Lladrovci kërkon që të zgjatet edhe për dy javë procesi i regjistrimit të popullsisë

Aktuale

Lladrovci kërkon që të zgjatet edhe për dy javë procesi i regjistrimit të popullsisë

Më: 5 prill 2024 Në ora: 11:51
Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që të zgjatet procesi i regjistrimit të popullsisë edhe dy javë të tjera pas afatit të paraparë,  në mënyrë që të shkojë procedura më mirë.

Lladrovci ka thënë të premten se ka pasur mospërkrahje nga ana e Qeverisë për ASK-në dhe komunat për të përgatitur për procesit e regjistrimit të popullsisë. Kryetari i Drenasit tha se si komunë përballën edhe me mungesë të regjistruesve dhe se konkursi për ta vazhdon të jetë i hapur.

“Ne e vlerësojmë këtë projekt si shumë të rëndësishëm për përgatitjen  për realizimin e regjistrimit të popullsisë nuk janë mirëplanifiku dhe kjo ka ndodh sepse vetë Qeveria e Kosovës  nuk i ka dhënë rëndësi përkrahjes së ASK-së dhe komunave për të regjistruar popullsinë. Konkursi për regjistrues ende vazhdon, ne si komunë akoma kemi mungesë të regjistruesve, shto kësaj që akoma shumë regjistrues e lënë detyrën.

Unë kisha thënë që me e shty edhe dy javë ditë me zgjatë ma shumë procesi i regjistrimit se e kemi të vështirë me kry mirë, nëse kjo lejohet”, tha Lladrovci.

Ai tutje foli edhe për regjistrimin e dëmeve nga lufta, për çka tha se do të jetë një proces i vështirë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se për herë të parë në regjistrim të popullsisë është përfshirë edhe pyetësori për dëmet nga lufta, ku qytetarët do të mund të deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, zhdukur, plagosur apo burgosur.

“Të dhënat mbi madhësinë dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit, do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët neve si qeveri juve si komuna dhe çdo institucioneve të tjera. Po e mbështesim ASK-në që është bartës i projektit me qëllim që regjistrimi të jetë cilësor, profesional dhe gjithëpërfshirës, por me rëndësi qenësore është bashkëpunimi i ngushtë i ASK- dhe komunave.

Cilësia e të dhënave nga pyetësorët është vendimtare për cilësinë e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe lokale. Në këtë regjistrim të popullsisë për herë është përfshirë pyetësori për dëmet nga lufta në ekonomitë familjare të popullit tonë. Qytetarët do të mund të deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, zhdukur, plagosur apo burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998, deri më 12 qershor 1999. Kjo na ndërlidh me Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, të cilin e kemi funksionalizuar për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet anë e mbamë Kosovës.

Në frymë të bashkëpunimit u ftoj që të angazhohemi bashkë në këto dy procese kaq të rëndësishme”, ka thënë Kurti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat