Shea: Kosova në të ardhmen pjesë e NATO-s

Aktuale

Shea: Kosova në të ardhmen pjesë e NATO-s

Më: 4 prill 2024 Në ora: 23:17
Jamie Shea

Për 75-vjetorin e NATO-s ka folur ekskluzivisht për tëvë1, ish-zëdhënësi i aleancës trans-atlantike gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea. Ai e përmend Kosovën si shembull ku intervenimi i NATO-s ka qenë i suksesshëm edhe i domosdoshëm për ti shpëtuar shqiptarët nga spastrimi etnik.

Ditëlindja e 75-të e NATO-s ndihet fortë edhe në Kosovë.

Pasi roli i aleancës veri-atlantike, ishte kyç për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb para një çerek shekulli.

Kjo organizatë ushtarake për 78 ditë bombardoi mbi caqet ushtarake dhe policore serbe për ta ndaluar spastrimin etnik që serbët po i shkaktonin shqiptarëve në Kosovë.

Për këtë përvjetor të aleancës, ka folur për Tëvë1 ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, i cili e konsideron NATO-n si një institucion unik.

“NATO vërtet është një institucion unik sepse për herë të parë kur ishte krijuar NATO-ja, SHBA-të dhe Kanadaja, ofruan një përkushtim permanent të sigurisë për Evropën. Jo vetëm duke intervenuar për periudha së shkurtra gjatë luftërave me dërgimin e trupave, por edhe prezenca në kontinentin evropian për të mbrojtur demokracinë evropiane, ishte një ndryshim masiv historik”, thotë  ish-zyrtari i lartë i NATO-s.

Shea, i cili mori vëmendjen mbarëbotërore gjatë luftës së fundit në Kosovë, kur shërbeu si zëdhënës i NATO-s, thotë se intervenimi i NATO-s në Kosovë është një sukses historik i aleancës.

“Një ndër periudhat më të suksesshme të NATO-s ishte organizimi i kampanjës ajrore në vitin 1999, që gjithashtu ka përvjetorin e 25-të këtë vit, duke i shpëtuar kosovarët nga trupat e Millosheviqit. Ishte një përparim masiv sepse tregonte që NATO, së pari, kishte mësuar nga Bosnja. Ju kujtohet tragjedia në Bosnjë kur intervenuam shumë ngadalë e shumë vonë, vetëm pas tre vitesh lufte kur tashmë 100 mijë veta ishin vrarë. Kishte ndodhur masakra e tmerrshme në Sreberenicë dhe ne kishim një marrëveshje të komplikuar me Kombet e Bashkuara. Gjithashtu kishim mospajtime mes aleatëve tanë. Kosova ishte shumë e rëndësishme sepse tregonte kapacitetin e NATO-s për të marrë mësim dhe të jetë më efikase në të ardhmen”, ka thënë ai.

Eksperti britanik, shprehet i bindur se në të ardhmen Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s.

Ai tutje e vlerëson si hap të rëndësishëm që NATO-ja ka vendosur trupa shtesë në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjska.

“Anëtarësimi i Suedisë së fundmi tregon që dera e NATO-s ende është e hapur dhe që NATO nuk ka mbaruar me 32 shtete, do të ketë anëtare tjera të reja, dhe shpresoj që Kosova pa kaluar shumë kohë të jetë pjesë e atij zgjerimi të ardhshëm. Gëzohem që vitin e kaluar pas ngjarjes tragjike në Banjska NATO përforcoi Kosovën, pjesëtarët e forcave të Kosovës me ata të forcave turke tash në komandë, me forcat britanike dhe disa forca tjera. Kjo është e rëndësishme sepse siguria sot është e komplikuar, duhet të bëni më shumë se që mendoni në fillim” , thotë ai.

Që nga krijimi i saj më 4 prill 1949, Aleanca transatlantike është rritur nga 12 anëtarë themelues në 32 vende anëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat