​25 vjet nga Beteja e Koshares, familjarët dhe qytetarët nderojnë të rënët

Aktuale

​25 vjet nga Beteja e Koshares, familjarët dhe qytetarët nderojnë të rënët

Më: 9 prill 2024 Në ora: 18:02
​25 vjet nga Beteja e Koshares, familjarët dhe qytetarët nderojnë të rënët

Familjarë dhe qytetarë të shumtë ia kishin mësyrë sot fshatit Koshare për të nderuar 114 dëshmorët e kombit të rënë Betejën e Koshares 25 vjet më parë. Qytetari, Hamit Gashi, tha se data 9 prill duhet të shënohet si festë kombëtare, pasi që sipas tij, në këtë Ditë është arritur qëllimi për lirinë e vendit.

Gashi shtoi se liria është arritur, por se problemi me Serbinë ende nuk ka përfunduar.

Gashi: 9 prilli duhet me qenë datë krenarie, sepse kanë rënë patriotët dhe udhëheqësit tanë

"Është dhimbje sepse kanë shkuar njerëzit më të mirë të shqiptarisë që ka pasur ndonjëherë shqiptaria këta luftëtarë kanë qenë.... Ne kemi qenë të parët qe kemi marrë pushkën në dorë për shqiptarinë qysh në vitin 1991. Gjithë proceset politike kemi marrë pjesë bashkë me Sali Çekun, ai ka qenë i pari shqiptarë që ka zbatuar kushtetutën në komunën e Deçanit. ....Është shumë ditë krenarie dhe populli shqiptarë duhet me mbajt si festë kombëtare gjithmonë këtë datë. 9 prilli duhet me qenë datë krenarie, sepse kanë rënë patriotët dhe udhëheqësit tanë.... Ne duhet të jemi krenarë, sepse e kemi arritur lirinë që e ka ëndërruar populli me shekuj për të qenë i pavarur, meqenëse problemi me Serbi nuk është përfunduar ende" , tha Gashi.

Ndërkaq, qytetari tjetër Albert Ahmetaj theksoi se Beteja e Koshares është beteja e parë në të cilën është larguar guri i kufirit të Kosovës me Shqipërinë.

Ahmetaj tha se duhet të përkrahen më shumë familjet e dëshmorëve.

Ahmetaj: Beteja e Koshares është një ndër betejat më të lavdishme

"Beteja e Koshares është një ndër betejat më të lavdishme që ka zhvilluar populli shqiptar deri më tash. Për herë të parë është thyer kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë. Brigada 138 e ka larguar kufirin me luftë dhe është e njohur se beteja e Koshares si Epopeja e Koshares. Në këtë betejë janë vrarë 130 ushtarë serbë, paramilitarë, rusë dhe mbetet beteja më e lavdishme që ka zhvilluat kjo brigadë. Nuk është bërë shumë për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës po e përfshij luftën në përgjithësi. Duhet institucionet shtetërore të kujdesen më shumë për këta njerëz. Ka mungesa në të ardhmen besoj që duhet të bëhet më shumë", tha Ahmetaj.

Edhe, eprori ushtarak i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Abedin Rrustemaj tha se e ka dëshmorë në këtë vend djalin e dajës, dhe sipas tij sot si bashkëluftëtarë është ditë krenarie.

Rrustemaj: Për ne bashkëluftëtarët është ditë krenarie

"Kjo ditë është e madhe për kombin tonë, sidomos për shqiptarët e Kosovës në këtë datë është thyer kufiri shqiptaro-shqiptarë dhe është larguar përgjithmonë guri i kufirit. Kjo datë na përkujton që shqiptarët këtë luftë e bënë bashkë.... Për familjarët sigurisht që është ditë e mërzitshme, por për ne bashkëluftëtarët është ditë krenarie për gjithë pjesëmarrësit e kësaj beteje e sidomos për kombin tonë. Më 24 maj ka rënë edhe djali i dajës Hamdi Sheremeti", tha Rrustemaj.

Beteja e Koshares zgjati nga 9 prilli deri më 10 qershor të vitit 1999. Në këtë betejë ushtria serbe e humbi kontrollin e kufirit Kosovë-Shqipëri. Kjo ngjarje shënon një betejë fituese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat