I mbijetuari i masakrës ndaj familjes Berisha, ende në kërkim të familjarëve të pagjetur

Aktuale

I mbijetuari i masakrës ndaj familjes Berisha, ende në kërkim të familjarëve të pagjetur

Më: 9 prill 2024 Në ora: 22:51
Gramoz Berisha

I mbijetuari i masakrës mbi familjen Berisha, Gramoz Berisha, ka kujtuar 26 marsin e vitit 1999, kur forcat policore serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë.

Gramozi, i cili ishte 8 vjeçar në kohën kur ndodhi sulmi, rrëfimin e nisë me momentin kur forcat policore serbe rrethuan shtëpitë e familjes së tyre.

“Me 26 mars të vitit 1999 ishim duke qëndruar me familjen e ngushtë dhe familjet e axhallarëve në shtëpinë tonë në Suharekë kur erdhën forca të shumta të policisë. Ata fillimisht i rrethuan shtëpitë tona, hynë në shtëpitë e axhallarëve e panë që nuk është askush, pastaj u drejtuan në shtëpinë tonë dhe na thanë dilni jashtë, burrave u thanë qëndroni në oborr, ju të tjerët vazhdoni për Shqipëri”, tha Berisha në Rubikon.

Tmerri për Gramozin dhe familjarët e tij nuk mbaroi me kaq. Ata u përballën përsëri me forcat policore serbe, përballje kjo që njëjtë si e para rezultoi fatale për familjen Berisha.

“Kemi vazhdu me ikë kah kemi mujtë, as mamin nuk e kam pasur afër, kemi qenë të frikësuar. Me Altinin, djalin e axhës, filluam me vrapu në drejtim në qendrës zejtare në Suharekë dhe dolëm te rruga kryesore para objektit të komunës, aty kemi pa kushëri që na janë bashkëngjitë neve duke mendu se po na qesin me kolonë dhe me vazhdu për Shqipëri, pastaj kanë fillu gjuajtjet dhe e kemi pa që jemi të rrethun në të gjitha anët, jemi kthy mbrapa dhe jemi bërë bashkë përpara lokalit të picerisë ‘Kalabria’, deri në momentin kur janë afru forcat policore dhe na kanë detyru me hy në atë lokal, në momentin që kemi hy kanë fillu me gjuajtje dhe ne jemi shtri për toke, mami më ka mbulu me trup të vetin”.

Edhe kur forcat serbe kishin filluar të gjuanin në drejtim të grave dhe fëmijëve të familjes Berisha dikush nuk e kishte humbur shpresën, dhe po mundohej të gjente mënyrën për të mbijetuar. 8 vjeçari Gramoz Berisha kishte zgjedhur heshtjen, edhe pse i plagosur në krah, ai kishte mbyllur sytë dhe kishte qëndruar pa lëvizur derisa forcat serbe e kishin larguar nga lokali për ta hedhur në kamion bashkë me trupat e familjarëve të tij.

“Gra edhe fëmijë kemi qenë në atë lokal, nga gruaja e axhës e cila ka qenë shtatzënë në muajin e tetë, deri të plaka mbi 90 vjeçare kemi qenë në atë lokal, kanë vazhduar të gjuajnë, të shajnë, të bërtasin, iu pengonte çdo zë që vinte në atë lokal. Në një moment e kam ndje një dhimbje në shpinë, dhe e kam vërejt që jam plagosë në krah, por nuk kam lëvizur. Gjallë ka qenë Altini, Shyhretja dhe mami, e kam dëgju Shyhreten duke i thanë djalit të vet kur të na kapin mos lëviz, mos të na vërejnë që jemi gjallë, unë e kam dëgju atë dhe jam bërë edhe unë sikur i vdekur, isha i mbuluar me jaknen e babit, i kam mbajtë sytë mbyllë dhe nuk kam lëvizë, para meje e kanë kapur Altinin, e kanë vërejt se është gjallë, e kanë sha dhe e kanë gju edhe njëherë. Pas tij më kanë kap mu, fati që kanë kapë në krahun tjetër, se nëse më kishin kap në krahun e plagosur do të më vërenin se jam gjallë, më kanë hedh në kamion, kanë hedh trupa tjerë mbi mu, ashtu kam qëndru pa lëvizur deri kur kamioni është nisur në drejtim të Prizrenit”.

Gramozi, nëna e tij Vjollca dhe gruaja e axhës Shyhretja mbijetuan duke kërcyer nga kamioni, e duke lënë prapa trupat e pajetë të më të dashurve të tyre. Në mesin e të vrarëve ishin edhe vëllau dhe motra e Gramozit, si dhe katër fëmijët e Shyhretes. Rrëfimi i Gramozit bëhet edhe më rrëqethës kur tregon se në kamion ishte edhe një fëmijë i mbijetuar, por i cili kishte refuzuar largohej.

“Kam vazhdu me qëndru pa lëvizë deri në momentin kur mami dhe Shyhretja kanë vendosë me kërcy nga kamioni, sepse kanë mendu që kanë me na shti në ndonjë gropë dhe nuk mund të dalim, kamioni ka qenë në shpejtësi të madhe, mami mi ka vërejt teshat ka thanë ta shoh djalin për herë të fundit dhe me u hedh prej kamionit, më ka kthy ka thanë të ia shoh fytyrën djalit, në atë moment i kam hapë sytë, më ka thanë Mozi a je gjallë? I kam thënë po, me ka thënë eja të kërcejmë prej kamionit, vëllaun edhe motrën i kemi lanë në kamion të vrarë, Shyhrejtja djalin e kishe para duarve, e la, tha po i lë katër fëmijët e vdekur dhe po kërcej, ndoshta burrin e kam gjallë. Fillimisht ka kërcyer ajo, mandej mami më ka kap mu dhe jemi ba gati për me kërcy në ato momente edhe një fëmijë tjetër ka qenë gjallë, e kemi thirr me kërcy prej kamionit, por ka fillu me bërtit po du me shku me mamin, veç largomani trupin se s’po muj me marrë frymë, ka fillu të qajë, dhe ne nga frika se mund të na dëgjojnë kemi kërcy, mami e plagosur, unë i plagosur jemi kap për dore dhe kemi kërcy, jemi mundu me kërcy në mes që mos me na vërejt, zoti na ka dhënë forcë dhe jemi qu dhe kemi fillu me ecë”.

Gramozi, Vjollca dhe Shyhretja janë tre të mbijetuarit e vetëm të masakrës që forcat serbe kryen mbi familjen Berisha 25 vjet më parë. Trupat e 25 anëtarëve të familjes Berisha ia janë kthyer familjes, ndërkaq ende nuk është zbardhur fati i 24 anëtarëve të tjerë të kësaj familje.

“Gjithmonë kërkesa jonë është të bëhet më shumë, edhe pse e dimë se jo gjithçka varet prej neve, sado që institucionet mund të thonë se po punohet ne e dimë se kapaciteti ynë kaq e ka, nuk presim më shumë, jam mjaftueshëm i vetëdijshëm me lexu histori edhe për luftërat tjera në botë dhe e kam kuptu që ka trupa që nuk gjenden kurrë, po të paktën kërkesë e jona është të bëhet maksimumi që secili trup që gjendet të na e lehtësojë dhimbjen që e kemi”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat