Udhëheqësit urojnë Bajramin me thirrjet për mirësi

Aktuale

Udhëheqësit urojnë Bajramin me thirrjet për mirësi

Më: 10 prill 2024 Në ora: 12:34
Ceremonia e faljes së Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, 10 prill 2024.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u uroi besimtarëve myslimanë festën e Fitër Bajramit, e cila shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Le të na frymëzojë kjo ditë feste të gjithëve për ta forcuar mirëkuptimin dhe afërsinë ndaj njëri-tjetrit, si dhe për ta shtrirë dorën e mirësisë e bujarisë për ata që kanë më së shumti nevojë”, tha Osmani në mesazhin e saj të urimit.

Mëshira dhe mirësia “le të mbeten normë e përditshme për të gjithë” dhe “ndaj të gjithëve”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Lutjet gjatë muajit të Ramazanit le të bëhen urimet më të përzemërta për familjet, miqtë dhe të dashurit tuaj në këtë ditë të Bajramit”, tha ai.

Në Kosovë, ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Në mesazhin e urimit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se “të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste, ngase vjen pas një sakrifice të madhe”.

“Është një manifestim falënderimi për Zotin, pas agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit”, tha Tërnava.

Gjatë 30 ditëve të këtij muaji, myslimanëve u kërkohet të agjërojnë, të tregojnë mirësi dhe durim, si dhe t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin.

Fitër Bajrami që pason, zgjat tri ditë.

Është një periudhë kur familjet dhe miqtë mblidhen së bashku dhe ndajnë vakte të mëdha.

Është gjithashtu e zakonshme që fëmijët të fitojnë para ose dhurata të vogla nga më të moshuarit.

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam.

Islami është feja e dytë më e madhe në Evropë, pas krishterimit.

Në kontinent janë disa vende me shumicë myslimane, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat