Hetemi optimist se Instituti për krimet e luftës në Kosovë do të ketë sukses në dokumentim të krimeve

Aktuale

Hetemi optimist se Instituti për krimet e luftës në Kosovë do të ketë sukses në dokumentim të krimeve

Më: 9 prill 2024 Në ora: 22:17
Drejtoir i Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi

Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë, ka folur për fushëveprimin e institutit që ai drejton, duke thënë se puna e këtij instituti në të ardhmen do të mund të përdoret nga institucionet e drejtësisë për identifikimin dhe gjetjen e atyre që kanë kryer krime të luftës në Kosovës.

“Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është themeluar dhe e ka ligjit e vet, i bije se është themeluar për herë të parë në formatin ekzistues. Objektivat kryesore janë hulumtimi, dokumentimi, verifikimi dhe arkivimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, instituti nuk ka karakter hetues, por karakter dokumentues dhe hulumtues, që i bije se të dhënat që arkivohen mund të përdoren nga grupe të ndryshme të interesit, përshembull mediat, akademikët, etj, por edhe institucionet e drejtësisë që në të ardhmen mund të ndërmarrin ndonjë veprim për hetime të mëtutjeshme identifikimin, gjetjen e atyre që i kanë bërë këto krime”, tha Hetemi.

Hetemi u shpreh optimist se ky institut do të ketë sukses në dokumentimin e krimeve të luftës, për shkak të bazës ligjore dhe linjave buxhetore të cilat i sigurojnë qëndrueshmëri.

“Mund të them që në aspektin ligjor administrativ instituti ka një bazë të mirë, sepse e ka ligjin e vet dhe pastaj parashihet edhe linja buxhetore që do të thotë se do të ketë qëndrueshmëri në aspektin financiar gjithashtu. Unë e kam marrë mandatin në nëntor dhe duke iu falënderuar mbështetjes institucionale dhe të tjerëve që kanë kontribuar në përpilimin e rregullores, përfshirë edhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe akterët e tjerë kemi arritë me finalizu dhe aprovu rregulloren për funksionalizimin e institutit dhe sistematizimin e vendeve të punës. Instituti do t’i ketë tri departamente kryesore, atë të dokumentimit, i cili pastaj ka divizionin për mbledhje, verifikim, përpunim dhe arkivim, dhe departamentin e hulumtimit, i cili pastaj ka divizione që merren me hulumtimin për nevoja të viktimave, krimeve ekonomike dhe një departament i cili merret me aspektin administrativ të institutit. Instituti do t’i ketë 74 punëtorë”, tha Hetemi.

Hetemi tha se Kosova është vonuar në dokumentimin e krimeve të luftës, por megjithatë ka një sasi të materialeve të grumbulluara ndër vite nga akterë të ndryshëm.

“Jemi vonë, por është fat në fatkeqësi që tanimë ka pasur institucione, organizata, individ në forma vetanake, apo në forma të ndryshme, të mbështetur qoftë nga donatorë të ndryshëm, apo iniciativa personale kanë arritur të grumbullojnë një sasi të materialeve. Unë them kjo e ka një anë… nëse ka diçka pozitive është se është krijuar një distancë emocionale dhe te pjesa e verifikimit mund të na ndihmoj që të jemi të paanshëm. Puna e institutit është shumë komplekse, dhe kërkon trajtim shumë dimensional, por në bazë të bashkëpunimit që e kam hasur edhe në institucionet në nivel qendror dhe lokal, jam optimist që do të arrijmë ta kemi një institucion shtetëror, i cili do të na shërbej për ruajtjen e kujtesës kolektive”, tha Hetemi në Rubikon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat