Manastirit të Deçanit, ai e ka shkel këtë premtim që ka thënë se nuk do e zbatojë, mendoj se nuk duhet të ketë pengesa të tjera rreth anëtarësimit. Ne e kemi një delegacion në përbërje të të gjitha partive politike që po punon shumë në Këshillin e Evropës, që po lobojnë shumë…Po presim me pas përkrahje, po presim të anëtarësohemi, sepse në të kundërtën nuk do të kishte kuptim”, thotë Kadrijaj.

Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. Ndërsa, zhvillimet e anëtarësimit në këtë organizatë u aktualizuan pas vendimit të Qeverisë së Kosovës me 13 mars, rreth pronave të Manastirit të Deçanit

Rruga për në KiE, në 14:30 nis mbledhja ku pritet të votohet raporti për Kosovën

Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE.

Mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të fillojë në ora 14:30.

Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

Kosova shpreson që ta ketë anëtarësim të shpejtë në këtë organizatë.

Para kësaj mbledhje ka folur presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se shpreson që raporti të miratohet dhe që më pas Asambleja e Përgjithshme ta rekomandojë anëtarësimin.

Duke folur për gazetarë në Prishtinë, Osmani tha se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Teksa ka komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e në të cilën u dha zotimi për zbatim të marrëveshjeve, në të cilat përfshihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka deklaruar se “Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023”.

Vendimmarrja e Këshillit të Evropës do të vihet në lëvizje pasi Qeveria e Kosovës i kërkoi Agjencisë Kadas trale t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën afro 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i vendimit që ishte nxjerrë në vitin 2016 përbën një nga kushtet kryesore që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Kështu tha kryeministri Kurti, në njoftimin e tij ku bëri të ditur se ka kërkuar të zbatohet ky vendim. Për zbatimin e vendimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

Ajo ka thënë se nëse nesër ka kuorum, pra deputetë të mjaftueshëm, raporti i raportueses Dora Bakoyannis do të miratohet.

“Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet” ka thënë Gërvalla.

Çështja e kuorumit është ngritur për shkak të mundësisë që deputetët të mos udhëtojnë në Paris për shkak të festës së Pashkëve.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Më 24 prill 2023, aplikacioni i ishte përcjellë për konsultim sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të Presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.

Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.

Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

​Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Evropës

Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE, teksa në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Inkuadrimi i Kosovës në këtë trup është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim më 2022 – është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg të Francës, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Me raste, vendet duhet t’i ndryshojnë ligjet e tyre, apo të bëjnë çfarëdo ndryshimesh tjera, në mënyrë që një shkelje e evidentuar të mos përsëritet më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat