PDK kërkon komision hetimor për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore

Aktuale

PDK kërkon komision hetimor për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore

Më: 4 prill 2024 Në ora: 12:17
Floretë Zejnullahu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur kërkesë në Kuvendin e Kosovës që të formoj Komision Hetimor lidhur me subvencionimin e teksteve shkollore për nivelin fillor dhe atë të mesëm të ulët, për vitin shkollor 2023/24.

Në emër të PDK-së, deputetja Floretë Zejnullahu, tha se me dështimin e Qeverisë për të siguruar tekste falas, u rrënua standardi mbi 10-vjeçar i ofrimit të teksteve falas për të gjithë nxënësit pa dallim.

“Dështimi i i Qeverisë për të siguruar tekste shkollore falas për nxënësit, rrënoi standardin mbi 10 vjeçar të ofrimit të teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit pa dallim. Derisa sesioni vjeshtor i Kuvendit filloi me seancën e jashtëzakonshme të cilën e kemi ftuar ne si opozitë për ta adresuar çështjen e teksteve shkollore, asokohe, qeveria kërkoi kohë shtesë që të siguroj të dhëna të mjaftueshme si për numrin e nxënësve të cilët i kishte lënë pa tekste, ashtu edhe për koston financiare e cila do të rezultonte nga procesi i subvencionimit për blerjen e teksteve shkollore”, tha Zejnullahu.

Megjithatë, sipas saj, sot e asaj dite qytetarët e Kosovës dhe vet Kuvendi nuk ka informata rreth këtij procesi, andaj tha se përmes komisionit hetimor kërkojnë të zbardhin disa fakte.

“Megjithatë, nga shtatori e deri më sot, as Kuvendi e as qytetarët e Kosovës nuk janë njoftuar nga Qeveria apo ministria përgjegjëse për Arsim, lidhur me këtë proces i cili në radhë të parë është zhvilluar pa bazë ligjore dhe në radhë të dytë ka shkaktuar pasoja të shumëfishta për prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit. Prandaj, për të parë koston financiare që ka pas subvencionimi i teksteve shkollore për klasën 1-6, për të kuptuar arsyet e dështimit për të siguruar tekste shkollore edhe për nxënësit nga klasa 6 deri në të 9, për të vlerësuar nëse të gjithë nxënësit janë pajisur me tekste shkollore, për të mësuar pse ka dështuar blerja e teksteve shkollore nga ana e shtëpive botuese dhe shumë aspekte të tjera të cilat e kanë karakterizuar këtë proces, si grup parlamentar, në mbështetje të Ligjit në fuqi për Hetim Parlamentar, kemi propozuar këtë komision hetimor për hetimin e procesit të subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023-24”, tha Zejnullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat