Tropojani që e nisi betejën e Koshares

Aktuale

Tropojani që e nisi betejën e Koshares

Më: 9 prill 2024 Në ora: 22:35
Beteja e Koshares

Është ky takimi i ish-drejtuesit të artilerisë së rëndë në Betejën e Koshares, Rakip Sadiku dhe babait të dëshmorit, Bashkim Jasiqi.

Ky i fundit, si 20 vjeçar i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare.

Ndërsa në ditën e parë të luftimeve, me 9 prill të vitit 1999, u bë edhe dëshmori i parë i kësaj beteje.

“Gjatë asaj kohe sa ka qëndruar në studime, ai kishte dal në Shqipëri. Unë së kam ditë, mas 10 vjetëve e kam kuptuar. Është dëshmori i pari që e ka dhezë pushkën për çlirimin e kufirit shqiptaro-shqiptar”, shprehet Ramadan Jasiqi, babai i dëshmorit, Bashkim Jasiqi.

Ramadan Jasiqi, tregon për momentin kur e njoftuan se i biri i tij, Bashkimi, ra heroikisht pas thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar.

“Na tërë kohën kemi nejtë në Bajram Curr, 11 muaj kemi qëndruar aty, nuk mujsha me u largua shkaku i djalit që po ushtronte aty. Ishin në një shtëpi private, ndërkohë tu nejt në oborr erdhi një kerr i ushtrisë, tre katër vetë kanë qenë, e lypën vëllain tim, ku është Osmani? Iu thashë pse? Thanë u plagos Bashkimi. Pastaj jam kthyer prapë e iu thashë unë jam baba i Bashkimit, kallxoni çka ka ndodh? Thanë u vra Bashkimi”, shprehet ai.

E ai që e nisi këtë betejë, ishte komandanti i artilerisë së rëndë në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, Rakip Sadikaj.

Ky i fundit thotë se kjo betejë, ishte përgatitur në detaje.

Ndërsa për Tëvë1, ka rrëfyer momentet kur u dha urdhri për fillimin e betejës, Rakip Sadikaj, komandanti i artilerisë në betejën e Kosharës.

“Në momentin e dhënies së detyrës, e para që ka goditur ka qenë artileria, që ka goditur këto dy pika kyçe dhe me neutralizimin, forcat e tjera e kanë vazhduar mësymjen. Në ditën e parë është marrë Rrasa e Koshares dhe në ditën e dytë është marrë Posta”, tregon ai.

25 vjetori i kësaj beteje, Sadikajn e gjeti përsëri në Koshare.

Këtu, fjalët më të mëdha i ka për komandantin e kësaj beteje, Agim Ramadanin.

“Si akademik që ishte, ai i printe gjithmonë me shembullin e tij, na thoshte gjithmonë para fillimit të luftës; mjafton që të vijnë tek ne dhe nuk do të largohen më nga ne djemtë për luftën e Kosovës. Në ditët e para të luftës, motivi i neve drejtuesve ka qenë gjithmonë, ne përpara dhe ju pas nesh”, shprehet Sdikaj.

Në këtë betejë që zgjati deri me 10 qershor të vitit 1999, heroikisht ranë 114 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa tek kompleksi memorial “Dëshmorët e Koshares”, në 25 vjetorin e betejës, homazhe bën qindra qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat